Letër profesor Agim Vincës

Nga Enver Kushi

Fort i nderçëm mëmëdhetar, Prof. Agim Vinca,

Po Ju drejtohem në krye të kësaj letre, me këtë shprehje kuptimplote, që etërit tanë të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare dhe të tjerë pas tyre, i nisnin letrat njeri-tjetrit. Gjithashtu po ju drejtohem me letër dhe do të dëshiroja, që të kisha adresën e banesës Tuaj në Prishtinë, në mënyrë që  letra t’u vinte me postë, si qëmoti. Tani kemi hequr dorë nga letrat, i nderuar Profesor, sepse kohët moderne që po jetojmë, ku përparësi ka marrë elektronika, letrat e shkruara me dorë duken disi të vjetëruara. Ani! Unë po Ju shkruaj këtë letër dhe le të më quajnë të vjetëruar me këtë mënyrë komunikimi.

Uroj të jeni mirë familjarisht. Jeni kthyer në Prishtinë apo vazhdoni të pushoni në Strugën Tuaj aq të bukur, magjike dhe lozonjare?

Para disa ditësh, më katër të vjeshtës së parë të këtij moti, Ju dergova një SMS, ku shkruaja vlerësimet e mia modeste për librin Tuaj “DITARI I PANDEMISË”, pasi e këndova atë. Më pëlqen të përdor fjalën “këndim”, që Prof.Dhimitër Shuteriqi, e kishte shumë për zemër. Hapa “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, atë të motit 1980 dhe leçita kuptimin e fjalës “këndim”. E bëra këtë, sepse doja të sigurohesha që përdoret edhe kur “këndon një letër (libër)” dhe doja të isha i saktë, sepse po i shkruaj jo vetëm një njohësi dhe shkruesi shumë të mirë të shqipes, por edhe një kërkuesi të rreptë për shkrimin sa më saktë të saj.

Libri Juaj është përtej kuptimit të fjalës “Ditar” (dhe sipas fjalorit “tërësia e shënimeve të përditshme a të kohëpaskohshme, që mbahen për ngjarje nga jeta vetjake ose nga jeta e një kolektivi”).

Në këtë fjalor jepet edhe kuptimi i dytë: “Vepër letrare a pjesë e saj, e shkruar në trajtë shënimesh të tilla”.

Mua më habiti (nuk e dija) edhe një kuptim tjetër i kësaj fjale: “Ditar – i,  njësi mase për tokën, afërsisht e barabartë me sipërfaqen që mund të lërojë një pendë qé në një ditë. Mbolli dhjetë ditarë me grurë, i dhanë disa ditarë tokë”.

Dhe nëse do ta përdorja kuptimin e fundit të fjalës “Ditar” si metaforë, unë do të thoja se Ju keni mbjellë në 80 ditë, pra nga 14 marsi, fillim i pranverës, por i një pranvere të hidhur, që është titulli i një filmi të papërfunduar të regjisorit Muharrem Fejzo, pas tragjedisë së aktorit brilant Sandër Prosi, deri më 1 qershor, keni mbjellë 80 ditarë me grurë, që ne lexuesit kur futemi në këtë sipërfaqe, zhytemi si në fushat pjellore të Myzeqesë së dikurshme këndej Drinit dhe Fushë Kosovës së dikurshme të andej Drinit.

“Ky është rrëfimi im”, shkruani Ju në krye të këtij ditari, “ashtu siç e kam parë e përjetuar unë këtë situatë: situatën nëpër të cilën kaluam në muajt mars, prill, maj të këtij viti”.

Unë do të shtoja, që tashmë ai është botuar dhe është në duart e lexuesve dhe dashamirësve të shumtë Tuaj, këto përjetime janë bërë edhe tonat. Të paktën kështu më ndodhi mua, që kur e nisa të këndoj, e pata të vështirë ta lija mënjanë, qoftë edhe për disa çaste, për t’ju rikthyer shfletimit të tij. Ditari Juaj është dëshmi e sinqertë dhe shumë e ndjerë e përjetimeve njerëzore dhe fateve të tyre, përballë “murtajës” së kohës sonë e që quhet çuditërisht me një emër të bukur “Corona”.

