Letra e Gjergj Fishtës për Vinçenc Prenushin: Ja arsyet e pakënaqësisë sime…

At Gjergj Fishta ka qenë një nga patriotët më të flaktë për çështjen kombëtare. Një personalitet i padiskutushëm i Shqipërisë. Poet, shkritmar, gjuhëtar, deputet, françeskan i devotë gjithë jetën e tij. Në një letër dërguar nga Parisi, Vinçenc Prenushit, jepet qëndrimi i patriotit Gjergj Fishta, rreth problemeve politike të viteve të fundit.

Në këtë letër ai shprehet:

Po të shkruaj italisht për t’ia lehtësuar detyrën censurës, nëse ajo do ta gjente të udhës të merrej me brendinë e kësaj letre.

Lajmi i gëzuar për rindërtimin e provincës sonë, si dhe zgjedhja e definitorit, ma ka mbushur zemrën me gëzim të patregueshëm. Uroj me gjithë zemër që t’u përgjigjeni detyrave që kisha, urdhri dhe atdheu presin prej jush dhe prej veprës suaj të disiplinuar.

Jam i sigurt që, qoftë provinciali i ri, qoftë etërit definatorë do të ndërmarrin me besim dhe energji zbatimin e detyrës së rëndë që, në kohë kaq kritike, urdhri ka pasur zgjuarsinë, t’ua vërë barrë atyre: dhe ky besim e kjo energji prej anës suaj janë për mua pengu i një të ardhmeje më të gëzuar të provincës sonë. Të lutem t’u paraqitësh edhe kolegëve të tu të tjerë urimet dhe përgëzimet që po bëj për rritjen e gradës sate dhe të tyre. Atë Pal Dodës do t’i shkruaj nesër.

Po më shkruan se të gjithë qytetarët e Shkodrës ia paskëshin vënë detyrë vetes të shkonin për të përcjellë gjeneralin Dë Furtu atë ditë që ai linte atë qytet. Do të isha kurioz të dija përse shkodranët e kanë parë të nevojshme t’i bëjnë një gjë të tillë brohoritje një të huaji, cilësitë e mira të të cilit ishin përherë të nënshtruara urdhrave eprore? Supozoj se e kanë bërë vetëm për njerëzi të thjeshtë.

Por më ka pëlqyer që qyteti i Shkodrës u ka bërë një pritje entuziaste dy ministrave të rinj të qeverisë shqiptare. Ishte mirë, bile e nevojshme, që Shkodra të deklaronte solemnisht përpara botës vullnetin e saj të ngulur për të qenë pjesë përbërëse e shtetit shqiptar. Sot nuk duhet t’u vihet mendja aq shumë personave sesa realitetit të gjërave. Sot është e nevojshme që në Shqipëri të ketë një qeveri: që të gjithë duhet ta njohim këtë qeveri dhe t’i durojmë njerëzit që e përbëjnë, qoftë të aftë ose të paaftë.

Në lidhje me formimin e qeverisë shqiptare, gazeta e madhe pariziene “Le Temps” në një shënim të vetin botonte në këto ditë se lëvizja e re politike në Shqipëri ishte e lidhur me lëvizjen kombëtare turke të Mustafa Qemalit. Natyrisht ky lajm do të jetë pallavër, ndoshta e qitur në qarkullim prej grekëve, të cilët shkojnë duke thënë se kryetari i qeverisë së re shqiptare, Sulejman Delvina, është një nënpunës turk dhe se tani gjendet me leje në Shqipëri; se një anëtar i po asaj qeverie është kryetari i klubit panislamik shqiptar, se kryetari i ri i gjendarmërisë apo milicisë shqiptare nuk di të flasë shqip dhe se qeveria e re ka qenë themeluar sidomos me veprën e ish-oficerëve turk e kështu me radhë…

