Alketa Gashi Fazliu vjen me trilogjinë “Ato gdhendin dhimbjen, 15 rrëfime të nënave zemërshpuara“
Nga Aleksandër Çipa
Ky libër vjen me dëshmitë autentike duke qenë krejt i ngarkuar e frymëafshtë prej mallit, krenarisë, dhimbjes munguese dhe sidomos lëngatës së fisme mëmësore.
Ky libër është “i mbathur” me jehonë të ardhme të padiskutueshme dhe për të hyrë nëpër kohë të ardhme me imponimin e së vërtetës monumentale që skalit shpirti i nënave që rrëfejnë.
Autorja e librit është gazetare dhe poete sqimatare, me një konsistencë të shpallur ndaj vlerës morale dhe specifikës ndërgjegjësore të martirizimit shqiptar në Kosovë.
Alketa Gashi në këtë libër, ka gjetur formën autentike të respektimit të rrëfimtareve për të mishëruar verbalisht atë realitet heroik nëpër të cilin kaloi sprovat ekzistenciale Kosova, njerëzit e saj por vetiakisht ato dhe familjet e tyre..
Autorja, duke sjellë këto rrëfime, duke i mbajtur në gjuhën idiomatike dhe dialektore, duke respektuar, deri edhe diftongjet në procesin ligjërimor dhe dialogues para kamerës së saj, rënkimet dhe lëngatën fisnike, ia ka dalë të ofrojë një artefakt tronditës për opinionin publik kombëtar dhe atë ndërkombëtar.
Ky publikim vjen jo thjesht në kontekst të një përvjetori, por si akt kompensues në një moment kur mjegulla publike ka mjegulluar të vërtetën tragjike historike shqiptare në Kosovë.
Shoqëria shqiptare në përgjithësi është aktualisht në një moment të shpërfilljes së kujtesës së vet ndaj së shkuarës së afërt.
Kjo shpërfillje mbart pasoja dramatike: Ajo, së pari, ftoh shpirtin kombëtar të shoqërisë e njëherësh lëndon plagët e freskëta të rrëfimtareve tona heroina.
Kjo harresë, kjo shpërfillje është një ftohtësi e pahijshme për një popull me aq martiritet dhe për një shoqëri me kaq shumë pengesa të tjerësh.
Libri “Ato gdhendin dhimbjen” është pikërisht një libër i tërheqjes së vëmendjes dhe i shkundjes së ndërgjegjes sonë kolektive për të mos rënë dhe ecur më tej në fatkeqësinë e pengimit të vetvetes përmes harrimit dhe kapërcimit të dhimbjes.
Ky është një libër që grish për nderim dhe krenari të urtësishme, shqiptarët.
Trilogjia pasurohet edhe me filmin dokumentar dhe ekspozitën!
ObserverKult
Lexo edhe:
“PIKË”, LIBRI MË I RI ME POEZI NGA ALKETA GASHI FAZLIU
Shkrimtarja e gazetarja Alketa Gashi Fazliu ka nxjerrë nga shtypi librin e saj me poezi titulluar “Pikë”.
Pikërisht në ditën e hapjes së Panairit të Librit në Prishtinë, nga Shtëpia botuese “Artini”, ka dalë para lexuesve libri i radhës me poezi, i poetes Alketa Gashi Fazli.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult