Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”
Kjo letër prek një nga pikat më nevralgjike për kohën, kur në kulmin e vendosjes së regjimit komunist, dy personalitete në mërgim kërkojnë shkaqet pse Shqipëria nuk po arrinte të kishte shtet. Mustafa Kruja përmend një thënie të Patër Fishtës, por që për françeskanin duket e pabesueshme dhe mjaft radikale për kohën. Mustafa Kruja gjithë këtë panoramë ia tregon në letrën e `52-shit priftit françeskan, i cili ashtu si edhe në letra të tjera, bëhet një apoteozë historike në vështrimin jodiletant të historisë, por sigurisht duke mbetur në gjurmë subjektivizmi, pavarësisht nga objektiviteti. Kjo, për shkak se kemi të bëjmë thjesht me letërkëmbime personale dhe aspak me pretendime të shkrimit të historisë. Kështu, në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikoi kohë më parë disa letra të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Graz, me 2 nanduer 1956
Shum i dashtuni mik,
Nuk i u pergjegja mejherë kartës s’Ate prej Ujvares së Njagara, pse thojshem po marr per së shpejti edhe pergjegjen e letres qi Të pata dergue në Cannes.
Por pernjiherë po pergzohem me Tý, qi po paski mrrijtë shndosh e mirë në “vend të bekuem” si thoni Ju në kartë.
E si po jeni me shndet e me të gjitha? A po jeni kondend qi e lát me kohë Egjiptin e qi nuk u gjetët në ket luftë qi shperthei pá pritë atje? Nasser-i pat kenë kacagjelue pak si teper, e po drue se tash po rrzohet. Por per Egjipt nuk jam aq në kujdes, sá per Ungarez, qi po e kanë ngusht. Njiherë u duk as t’a kishin fitue daván njerzt e kundra-rivolucjonit. Tash natyrisht po kam frigë se Rusija po nderhŷn me tana fuqít në dispozicjon. E natyrisht nji Rusí e ka të lehtë me nenshtrue nji Ungarí të vogel. Po shohim. Po e bueren ata të shuem nacjonalista, at herë tash po kalojnë me mija e mija luftarët e lirís n’Austrí, sepse pjesen prendimore në kufî me Austrí e kanë krejt në dorë ata luftarët e liris. Dimni i a mbrrijti e as baraka nuk gjinden ashtû mejherë për ata të shuemët qi kalojn kufînin e dalin n’Austrí.
Këtu në Graz jemi perherë ata shqiptarët e perparshëm. Vetëm âsht shtue nji, qi ka hikë në gusht me tre shokë tjerë prej Jugoslavijet e ka dalë n’Austrí. Të katert jânë musulman prej Kukësit e më kanë thânë se jânë të katert djelm të mirë shumë e nacjonalista të vertetë. Ky qi ndodhet këtu më ka bâ pershtypje shumë të mirë. Ka gjetë punë këtu afër Grazit. Puna âsht mjaft e merzitshme, me thye gur mâ, por gjindet shumë kondend e fiton 1200 shilinga në muej. Nder kushte t’Austrís kjo âsht nji rrogë jo e keqe – 1200 shilinga janë kund 50 dollarë – , prandej ai burri i rí âsht kondend qi mejherë ka gjetë ket punë. Ai ka nji kushrî në New York e shpreson se per së shpejtit do të ketë nafakën me kalue në Dheun e Premtuem t’Amerikës.
Per sot njiherë po e lâm me kaq. Po ju pershndes me zemer si Jú si dhe djalin t’Uej dhe motren.
Me urimet mâ të perzemertat edhe per kohen e ardhshme!
I Jueji nga zemra
P. Margjokaj O.F.M.
544 Seventh Street
Niagara Falls, N, Y, 13-12-956
Eh, lum miku i dashun, këtu përnjimênd na qênka nji botë tjetër e nji jetë tjetër! Në terminologjinë bektashjane nuk duhet thânë diq por ndërroi jetë. Pra me ardhun në këtë dhé, qênka vërte si me ndërruem jetë, e me ndërruem jetë për së gjalli s’qênka fort punë e lëmuetë. Diça paske pasë dijtun ti qi s’kishe fé deshiri me ardhun e me jetuem këndej.