Po ajo gazetë “Le Temps” botonte dje mbrëma, 15 prill, nr. 21444 lajmin interesant që vijon: ‘’Zoti Radoviç i ka deklaruar shtypit të Belgradit se zoti Pashiç, para se të linte Parisin, u kishte dorëzuar aleatëve një memorandum, me anë të të cilit qeveria e tij bënte të ditur që qyteti i Shkodrës dhe hinterland i tij ishin po aq të domosdoshëm për Jugosllavinë sa edhe Fiuma (Rijeka), meqënëse që të dy qytetet janë shfrimi i natyrshëm i këtyre vendeve në Adriatik, njëri për Veriun dhe tjetri për Jugun. Qeveria e Belgradit deklaronte pastaj se Jugosllavia nuk mund të hiqte dorë nga asnjëri prej këtyre vendeve. Nga ana e saj “Idea Nacionale” 14 prill, nr.90, botonte këtë lajm tjetër, që e nxirrte nga “Havas”: Studentëve universitarë të Zagrebit regjenti i Serbisë u ka dërguar përgjigje me adjutantin e vet që të mos u zënë besë zërave që përpiqen ta vënë qeverinë e Belgradit në dritë të rreme, sikur ajo dashka të heqë dorë nga Fiuma (Rijeka) dhe territor istrian midis Monte Maxharos dhe Voloskas, në këmbim të Shkodrës. Ne të gjithë kemi për zemër qoftë Fiumen qoftë Shkodrën. Askush nuk ka menduar ndonjëherë të flijojë njerin apo tjetrin qytet.

Trashëgimtari i fronit dhe qeveria bëjnë çdo gjë që ka mundësi njeriu për të shpëtuar si njërin, ashtu edhe tjetrin sepse që të dy paraqesin interesa jetësore për Jugosllavinë”

Kush i lexon këto gjëra, këto realitete të rënda, nuk mund të mos i vijë keq për naivitetin e disa atdhetarëve shqiptarë, qofshin edhe të mirë e të sinqertë, të cilët verbërisht u besojnë premtimeve boshe të agjentëve serbë, kështu edhe nuk mund të mos çuditet për disa festa të Shkodrës…

Më 5 mars kemi shkuar, imzoti, dr. Turtulli dhe unë, në Londër për të tërhequr vëmendjen e qeverisë dhe të popullit britanik në favor të çështjes sonë. Kemi biseduar me lordin Robert Sesil, me ministrin e Arsimit, me sekretarin e Llojd Xhorxhit dhe me deputetë të ndryshëm që janë në favor të Shqipërisë.

Megjithatë unë jam shumë pesimist për zgjidhjen përfundimtare të çështjes sonë. Kemi shumë armiq dhe ne nuk kemi kopetencën e duhur për t’ua ndryshuar fytyrën gjërave. Bile unë jam i mendimit se prania jonë në Paris i ka shkatëruar më shumë keq se mirë çështjes shqiptare, dhe kjo, jo vetëm për mungesë disipline nga ana jonë, por edhe për inferioritetin tonë intelektual përballë armiqve tanë. A mund ta përballojmë ne ballafaqimin me profesorët, doktorët dhe diplomatët sllavë e grekë? Është e kotë të gënjehemi.

Nëse përjashtohet Gurakuqi, që vetëm ai ka një kulturë të përshtatshme, ka një atdhetari të shëndoshë dhe një njohuri të gjerë për njerëzit dhe për sendet e Shqipërisë asnjë nga anëtarët e qeverisë, qoftë të asaj së mëparshmes, qoftë të së tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqipërinë dhe të mbrojë siç duhet interesat e saj.

Nga shkaku se nuk e flisja rrjedhshëm frëngjishtën, unë rrallë herë kam qenë i pranishëm ndër bisedimet e shqitparëve me përfaqësues e delegatë të huaj; por çdo herë që më është paraqitur rasti të jem i pranishëm, po të them të vërtetën se më është dashur të skuqesha për inferioritetin tonë. Si mund të pretendohet që njerëz, të cilat nuk zotërojnë veçse një kulturë të ngushtë dhe mentaliteti i të cilëve ka qenë përherë refraktar ndaj çdo ideje për Atdhe, të munden sot të përbëjnë një Atdhe të qytetëruar? Kanë idenë e qeverisë, por jo të Atdheut. Ideja që të formohet Shqipëria nuk ka rrjedhur tek ata nga një tërësi psikologjike, por nga detyrimi i rrethanave të jashtme, të cilat s’kanë të bëjnë aspak me Atdheun, as me qytetërimin, as me përparimin. Dhe, që të të siguroj për këtë që të shkruaj, mjafton të shikohet ideja që kanë për të administruar Shqipërinë duke e ndarë në kantone e kantone të priviligjuara, të shikohet fakti se zyrat dhe nënpunësit nuk shpërndahen sipas zotësisë dhe pregatitjes së individëve, por sipas bindjeve të tyre besimtare dhe sipas cilësisë dhe gradës së nënpunësve që kanë pasur nën qeveri të huaja për Shqipërinë etj. etj

Në Londër imzoti ka qenë ftuar nga vëllai i dukës së Norflokut, lordi Tablot, njeri me shumë influencë pranë qeverisë britanike dhe kryetar i partisë katolike të Anglisë, i cili ka premtuar mbështetjen e vet për çështjen shqiptare.

