Leximi i poezisë “Identiteti” të Ilire Zajmit

ilire zajmi


Nga Entela Tabaku

Kam kartë identiteti me gabim shtypi
Pasaportë të udhëtoj në pak vende të botës
Vendlindja ime ka dy emra
Më thonë shqiptar etnik në një shoqëri multietnike
Qeverisem nga një bandë horrash e politikë injorante
Marr pagë nga buxheti i konsoliduar i Kosovës
Kam të hapur llogari bankare në një bankë amerikane
Babai im merr 70 euro pension
Nëna ime arsimtare më shumë bën grevë sesa punon
Motra ime ra në dashuri me një irlandez
Vëllai im proteston për një universitet ndryshe
Fqinjët e mi shpresojnë se djali i tyre është ‘dek’ a gjallë diku në Serbi
Anna Ahmatova, më thuaj si ta deshifroj identitetin
Unë jetoj në qytetin gjysmëmilionësh
Në Kosovën që e zhgënjeu ëndrra e pavarësisë
Pi espresso të lira me miqtë e mi
Shkruaj sms e bëj dashuri virtuale
Jetoj në vendin me status të padefinuar politik
Ku dikush thotë se ka pasur luftë
E ca të tjerë thonë se ishte vetëm konflikt

(Ilire Zajmi: Identiteti)

Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)

Rastësisht më ndodh ta kem në dorë këtë poezi, njëkohësisht që telefoni im po bie copë nga lajmërimet e një diskutimi ku jam përfshirë në facebook, në një nga ato grupet që ne mërgimtarëve na zëvendësojnë klubin në mëmëdhe, ku shkrimtarët mblidhen për të diskutuar. Njëri nga ne pyet grupin “Çfarë e bën të mirë një poezi për ty?” dhe përgjigjet vlojnë. Janë të gjithë emra me penë të mprehtë. Brenda një ore ka përkufizime nga më të mirat, të tilla që më vjen keq që grupi nuk e ka një sekretar për t’i mbledhur e botuar diku. Kriteri, ngulmon kryeneçi që shtroi pyetjen, cili është kriteri? A ka një kriter objektiv? Apo të gjitha kriteret janë subjektive?
Çfarë është një poezi e mirë? Kjo më rikthen te një pyetje më e vjetër se unë, çfarë është poezia? A është poezi kjo që po lexoj? Po të mos ishte e thyer në vargje, a do të ishte prapë poezi? Çfarë është gjuha poetike? A ekziston poezia pa figura letrare? Çfarë janë figurat letrare?
Dhe mandej, pse vallë më pëlqen aq sa ta plotësojë menjëherë kriterin tim të përhershëm: shtysa për ta rilexuar.
Ky lexim e di se do të jetë që në fillim një diskutim më i madh se kjo poezi. Takimi me poezinë është gjithnjë i tillë. Nuk ka rëndësi kush e ka shkruar dhe përse dhe si, takimi me poezinë varet në kush është lexuesi, në kontekstin në të cilin ndodhet. Tashti fati i kësaj poezie ishte të vinte tek unë, në mes të një diskutimi mbi poezinë. Athua do ta lexoja ndryshe po të isha e ulur në një lëndinë në pranverë, me kryet e mbështetur në supin e të dashtunit? Ndoshta.
Vargjet e bëjnë poezinë, ky është një kriter i padyshimtë. Forma dërgon sinjale të qarta. Proza mund të jetë poetike, në kuptimin që na përmbush pritshmëritë poetike të poezisë, psh, por nuk është poezi. Nga ana tjetër, një poezi mund të na përmbushë pritshmëri prozaike të prozës, por nuk është prozë sepse e shkruar në vargje. Duke e shtyrë arsyetimin më tej, një vepër e shkruar në shqip, edhe pse trajton tema të Italisë, është megjithatë letërsi shqiptare. Ashtu si nje vepër e shkruar në italisht, edhe pse trajton tema të Shqipërisë, është letërsi italiane.
Edhe gjuha poetike është një kriter. Poetike në kuptimin “e veçantë, e përzgjedhur”, apo gjuha poetike në kuptimin gjuha faktike e poezisë? A e lidhim shprehjen “gjuhë poetike” me pritshmëri të përzgjedhura që vetëm të përzgjedhurit e poezisë mund t’i trajtojnë? Edhe këtu ka qëndrime të ndryshme: Në njërin ekstrem qëndrojnë ata që e konsiderojnë poezinë diçka që dukshëm (dmth jo vetëm për hir të vargjeve) duhet te dallojë nga diskursi i përditshëm, përndryshe ç’u pa puna? Ku është poezia nëse fjalët që e përbëjnë janë fjalët e së përditshmes? Ku është poezia nëse nuk të bie të fikët në gjysmë të vargut? A mos është art banania me letër ngjitëse në mur?
Në ekstremin tjetër qëndrojnë ata që mendojnë se poezinë e bën përjetimi i lexuesit. Se nuk ka rëndësi nëse poeti përdor diskurs të përditshëm, apo fjalë të përzgjedhura në kushedi cilin fjalor të mykur poetik. Rëndësi ka emocioni, përjetimi, përthellimi, përthekimi që ndodh në lexuesin. Marrja e bananes nga tezga e tregut dhe ngjitja në mur para syve të kundruesit si një akt artistik. Unë u përkas të dytëve pa dyshim, edhe pse jo në ekstrem.
Të dyja palët e poezive, si të përzgjedhurat, si të thjeshtat, mund ta lënë lexuesin pa asnjë emocion. Lexon poezi me fjalë të përzgjedhura zgjedhë mbas zgjedhe, që vetëm ta lidhin nyjë përjetimin. Lexon mandej poezi me fjalë të mbledhura në rradhën e djathit dhe të kap gazi. Por hajt, më mirë që shkruajnë poezi se të kacafyten me ata që hyjnë pa rradhë. Por nga ana tjetër edhe poezia e mirë mundet t’i japë emocione një lexuesi, por jo një tjetri. Atëherë çfarë?
Lexoje tashti, të lutem, edhe një herë këtë poezi!

Leximi i dytë (leximi i teknikës)
Ti me siguri e ke vënë re se kjo është ndër ato poezitë që luan në planin e përditshmërisë. Fjalori është marrë nga një diskurs aspak poetik, në kuptimin që i japin kësaj fjale ata të grupit të parë të sipërmendur. Psh pagë, llogari bankare, espresso, sms. Ku poezia këtu? Ma merr mendja se mbrojtësit e poezisë “së vërtetë” janë mbyllur qysh tash në qoshe të mbrojtura. Për më tepër ritmi nuk është poetik. Thyerja e vargjeve psh i ngjan një liste të një pamfleti të hartuar në nxitim e sipër. Ku është ajo thyerja e papritur e vargut që të lë pa frymë, apo thyerja ritmike që të lë pa fjalë?
Por në leximin e dytë duhet ta kesh vënë re se kjo platforma e rrafshtë e përditshmërisë është si dhogë e vendosur mbi një cilindër. Lexuesi qëndron mbi të si adoleshentët që luajnë lojën e drejtpeshimit. Hapi krahët dhe mbahu vetë se fjalët nuk kanë me të mbajtë, se disa janë dhoga dhe disa janë cilindër. Më ndiq tashti:
Karta e identitetit është dërrasë e rrafshtë kuptimisht, ajo tregon kush jemi, si quhemi, ku dhe kur kemi lindur. Tashti mendoje me gabime shtypi. Ajo kartë që tregon kush jam mban gabime shtypi që shkojnë drejt e në qenien time. Nëse unë jam ajo që shkruhet, atëherë unë jam gabimi i shtypit. Pra karta është dhoga dhe gabimet cilindri. A e ndien si po përpiqesh të mbash drejtpeshimin që të mos biesh?
Pasaporta, dokumenti që të lejon të dalësh jashtë shtetit. Vendose tashti mbi cilindrin e kufizimeve në udhëtim në pak vende të botës.
Tashti ti me siguri e sheh qartë lojën e paradokseve, e mbajtur gjithmonë në një nivel të kujdesshëm balancimi. Mua më pëlqen shumë ky varg:
Fqinjët e mi shpresojnë se djali i tyre është ‘dek’ a gjallë diku në Serbi
sepse është ndër ato strukturat dyshe, dhogë mbi cilindër mbi dhogë mbi cilindër, që vetëm akrobatët e zotë i provojnë. Së pari kemi “fqinjët” (dhoga) që përcaktojnë një entitet shumë të afërt në hapësirë përkundrejt “diku në Serbi” (cilindri), një vend tjetër në hapësirë. Krahasoje psh po të ishte “miqtë e mi shpresojnë se djali i tyre është ‘dek’ a gjallë diku në Serbi”, pamundësia në hapësirë ia shton intensitetin lëkundjes në cilindër. Në qendër të vargut “shpresojnë se djali i tyre është ‘dek’ a gjallë” shkund emocionalisht një tjetër strukturë cilindrore: nga njëra anë “shpresojnë” (dhoga) e vendosur mbi një dallgë cilindrore “se djali i tyre është ‘dek’ a gjallë”. Ajo që fqinjët druajnë është se djali u është zhdukur pa nam e nishan. Ata nuk shpresojnë se është gjallë, që do të ishte një dhogë kuptimisht e qëndrueshme, e dhimbshme por stabile. Por ata shpresojnë që ai është diku, dek a gjallë. Ngarkesën emocionale të këtij vargu nuk mund ta balancojë asgjë.
Një tjetër varg interesant nga perspektiva e teknikës është:
Anna Ahmatova, më thuaj si ta deshifroj identitetin
Poetja ruse Anna Ahmatova, e thirrur si dëshmitare në këtë kontekst është cilindri mbi të cilin poetja vendos dhogën e identiteti. Pse cilindër Anna Ahmatova? Sepse ajo është një poete që mban në vetvete shumë paradokse. Psh është poetja që i rezistoi me poezinë e saj zhbërjes komuniste, por është edhe ajo që botoi lavde për Stalinin. Është poetja që, edhe pse u censurua dhe iu “mbyll goja” nga regjimi, nuk pranoi të ikte nga viset ku flitej gjuha e poezisë së saj, zjarri dhe uji. Këto janë asosacionet që më zgjon mua, por me siguri ty të jep asosacione të tjera, ndoshta vargje nga poezia e saj apo nga jeta private.
Teknika e kësaj poezie i ngjan pra një loje ekuilibruese që ia tund tokën nën këmbë lexuesit.
Për mua është loja, loja e fjalëve, e kuptimeve, e emocioneve, e ritmeve, e ngjyrimeve, loja estetike, një karakteristikë qenësore e poezisë së mirë. Është kjo që e bën poezi, për dallim nga diskursi i së përditshmes. Se banania nuk ka nevojë me qenë e pikturuar si natyrë e qetë që të konsiderohet art. Ashtu siç jo çdo banane në treg është art. Dhe këtë lojë të teknikës di ta luajë vetëm talenti.