Me këtê mos kujto, veç, qi un i a nisa me u ankuem prej Ameriket. Jo, edhe un kam ardhun tue e njohun në theorí, dmth. me të ndieme e të këndueme, jetën e këtushme. Në praktikë ndryshon puna. Duhet me pasun durim deri qi të bâjë vêndi për vete. E kur të më bâjë mue vêndi për vete e dij mirfilli se këtu për të ndêjtun mâ s’kam, se mbas nja tre muejsh mosh’e ime rrafshohet te 70-t. Ishte dashun t’isha shumë mâ i rí. Por më ra lota në pleqní, e ksaj s’ke ç’i bân, mâ se ke ç’i bân dekës. Kam qênë mësuem me bâmë thjeshtë nji jetë tavoline, me ardhun kush e me më thânë “buka gati”, me pritun e me përsjellë miq, edhe kur s’kam pasun për ta veçse buk’e krypë. E këtu po më duhet me kryem zyrën e amvisës, tue të shkruem tý këtë letër me e pasun mênden edhe te nji gjâ tjetër, te nji punë shtëpije a pazarit. Se, djalin po se po, po edhe vajzën e kam në punë përjashta tue bâmë orët e zyrës së vet, se ndryshe këtu s’ecka jeta. Qe, por edhe shpërblimi qi i lanë të tâna këto ndryshime : jam në shtëpí t’eme me djalë e vajzë pranë qi më duen e m’adhurojnë e qi punojnë për vete edhe për mue, mbrâmen e kalojmë bashkë si e ku të na dojë shpirti! Jemi vetëm qyqe për Shqiptarë edhe për miq të huej gati. Se të huej, për mue, edhe me pasun sa deti, âsht si mos me pasun asnji ; mâ zi, se mërzitem e s’und merrem vesht me ta.
Pra, lum miku, letra të gjata si dikur e aqë të shpeshta nuk do të presësh mâ prej meje. Ke për t’i pasun rrallë e për mallë. Kjo qi po kam në dorë, mâ parë e mâ dalë do të të bjerë urimet e mija fort të përzêmërta për Kërshëndella e Mot të Ri. Së dyti âsht edhe përgjegjeja e dý letrave të tuja: me 13 korrik e 2 nânduer.
M’a ke lavduem ashtu si meriton përnjimênd Kërçikun. Âsht nji burrë qi, për dije e vetija, nderon veten, familjen, mikun edhe vêndin e kombin e vet.
Artikullin t’em qi paske kënduem në HD un s’e kam. Un kam nisun të shkruej ndër fletore e rivista shqiptare qyshë në 1912 e s’kam ruejtun kurrgjâ prej atyne shkrimeve, sidhe askush s’i ka përfillë me i zânë me gojë ndonji herë – posë Joklit nji herë të vetme më duket-. Ky i yti âsht nji argument i gjatë, qi e kemi rrahun bashkë edhe tjera herë. Por këtu më duhet me e trajtuem a sommi capi.
Pikë mâ së pari, nji herë mue më duket krejt gabim “me i interpretue të tâna punët e Balkanit e të Shqipnisë me tê prej anës fetare”, në qoftë se don me thânë punët politike.
E dyta, për me folë vetëm në qarkun e ngushtë t’onin, dmth. shqiptar, po të konfirmoj se un kam njohun myslimanë shqiptarë qi kanë dashun mâ fort vëllan’e gjakut se atê të fesë qi ka qênë i huej ; myslimanë qi kanë luftuem me gojë, me pêndë a me pushkë kundra zotnuesit tyrk për të drejtat e zakonet shqiptare ; po kështu ka pasun katholiq shqiptarë qi kanë dashun dhe duen mâ mirë Shqiptarin mysliman në krye të sundimit se nji të huej katholik ; e orthodoksa shqiptarë qi kanë parapëlqyem e parapëlqejnë nji Shqipní të lirë, nj’ashtu siç âsht me nji shumicë myslimane, se me i sunduem Greku, vëllau i fesë. Sa po thom këtu, âsht vetë evidenca historike aktuale. Ti e din se P. Gjergji i yt e i ynë të gjithe, ka shkruem se e keqja i erdh Shqipnisë “qyshse erdh pasha turçelí – edhe ipeshkvi jabanxhí”. Âsht e vërtetë se ti po e ke fjalën vetëm te myslimanët. Por pse mos me e përgjithsuem? Âsht mâ e drejtë kështu.
