Libri i ri nga Ismail Kadare: “Janë rrëfime të ndryshme- shkrimtari dhe njeriu janë të pandashëm”

Në 85-vjetorin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, del nga shtypi edhe libri më i ri për të, “Kohë për rrëfim” nën logon e botimeve “Onufri”. Kadare vjen në një dialog me Alda Bardhylin, ku rishihen, kohë e ngjarje, të moteve të ndryshme, duke sjellë në vëmendje, momente të vështira e përjetime prej tyre. Disa detaje te librit, i jep vetë shkrimtari për News24.

“Rrëfime të ndryshme nga jeta. S’ka emër tjetër në shqip. Rrëfime është fjalë shumë e bukur. Bashkëpunimi i lehtë dhe komod. Aty janë Ismaili njeri dhe në letra, janë të pandarë”, thotë ai.

Një film artistik franko-belg për të, bazuar në kujtimet e Helenës nën titullin “Kohë e pamjaftueshme”, do të sjellë tërë jetën e shkrimtarit, në Shqipërinë komuniste dhe në terrin që diktonte tirani, duke rrokur botëkuptimin brenda kufijve dhe letërsinë që thyente kufijtë.

Kadare rrëfen edhe emocionet e marra si rrallëherë në një takim me të rinjtë që lexojnë çka ngjall shpresë për një të ardhme, kur letërsia ka më shumë hapësirë dhe shoqëria më shumë mendje të lira.

“Mora gëzimin që letërsinë e duan njerëzit dhe do ta duan gjithmonë”, tha ai.

85-vjetori i shkrimtarit të “Gjeneralit”, “Pallatit të ëndrrave”, “Kronikës në gur”, “Dimrit të madh”, “Koncertit në fund të dimrit”, “Pashallarëve të kuq”, “Piramidës”, “Nëntorit të një kryeqyteti”, “Prillit të thyer”, “Kështjellës” e “Kush e solli Doruntinën”, “Kukullës”, “Mosmarrëveshjes” e “Bisedës në studio”, fitues i Man Booker Prize, a Princi i Asturias, ka një përkushtim edhe për gruan që ishte pranë tij në çdo kohë, Helenës, që duke ruajtur një raport të kujdesshëm mes dritës e hijes, diti të jetë gruaja e një shkrimtari të madh.

“Roli i Helenës i pazëvendësueshëm nga asgjë tjetër. Pa atë e kam të vështirë ta përfytyroj jetën time”, thotë Kadare.

Shkrimtari që i dha zë vendit në kohët e mbylljes së madh, ka shënjuar epokën e tij, ndonëse jetoi në një luftë të vazhdueshme mes Lindjes që e ndalte e perëndimit që e grishte./Balkanweb