Përkrahësit më të zellshëm të çështjes sonë në Londër janë Mis Durham dhe koloneli Obri Erbert. Mis Durham përshëndet të gjithë fretërit që ka njohur në Shqipëri.

Si u kthyem nga Londra më 28 mars, na u desh sërish të niseshim për Londër më 5 prill, mbasi qemë ftuar në një banket të shtruar nga kryetari i një shoqërie të madhe filantropike, e cila ka mbledhur plot 40 milionë lira stërlina për t’u shkuar në ndihmë popujve që kanë vuajtur nga luftrat. Qemë pritur me njerëzinë më të madhe dhe aty kryetari i propozoi komitetit të Londrës të dhuronte një milion stërlina për të shkretën Shqipëri. Nuk e di të të them me saktësi nëse kjo shumë do t’i jepej ose jo Shqipërisë, sepse drejtimi i shoqërisë gjendet në Amerikë, por unë jam kthyer nga Londra me bindjen se këto të holla do të na jepen. Nëse i nënqesh ky fat Shqipërisë, duhet t’ia dimë për nder sidomos zotit Preka, vëlla i Ton Prekës dhe baba i Pjetër Prekës, kushërinj të A. Dedës, të cilët, më 1915, kanë kaluar nëpër Shkodër me oficerët anglezë, ai është përpjekur shumë për çështjen shqiptare.

Në muajin shkurt imzoti dhe unë kemi qenë në Brusel dhe pastaj në Malines, për t’i bërë vizitë kardinalit Mersie. Ai është një prelat që i bën nder jo vetëm Belgjikës, por mbarë kishës. U interesua shumë për çështjen tonë, por nuk e di sa do të mund të ndikojë për përfundimin e mirë të saj.

Nëse nuk zotërohen topa dhe miliona, me njerëzit e sotshëm nuk i dilet mbanë asgjëje. Më duket se i kam shkruar dikujt në Shqipëri për këtë udhëtim tonin në Bruksel. Sikundër ndoshta do të kesh dëgjuar, imzoti ka dhënë dorëheqjen si delegate pranë Konferencës së Paqes dhe pikërisht dje ka marrë njoftimi se dorëheqja e tij është pranuar. Dhe kështu do të nisemi sa më parë nga Parisi.

Ku ra fjala! E pata harruar. Urimet e mia më të gjalla e më të sinqerta për emërimin tënd si senator i shtetit shqiptar. Jam më se i sigurtë se ti do t’ia dalësh me nder këtij dinjiteti të ri. Por kam bndjen e plotë se, duke ditur natyrën e mjedisit ku ty do të të duhet të zhvillosh vepritmarinë tënde, rezlutatet kanë për të qenë mjaft të pakta , për të mos thënë asgjë. Në palestrën e qytetërimit e të përparimit po na dëgjojnë sa kohë që nuk na kuptojnë; sepse, pasi të na kenë kuptuar, nuk do gjejmë pastaj kush të na e vërë veshin. Sidoqoftë, ke bërë mirë që për tani, e ke pranuar këtë barrë.

Sipas pikëpamjes sime, sot që ka rrezik të zhduket jo vetëm pavarësia shqitare, por vetë kombi, detyra jonë kryesore është të shpëtohet më parë kombi dhe pastaj të mendohet për formimin politik të shtetit. Kam pasur bindje se Shqipëria nuk mund të formohej veçse me ndihmën e një fuqie të madhe të qytetëruar dhe se, pas zhdukjes së Austro-Hungarisë vetëm Italia ishte ajo që do të kishte pasur të gjithë interesin të formonte një Shqipëri mundësisht sa më të madhe;