Por kujtoj se në nji pikë jemi të kuptuem : qi flasim për kategorin’e zgjedhun të Shqiptaret, jo për turmat. Se këto do t’i gjêjmë kudo e kurdo në rrugën e shtymsit (instinktit) ase t’atyne qi janë mâ të zott me i manovruem tue i prekun ndër telat mâ të ndieshëm simbas rasës. E ndër këta tela, ai i fesë ndoshta âsht mâ i ndieshëm se të gjithë tjerët, tue folë përgjithsisht. Kështu qi, sa për turmat, të lâna në krye të vet, këto kishin me ndjekun fenë mâ parë se kombsinë. Por ç’fé? Jo fenë authentike, ashtu si âsht përnjimend feja, cillado qoftë ; por ashtu si e ka kuptuem turma vetë, nji fé qi u përshtatet zakoneve të saja, dmth. si va ka përshtatun turma vetë këtyne, qofshin të mira a të këqija, të pajtueshme me fenë përnjimênd apo jo.
Un, n’artikullin t’em qi paske kënduem, s’kam sŷnuem Shqiptarë “me kulturë shumë të naltë”, as thjesht me kulturë, por Shqiptarë qi kishin çelë sŷtë në nji mënyrë a nji tjetër e ishin dalluem prej turmash, kishin dalë mbi to. Prej ksish ka pasun edhe djelmosha e burra të pjekun qi kanë mbetun ndër luftime patrijotike, qi janë kalbun nëpër burgje, qi kanë vuejtun në mënyra tjera. Sa përse nuk i njeh kush e s’ka kush nji fjalë të mirë, makare, për ta, nuk âsht faji i tyne.
Shëno se n’atë perjodë para – e mbastyrke për të cillën kam shkruem un në HD, Tirana ka qênë nji pjesë (distrikt, kazá, kajmekamllek) e qarkut (prefekturës) së Durrsit. Po qe se un paskam folë për “shqiptarë” (patrijota) të qarkut të Durrsit, shiko se ka edhe ndonji tjetër shkrim t’emin në kolekcjonin e HD, nji ase dy i mbaj mênd mirë, se kanë qênë polemikë me P. Marin Sirdanin shi rreth nji argumenti qi jemi tue rrahun. Ai akuzonte për tradhtorë disa Toptanas (jo Esatin, po tjerë) për disa fakte qi un i dijsha mâ së miri. Në qarkun e Durrsit, un kam folë për patrijotë qi kanë luftuem me pushkë kundra Tyrqisë në Fushë të Krujës, në qytet mbrênda, në Sarisalltik e në Milot; e kundra turmës së qarkut të vet në Rrashbull për Princin Wied. Nuk jam tue thânë e s’kam thânë se bânë namin, por dhanë prova se dojshin Shqipninë mâ fort se Tyrqinë. E kanë luftuem edhe kundra Esat Toptanit. Tue folë për këta patrijota, un s’kam dashun e nuk due aspak me i naltuem përmbi ata të krahinave tjera të Shqipnisë. Ku mâ shumë e ku mâ pak, patrijota ka pasun kudo në Shqipní. E duhet me pohuem edhe se kudo, myslimanë, orthodoksë apo katholiq, ofshe për kombin t’onë, kanë qênë nji pakicë e vogël. Âsht e kotë me shkuem mâ gjatë.
Ismail Kemali, nj’ashtu si e njoh un vetë qi e kam studjuem mjaft mirë jetën e tij, ka qênë nji patrijot i shquem. Ka mujtun me marrë pare prej nji Shteti a nji tjetri për me jetuem përjashta, jo ka mujtun, por ka marrë sigurisht. Këtë punë kemi mujtun me e kritikuem e madje me e quejtun shkandull e tradhtí dikur, kur ishim ende foshnje në politikë, në politikën shqiptare si edhe të botës tjetër e kur ishim ende krejt esull në historí; por jo në këtë moshë e mbas sa bijografishë të famshme qi kemi kënduem. Të kishte lakmuem pare Ismail Vlora, ato i kishte pranë Sulltan Hamidit me grusht pa hjekun keq me i kërkuem ngjeti. Sa për Turkhan Pashën, dij vetëm se ka dekun në miseria e s’ka pretenduem as ai vetë as tjetërkush për tê patrijotizëm kurrë.