Leximi i tretë (leximi i mendimit)

Ana e fortë e poezive të angazhuara politikisht është se e shtyjnë lexuesin të zgjedhë anë, të revoltohet, të mbajë qëndrim, të ballafaqohet me realitetin. Ia shkund puplat e ngrohta dhe e lë lakuriq me atë që po i ndodh përreth. Poezia në këtë mënyrë shndërrohet në një pincë që ia kthen kryet lexuesit andej nga do vetë. Prandaj kjo lloj poezie kërkon poetë me “duar” të fuqishme që i qëndrojnë përpjekjes që lexuesi bën instiktivisht për t’u çliruar nga shtrëngimi. Ç’po ndodh kështu me ne shqiptarët? Ndërtojmë shtete që nuk janë shtete, me administratë jofunksionale (gabim shtypi), korrupsion (bandë horrash), varfëri (70 euro pension), ekonomi jo stabile, papunësi, krime që nuk ndëshkohen, të rinj që mezi presin të ikin jashtë me dashuri a pa dashuri, sistem arsimor që nuk ia ke besën, etj. Zhgënjimi e mban poezinë në grusht. Pjesa e parë është gati indiferente në transmetimin e këtij zhgënjimi. Siç jemi zakonisht të gjithë ne. E kalojmë ditën duke bërë listën e sendeve që nuk shkojnë. Si Kosova e zhgënjyer që pi espresso të lira me miqtë, kafe llafe.
Por në tri vargjet e fundit lista ia lë vendin shpalljes:
Jetoj në vendin me status të padefinuar politik
Ku dikush thotë se ka pasur luftë
E ca të tjerë thonë se ishte vetëm konflikt
Kjo, i dashtun lexues, është tragjedia më e madhe e popullit tonë. Mosnjohja, harresa, mohimi i historisë. Mosmësimi nga ajo çfarë ka ndodhur. Këtu jam unë, thotë poetja, në një vend që nuk e njeh si shtet gjysma e botës dhe ti ende më diskuton në ishte luftë a konflikt???

Leximi i katërt (leximi i vetvetes)

Baaah! Asgja nuk m’i çon nervat ma shumë se pasiviteti i popullit tem. Rend, rend e u thuej, se serbi e turku e kanë kollaj me u kthy./ ObserverKult