Nga ana ime kam kujtuar një krim të vihesha kundër qeverisë italiane dhe t’i krijoja kështu një armik të ri atdheut tim. Për dashuri ndaj Shqipërisë unë kam mohuar çdo politikë sentimentalizmi, dhe vetë ku fakt duhej shikuar si një vepër atdhtarie të kulluar. Ju e dini mirë se çfarë ka ngjarë ndërmjet meje dhe italianëve para armëpushimit. Si është e mundur prandaj që françeskanë, të frymëzuar nga ndjenja atdhetarie, të mund të vënë në dyshim atdhetarinë time. Ti dhe unë, para armëpushimit, kishim kundërshtuar politikën e qeverisë italiane, jo sakt për urrejtje ndaj kombit Italian apo për servilizëm ndaj Austro-Hungarisë, por sepse ishim thellësisht të bindur se Shqipëia nuk i kishte elementët e nevojshme për t’u themeluar si shtet i pavarur dhe se monarkia austro-hungareze ishte më e përshtatshme për të drejtuar popullin shqiptar drejt qytetërimit dhe pavarësisë. Për të kritikuar prandaj qëndrimin tim të sotëm ndaj Italisë, do të duhej të provohej nëse gjatë vetëm një viti Shqipëria ka bërë një evolucion të tillë të madh sa të mos ketë nevojë për ndihmën e një fuqie të madhe, ose nëse Jugosllavia do me të vërtetë dhe, duke dashur me të vërtetë, mund ta themelojë shtetin shqiptar, në mos tjetër, Brenda kufijve të Konferencës së Londrës.

Tani, sipas meje, as njëra edhe as tjetra hipotezë nuk janë të pranueshme. Deklarata që kanë bërë jugosllavët në konferencë, në lidhje me Shqipërinë, ka qenë se kroatët që kanë interes të shpëtojnë Fiumen, sikundër shumë mirë mund të nxirret nga dy telegramet që unë citova më lart. Dhe ‘’Journal des Debats’’ dje mbrëma pranonte që ndërmjet Trumbiçit dhe Pashiçit kishte ndryshim pikëpamjesh. Unë nuk do të them që italianët do ta shpëtojnë, por them e pohoj se askush nuk do të mund ta humbasë Shqipërinë, pa pëlqimin e qeverisë italiane, kjo është teza ime dhe, mjerisht, faktet do të më japin të drejtë, transmeton konica.al.

Të ashtuquajturit nacionalistë shqiptarë e kanë hedhur poshtë formulën Shqipëria e ndihmën e Italisë, por ata nuk kanë mundur akoma të përcaktojnë një formulë tjetër politike që t’i zënë vendin e së parës. Të thuash se ne do ta formojmë Shqipërinë vetëm me forcat tona, është në mos tjetër, një marrëzi. Ja, prandaj, një nga arsyet e pakënaqësisë sime.

Arsyeja tjetër është lehtësia me të cilën letrat e mia lihen t’u bihen në dorë turqve. Ato letra kanë qenë lexuar deri në mbledhjet e Lushnjës, dhe prej atyre të sotmit Ptres Patriae (Etër të Atdheut)-Hoxhë Kadri e shokë-kanë nxjerrë si rrjedhim atentatin tim kundër Atdheut, duke më paditur si të shitur ndaj çështjes italiane.

Është e vërtetë se unë mund të jap arsye për të gjitha ato që kam shkruar në ato dy letra; por megjithatë nuk do të kisha dashur që ato letra të binin në dorë të muhaxherimëve dhe të hoxhallarëve të Shqipërsë. Nëse nuk është dashur t’u jepej peshë arsyeve të parashtruara në ato dy letra, së paku, për nderim ndaj personit tim, duhej të ruheshin më me kujdes ose, në mos tjetër të asgjesoheshin. Nuk ishin letra për të besuar guzhinierëve dhe sa kristanëve.

Mbrenda javës do të nisemi për në Romë dhe pastaj për Shqipëri. Mendoj të ndalem ndonjë ditë në Romë. Në rast se nuk do të kthehesha në Shqipëri, natyrisht do t’ju dërgoj lajmet e mia nga Roma.

Duket se gjenerali është kthyer në Romë. Nuk e di a do të jetë gjë e mirë, tani që provinca është rindërtuar, të ngul këmbë për vizitën e tij në Shqipëri. Procul a Jove, Tutas a fulmine(larg prej Jupiterit, ruaju prej rrufesë)

Përshëndet për mua të gjithë si vëllezërit dhe njerëzit e shtëpisë sate. Të përshëndet e të përqafon me gjithë zemër.

Paris, 15 prill 1920

AQSH i RPSH F. Gjergj Fishta D. Nr. 35

ObserverKult

—————————————-

Lexo edhe:

GJERGJ FISHTA DHE TIRANA KOMUNISTE, NGA KRIST MALOKI