Fjalët qi nuk shkruhen thjesht për historí – e për historí të vërtetë dhe jo për libra shkollash- duhet me i marrë e gjykuem simbas rrethanash ndër të cillat janë shkruem e simbas qëllimit të shkruesit. Kështu pra do të merren artikujt e gazetave a të rivistavet. Tue folë pra parimisht e ndërmjet nesh, edhe un si ti, kurrë s’e kam quejtun patrijotizmën mâ të naltin vërtyt njerëzuer. Po t’a pohoj këtu nj’ashtu si po më vjen e si po e ndiej mendimin t’em mbi mâ të naltin vërtyt njerëzuer: âsht gatshmënija për çdo flí qi mund t’i shërbejë njâj së mire njerzore. Nuk dij a âsht nji përcaktim i qartë. Këtu adjektivi njerzuer duhet marrë në kuptimin e njeriut si dhe të njerzet e të njerzisë mbarë. Zbatimi efektiv i dashunisë së krishtênë (carità cristiana) deri në vetmohim të plotë, ndoshta do të kishte të njâjtin kuptim. Por andej un s’kam pse prek me tý.
Me sá më resulton mue nga këndimet e mija, të tâna fetë monotheiste kanë të njâjtin qëndrim kundrejt kombsisë e pra edhe atdheut. Prandej âsht kot me bâmë dallime. Çdo fé qi njeh nji Zot të vetëm, të tânë njerzit qi adhurojnë atë Zot do t’i quejë vllazën e s’ka si i dallon mbas gjuhës qi flasin e zakonesh qi kanë. E anasjelltas, nuk po thom feja, por besimtarët e njâj feje, cilado qoftë, njohin për vllazën shoshoqin, por jo ata të feve tjera. Shkurt, besimet synojnë dashunimin vllaznuer universal, jo dasitë kombtare, kanë për qëllim naltimin qielluer të njerëzisë mbarë, jo mizerjet toksore të krijueme prej zhvillimit të shoqnisë.
Prej libravet qi më ke lypun, Gjorgjeviqin shqip kam uzdajë, madje jam i sigurtë se kam me e gjetun për vete edhe për tý. Kur kam pasë botuem në Zadër atë përkthim i kam pasë dërguem këtu nja 500 copë hajsmi për me i shitun. S’kam marrë asnji pare e, si po e sheh, edhe vetë kam mbetun pa asnji copë. Njeriu qi i ka pasë marrë për me i shitun, faleminderës Zotit për tê, âsht ende gjallë. Kam shkëmbyem me tê edhe të fala e nji letër, por pun’e libravet ka mbetun pezull. Ai zotní banon andej afër Washingtonit, pra nja 12 orë larg prej meje. Shpresoj me dalë andej kah prendvera. Atë librin e dokumentavet i a kam pasë dërguem nji shoqi n’Italí për nji konsultim. Ai tash gjindet në këtë dhé si un e nji ditë do të m’a kthejë sigurisht. Por kam, kur të më jetë kthyem, vetëm nj’atë kopje e s’kam ku gjêj tjetër. Të Lumo Skendo-s s’kam pasun kurrë asnji libër në mërgim. E nuk e dij kush të paska bâmë fjalë për tê, se un jo.
E qe se s’mbet vênd mâ për tjetër. Prandej po t’a shtrij dorën përmbi oqean e të them tu mirë mbetsh me gjithë të mirat.