Unë gjatë këndimit kam ndjerë Agim Vincën njeri, bashkëshort, prind, gjysh apo intelektualin e shquar e të shqetësuar për fatet e Shqipërisë andej dhe këndej Drinit. Në këtë kuptim libri Juaj nuk është një ditar i zakonshëm.

I shkruar brenda katër mureve “në shpellën Tuaj” (Kafka), ai duket se e ndjen veten ngushtë aty, prandaj pa ju marrë leje Juve, murgut shkrues, del nga dritaret apo dera e hapur e ballkonit, duke fluturuar në qiejt herë të kthjellët, herë të turbullt të Prishtinës dhe Kosovës, duke hyrë pa trokitur në zyra politikanësh të mbarë , por më shumë të mbrapshtë.

Kam vënë re, që kur keni hedhur në letër përjetimet për këto ditë ankthi të një rreziku apo kërcënimi tjetër që vjen jo nga corona virusi, por nga veprimet e pakuptimta e djallëzore të politikanëve tanë atje, dora Juaj rëndohet disi, ndërsa shqetësimi Juaj deri në skaj, merr zjarr…. Dhe jashtë shihni lulet e kumbullës dhe dëborën që bie në pranverën e vonë, duke i tharë ato.

Fjalët, fjalitë dhe frazat e shkruara nga Ju, ulërijnë.

Unë si këndues i këtij ditari, më besoni i nderuar mik, këtu në Tiranë, e kam ndjerë zërin Tuaj bubullimë, siç kam ndjerë edhe ato që Ju i rikujtoni dhe u riktheheni: zërat e 12 mijë të vrarëve, 2 mijë të zhdukurve, 20 mijë grave të dhunuara, rreth 1 milion të dëbuarve nga shtëpitë e tyre, pa përmendur burgosjet, djegiet, shkatërrimet dhe krimet e tjera nga makina ushtarake e Milosheviçit. Ky është bilanci tragjik i Kosovës, shkruani Ju të hënën e 27 prillit 2020, nën titullin kuptimplotë : “A ka varre kenotafe në Kosovë? ”, duke e mbyllur me fjalët : “Kosova e pagoi shtrenjtë lirinë e saj”.

Mbaj mend që në shtator të vitit 1999, kam ardhur për herë të parë në Kosovë. Në shënimet e hedhura, që do t’i publikoj te “Dita”, kam shkruar: “Ditën e tretë të qëndrimit në Prishtinë, një mjegull e dendur dyndi në qytet. Është mëngjes dhe sapo hap dritaren, befasohem nga pamja që shoh nga kati i dymbëdhjetë i hotel “Grand”. Kompleksi sportive, ndërtesa e ish-sekretariatit të Punëve të Brendshme e bombarduar nga NATO, kodra përballë e fusha në të majtë dhe gjithçka tjetër, është mbuluar nga mjegulla. Krra-krratë e sorrave, si dhe mjegulla e dendur, e hirtë apo zërat e njerëzve që nuk merrej vesh se nga vinin, nuk e di pse më krijuan përshtypjen sikur fluturoja mbi një peisazh surreal. U largova nga dritarja dhe hapa blllokun e shënimeve. Kam hedhur në të fakte tronditëse nga takimet me drejtues dhe specialistë të Arkivit të Kosovës, Monumenteve të Kulturës, Muzeut Historik … Qindra monumente kulturore të rrafshuara, mijëra dokumente arkivore të grabitura, 47 kuti metalike me objekte të Muzeut të Kosovës të bëra gati për t’u dërguar në Beograd. Dal prapë në dritare… Është e njëjta pamje me mjegullën e hirtë dhe krra-krratë e sorrave”