Mustafa
Graz, me 18 kallnduer 1957
Shum i dashuni Mik,
Më kënaqi sa s’ka letra e Jote, qi e mora me 19 dhetuer. Kúr pate zbritë në fillim n’Amerikë, më pate shkrue nji kartë nga “Toka e Premtueme”. Natyrisht Amerika e bân njerin per vedi, kúr të ketë kalue shumë vjet atje. Per né, qi jemi kenë mësue me jetën patriarkale t’onen, por edhe per Europjan të para-luftës âsht pernjimend si me ndrrue jetë e shkuemja n’ Amerikë. Por tashmâ jeta amerikane âsht tue bâ per vedi edhe Europjanin qi rrin n’Europë. Nuk mendohet mâ tash vetem se me fitue e sá mâ shumë, e me gzue, e me gzue sa mâ shumë. Jeta familjare, si e kuptojshim na “Primitivët” nuk egziton per ket njerin modern të sotshem. Seicilli do të rrijë në zyre apor në punë, per të fitue jetesën. Un n’Amerikë veç në më tokoftë me ardhë sá per ndonji kohë të shkurtë, se nuk më terhjekë fort. Sá me pá nji herë grattacieli-t e Amerikës, ndoshta âsht interesant, por tashmâ edhe Europjanët po i imitojnë Amerikant me ndertimin e grattacielavet. E mâ muzhika e “bukur” amerikane “jazz” po i entuzjazmon edhe Europjanët majmuna.
Sido qoftë un gzohem sa s’ka qi po keni mundsín me e kalue gjysen e dytë të jetës s’Uej n’Amerikë pá kujdese të mdhaja, mbasi djali e vajza po punojnë si per vedi ashtu per Jú. Tjerë qi po shkojnë n’ Amerikë, po ankohen boll e nuk po u del ashtu nji parriz toket, qi kanë pasë kujtue para se t’emigrojshin atje.
Un gjindem shndosh e mirë në ket Europën plakë. Me punë po shtŷj si po mundem.
Nuk keni nevojë me u kujdesë per librin e Gjorgjeviqit, sepse e kam gjetë këtû e e kam blé per 12 shilinga (gjysë dollarit) në gjuhen gjermanishte, taman në gjuhen origjinale në të cillen e pat shkrue Gjorgjeviqi.
Të falem nderës per tfillime qi më dhaet me letren relativisht të gjatë qi më derguet.
Tashti nji pyetje. A âsht Aqif Pashë Permeti e Aqif Pashë Elbasani e njajta personë apo jo? Mue më duket se âsht e njajta personë, por e kam gjetë dikund herë njanin, herë tjetrin êmen. Cilli âsht êmni i vertetë i tij?
Edhe nji gjâ tjeter. A mundeni Ju me më diftue êmnat e patriotëve mâ të shquet shqiptarë qi i kanë perkitë besimit bektashjan? A âsht edhe Zogu i besimit bektashjan apor âsht Sunnit? Frasherjotët e dij se ishin Bektashjanë, gjithashtu po këndoj se Ismail Qemali po paska kenë bektashjan e edhe Aqif Permeti apo Elbasani. Edhe per Jú më duket se kam ndie se i perkitni po të njajtit bektashizëm. Kishe me dashtë me dijtë edhe per patriotë të tjerë shqiptarë në se i perkitshin apo jo të njajtit besim.
Pyetje tjera nuk po Ju bâj, pse nuk due me Ju qitë punë. Shpresoj se mbrenda vjetit vazhdues tash më shkrueni njiherë e tash m’i pergjegjni letres së sotshme.
Nderkaq po Ju uroj me zemer 70-vjetorin e jetës qi per së shpejtit po Ju mbrrijtka, si më shkrueni vetë në leter. Me shndet të plotë e me njimî të mira i pritsh edhe 70 vjetë tjera në parrizin amerikan, në të cillin porsá ké hŷm.
Po më bjen nder mend edhe dishka qi gati e pata harrue. Ajo fotografija e Juej qi më keni pasë dergue njiherë, më ka hupë dikund e nuk mund e gjêj mâ. Prandej të keni mirsín me më dergue nji fotografí tjeter t’ Uejen të bâme me rasen e 70-vjetorit. Ajo e dergueme aso here ka pasë kenë shumë e bukur e shpresoj se e keni edhe nji copë.
Po të delte tash L’ALBANIE LIBRE, kishte me mujtë me shkrue ndoj gjâ per 70-vjetorin t’ Uej. Por edhe kjo gazetë po del kúr t’i teket, pse po i mungojn fondet.
Persrí po Ju dergoj urimet e mija mâ të perzemertat per mbushjen e 70-vjetorit si dhe shndet e të mira per kohen e ardhshme, e cilla dishroj qi të zgjatet sá mâ fort.
Shum shndet e urime djalit e vajzës e motrës.
I Jueji me zemer
P. Margjokaj O.F.M.
N.F., 14 Prill 1957
I dashuni mik,
Më ke shkruem me 18 kallnduer e më ke thânë n’atë letër edhe qe-këto fjalë: “Shpresoj se mbrenda vjetit vazhdues tash më shkrueni nji herë e tash m’i përgjegjni letrës së sotshme”. Pra paske menduem atëherë se un do të pritsha Kërshëndellat për me t’u përgjegjun! Kështu qi tue e marrë përgjegjen në krye të tre muejve, vetëm se do të gzohesh mâ fort. Besa. lum miku, me këtë “gjysë moshe” qi kam, mâ të rijt se un do të mendohen nji fije para se me më vûmë faj, sikur edhe nji herë në vjetë me u shkruem e jo fort gjatë.
Mënyra e urimit t’ând për 70 vjett e mija âsht me të vertetë nji kryevepër styli, nji finecë e pashoqe kisha me thânë, sido qi të jetë, pa dyshim, origjinale. Un të falem nderës pa masë. Vetë i lutem Zotit shpesh vetëm për nji gjâ për sa i përket ksaj pike: me ma marrë shpirtin në çdo ças qi të jetë vullnet’ i Tij, veçse pa më bâmë me lënguem. Kjo âsht mëshrira qi I lyp për veten t’eme. Edhe këtê po Vetë Ai e ka në dorë, si çdo gjâ tjetër e le të bâjë si të detë.
Pjesa e parë e letrës s’ate qi flet mbi amerikanizmën, nëse mund t’a quejmë kështu modernizmën e sodshme, âsht si me t’a pasë diktatun un. E më ka kënaqun. Në se un bâna çmos për me ardhun në këtë vênd, të cillit i jam mirënjohës me tânë zêmrën t’eme qi më pranoi, në se e kam quejtun e e quej “Toka e Premtueme e refugjatet antikomunista”, âsht për arsyena shumë e shumë mâ të forta se ato qi brezit t’em edhe t’ândit va bâjnë antipathik. Evropa e pat, lum miku, ajo s’âsht mâ tjetër, veçse e kaluemja e njerzisë qi ka krijuem gjithça shkëlqen mâ së miri e mâ së bukuri në botë. Problema vigane qi na mban sod pezull ndërmjet mënderës e shpresës âsht nji tjetër: cilli kontinent tjetër, Asija barbare apo Amerika e qytetnueme, ndonse me nji qytetní mjaft të ndryshueme prej si ka qênë, po e merr trashigimin e saj për të ardhëshmen imediate? Gjasët mâ të fortat un i shoh në kët anë, ndoshta pse kështu m’a ka ânda; por askush nuk mund t’a thotë me sigurí, madje as me nji përqindje qi e kalon fort nalt gjymsën. E në qoftë, mbasandej, se ky trashigim do të fitohet nëpër nji luftë nukleare, merre me mênd atbotë se ç’farë trashigimi ka me qênë.
Ka nji pakicë relative gjindsh qi, si po shkruen ti, vijnë këtu e nuk mbesin të kënaqun. Shumica e ksaj pakice ndo janë përtaca ndo mêndemëdhoj. Rrallë ke me gjetun njeri prej nji kategorije të tretë qi të gjêj arsye me u ankuem. Po të flas për vete: un mërzitem mjaft ; se Zoti më ka falë shëndet e fuqí e mund t’a bâj ndonji punë për me fituem diça e me i ndihmuem nemose familjes s’eme sa duhet, mbasi këtu për mue po kam dy qi punojnë. E çfarë pune mund të bâj un këtu? Un mund të mësoj shqip, tyrqisht, italisht e frëngjisht. Asnji prej këtyne katër dyere s’po më çilet, se s’ka si më çilet mbasi s’e kam në dorë çelsin qi kishte me m’a çelë cillen do qi të lakmoj: nuk e dij gjuhën anglishte! E si kam me i a spjeguem Amerikanit gjuhën e huej qi dij un? Po e lâmë mësuesinë. Por çdo punë shum’a pak intelektuale nuk mund të bâhet pa anglishten, gjuhën e vêndit. Mund të bâhen vetëm punë krahu ndër fabrika. E mue për kso punësh s’më mjafton vërtyti e kisha me ramë i sëmûtë mbrênda pak ditsh. Prashtu, mbasi due me bâmë diça e nuk mundem, un mërzitem. Por faj s’më ka kurrkush e prandej s’kam të drejtë me i u ankuem askuj. Po grîhem vetë me vete tue u munduem me nxânë anglishten. E si t’a kemë nxânë me e folë e me e marrë vesht disi mirë, atëherë shoh e bâj.