Profesor i nderuar,

Ditari Juaj, përpos të tjerave, shpalos edhe kulturën Tuaj të gjerë në lëmi të ndryshme, veçmas në atë të letërsisë shqiptare e botërore, por edhe të historisë, gjeografisë, traditave …etj. Nëse në të ardhmen, ndonjë studiues do të merrej me treguesin emrave gjeografikë, njerëzve, figurave, apo ngjarjeve historike, me siguri do të ishte një listë shumë e gjatë, tregues ky i kulturës së gjerë Tuajën dhe njohurive të thella akumuluar gjatë viteve.

Nuk dua të zgjatem në stilin e të shkruarit të librit Tuaj “DITARI I PANDEMISË”, por kam vënë re që atje jeni Ju, Agim Vinca kulturolog, poet, eseist, rrëfimtar etj. Atje është bota Juaj gjithmonë e trazuar dhe e shqetësuar, apo e pagjumë. Atje vijnë, si në vargun De Radian “Bie po s’dua të fle”, qiejt e Prishtinës, reve, ditët me shira e dëborë, lulëzimi i pemëve, gjelbërimi i barit, cicërimat e zogjve e mbi të gjitha zërat njerëzor. Fraza e saktë, herë e shkurtër dhe herë e gjatë, meditative, ëndrrat, netët pa gjumë, të gjitha këto derdhur më një stil elegant,  informacione të sakta si të kronikave, por here-herë shpërthyes, sarkastik dhe zemërak….

Më lejoni të citoj nga një intervistë e Juaja, botuar në gazetën “Dita” më 24 dhjetor 1995, kur pyetjes së Enver Nezirit: “Njiheni si krijues e intelektual që ka qëndrim kritik ndaj rrjedhave dhe proceseve aktuale, politike, kulturore …etj. A hasni në vështirësi e keqkuptime për shkak të këtij qëndrimit Tuaj të paluhatur intelektual?”,  Ju i përgjigjeni:

“Për shkak të qëndrimit tim jokonformist si njeri krijues dhe intelektual, jam ndeshur dje me diferencimin ideopolitik, me fushatat e organizuara nga UDB-ja dhe Komiteti dhe, për pasojë, edhe me largimin tim nga fakulteti, ndërsa sot kur të urtët, të dëgjueshmit e, madje, edhe diferencuesit e djeshëm janë bërë “liderë” e “patriotë të mëdhenj”, ndodh të ndeshem përsëri me sulme të ngjashme, që i vë në lëvizje smira e injoranca të cilat, mjete të vetme “lufte” kanë shpifjen dhe intrigën….”.

Ju jeni i tillë edhe në këtë ditar: i drejtëpërdrejtë e jo konformist. Shënimin “E mërkurë, 29 prill 2020”, me titullin “Komedia Pacolli”, do ta duartrokisnin dhe uronin dy nga sqimëtarëtdhe aristokratët e fjalës shqipe, por edhe mjeshtra të humorit dhe sarkazmës, Fan Noli dhe Faik Konica.

Më lejoni t’Ju citoj:

“Njohësit e teatrit dhe të dramaturgjisë e dinë fare mirë se ashtu siç nuk ka shfaqje pa aktorë dhe regjisor (ë), nuk mund të ketë as pa kor, traditë kjo që i ka rrënjët në antikë dhe, natyrisht, as pa publik. Korin e përbëjnë gazetarët dhe analistët tanë të shumtë këndej dhe andej kufirit, të cilët janë shtuar si kërpudhat pas shiut në kohët e fundit, kurse publiku, publiku jemi ne, populli i thjeshtë, që rri në shtëpi, ha bukën e vet dhe mban gajlen e Qeverisë”.

Këto keshë për të shkruar i nderuar Prof. Agim Vinca.

I Juaji me besë,

Enver Kushi

Pargë, më 7 të vjeshtës së parë, të motit 2020

GazetaDita