70-vjetoren s’kam mujtun me e kremtuem aspak, se Shoqnija elektro-qemike Hooker, ku më punon djali, m’a ka grabitun këtë e dërguem në Michigan me nji misjon teknik të përkohshëm e pa qênë të tre bashkë këtu s’kisha si me e kremtuem. E tashmâ, mbasi nuk u bâ me kohë, i shkoi shija. Por fotografinë do t’a nxjerrë sa të më kthehet im bir e do të t’a dërgoj nji pa fjalë. Si ajo qi paske hupun s’kam mâ. Tash po gërmoj e bubërroj pale a mund të gjêj n’arqivat e mija nji format pasaportit po t’asaj qi dishiron.
E po vijmë tash ke pyetjet.
Aqif (Pashë) Elbasani e Aqif Përmeti janë dý persona qi s’kanë asnji lidhje njâni me tjetrin. Sikurse e thotë mbiemni vetë, i pari âsht prej Elbasani e tjetri nga Përmeti. I pari ka qênë pashë civil i mbretnisë othomane e i dyti pat mbërrîmë në të parën gradë t’ oficerit gjeneral në Shqipní. I pari ka qênë edhe ministër i mbrêndshëm nën kabinetin e parë të Tur(k)han Pashës (në kohën e Princ Wiedit). Pasha civil i Tyrqisë ka qênë nji pashë në shtëpí të vet pa kurrfarë zyre, si baroni, konti et. në Evropë, edhe kishte grada të ndryshme si këta, por titulli ishte gjithmonë pashë. Ka qênë patrijot, bektashí i fortë e trim. Kushrî i parë prej nanet i Esat Toptanit, por kundrështar i tij. Gjeneral Aqifin nuk e njoh, due me thânë s’e kam njohun me rrânjë. Nuk di se si ka qênë bâmë oficer. Ka qênë, me sa dij un, nji emigrant këtu ndër Shtetet e Bashkueme. Kur u kthye në Shqipní e si hyni n’ushtrinë apo në gjindarmërinë shqiptare nuk dij. Më duket se në 39 Italija e gjet kolonel e e bâni gjeneral. Në mos u gabofsha, e kanë mbytun komunistat. Aqifi i Elbasanit ka dekun edhe ai. Mund të ketë qênë nja 20 vjet mâ i motshëm se un. Kurse tjetri, ndoshta, nja 5 vjet mâ i ri ase sa un. Të dy dijshin me e mbajtun pêndën në dorë, por të dy kanë qênë injoranta. Harrova me të thânë se Aqif Elbasani (kështu nënshkruhej) pat marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes dhe emnuem prej këtij nji ndër katër regjentat e atëhershëm, ndërsa Ahmet Zogu qe emnuem ministër i mbrêndshëm. Ai ka qênë kundrështar i rreptë dhe i këtij.
Do të mundohem me t’a përgatitun nji listë bektashijsh patrijotë të vjetër me hetimet qi mund të bâj prej të tjerësh, se un vetë s’kam qênë bektashí e nuk mund të pohoj gjâ me të saktë.
Po të bâj nji kompliment pak si vonë për nënshkrimin t’ând : për drejtor banket e ke!
T’im bir, Bashkimin, m’a ka larguem puna e tij për do kohë. Motrën e kam këtu e me gjithë tê të falemi me shëndet fort miqsisht.
MKruja
S. Këtu, prej djalit, jam mâ i njohun si Merlika se si Kruja./(voal.ch)