Libri në gjuhën shqipe edhe në Bibliotekën e Garfieldit

Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ishte e ftuar sot për të kontribuar në Koleksionin e Librave në Gjuhën Shqipe i cili iu dhurua Bibliotekës Publike të Garfield-it.

… Si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe(…) është e  aftë të shprehë me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Faik Konica, Albania 1, 1897)

Nga: Yllka FILIPI

Një gjuhë kaq e vjetër si gjuha shqipe  e shkruar me gërma latine e cila përfshihet në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe flitet nga rreth 10- milionë njerëz në të gjithë botën, e njohur historikisht si gjuha arbëreshe, zuri vend simbolik  paraditen e së shtunës, në këtë ditë të gëzuar festive  të 1- Qershorit të mezipritur të fëmijëve, në raftet e Bibliotekës Publike të Garfield, New Jersey, përmes veprave të shkrimtarëve, poetëve dhe studiuesve shqiptarë në të gjithë Amerikën e më gjerë. Ky hap dëshmon se kemi ndërmarrë guximin piramidal drejt formës më të lartë të dinjitetit kolektiv që kombi ynë përtej Atlantikut të afirmojë vetveten nëpërmjet filozofisë së mendimit, konceptit e idesë brenda individit, për të mos e lënë të bjerë në letargji reflektimin shpirtëror të njeriut të kohës moderne, ku varfëria e imagjinatës si rezultat i presionit shtypës të epokës teknologjike është kthyer në kërcënim për shëndetin intelektual të kombeve dhe jo vetëm. Morëm guximin të nisim një fushatë të fuqishme kundër filozofisë së formës e cila krijon një botë të disbalancuar dhe vret natyrshëm reflektimin shpirtëror të njeriut e kombit. Kjo humbje e balancës, rrezikon ta kthejë qenien humane, në një masë instrumentale pa shpirt që luan simfoninë e zbehjes së thellësisë së imagjinatës e për rrjedhojë nuk ofron asnjë garanci për mbijetesë, por sjell asimilim.

Shtysën për një nismë të tillë e sollën botimet e shumta të krijuesve shqiptarë dhe intensifikimi i domosdoshmërisë së nevojës së komunitetit tonë për të mos i humbur kontaktet me gjuhën dhe për të qenë më pranë me letërsinë shqipe. Aleanca Shqiptare e Shtetit të New Jersey-t, bëri të mundur që kjo inisiativë të realizohej në një nga sallat e leximit, në Librarinë Publike të qytetit të Garfield-it. Me një organizim profesional të menduar deri në detaje  Presidenti i Aleancës Shqiptare z. Alban Gaba në bashkëpunim me anëtaren e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, poeten Arjana Gaba vunë në dukje rëndësinë e veçantë të këtij aktiviteti kulturor për të përçuar më tej gjuhën, letërsinë, artin dhe traditën tonë kombëtare, ngjarje kjo e cila për komunitetin shqiptar  në Amerikë, në historikun e bibliotekës së këtij qyteti, zhvillohej  për herë të parë.

Përse ky kënd librash në gjuhën shqipe? Sa e rëndësishme është kjo gjuhë përballë botës së madhe multikulturore në Amerikë? Si u prit kjo nismë e fuqishme nga Kryebashkiaku dhe Drejtoresha e Bibiotekës së këtij qyteti? Që t’i qasemi tematikës së  sotme duhet t’i referohemi   më parë të dhënave dhe fakteve historiko-gjuhësore të cilat hedhin dritë dhe zbehin çdo dyshim mbi çështjen e vjetërsisë dhe rëndësisë së gjuhës shqipe.

Territori gjeografik ku flitet gjuha shqipe deri më sot mbulon Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, zonat e Evropës Juglindore me popullsi shqiptare si edhe Malin e Zi e Luginën e Preshevës. Zgjerohet më tej në  Komunitetet e shpërndara shqiptare në Kroaci, Greqi, Çamëri, rajonet e Maqedonisë Perëndimore, Trakës Perëndimore, Itali (arbëreshët në Italinë e Jugore, Sicili, Kalabri), si edhe në Rumani e Ukrainë. Gjithashtu, nëse do t’i referoheshim pasurisë së Fjalorit të gjuhës shqipe dhe Huazimeve nga greqishtja e lashtë e latinishtja, do të përforconim konkluzionin mbi vjetërsisnë e gjuhës sonë.  Përsa i përket shkrimeve më të hershme në gjuhën shqipe na vjen në ndihmë Meshari i Gjon Buzukut në shek. XVI (1555), L.Matrënga (1592) e pak më vonë  P. Budi,  F. Bardhi, e P.Bogdani vepra këto që dëshmojnë edhe strukturën e qartë dialekto-territoriale në proçes evolucioni.  Rrebeshet e kohërave nuk mundën dot ta zbehin funksionin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në Periudhën Parakombëtare (XV-XVI-1860), si edhe në Periudhën Kombëtare, nëpër të gjitha fazat ku  ajo kaloi:1860-1912; 1912-1944; 1944 e deri më sot. Si rezultat i konvergjencës së të dy dialekteve tona, u bënë domosdoshmëri konferencat dhe konsultat e gjuhëtarëve për Gjuhën e Njësuar si edhe për drejtshkrimin e saj. Për rrjedhojë në Kongresin e Drejtshkrimit, Tr. 1972, u vendos gjuha standarte, trajtë të cilën vazhdon ta ketë edhe sot.  Tashmë, në epokën dixhitale ku fuqia dhe shpejtësia e internetit në shpërndarjen e informacionit janë marramandëse, Katedra të Gjuhës Shqipe vazhdojnë të jetë të hapura dhe një mori Universitetesh dhe Qendrash Albanalogjike nëpër botë: Paris, Romë, Napoli, Kozencë, Palermo, Leningrad, Pekin, Mynih, Bukuresht, Selanik, Sofie, e më tej ofrojnë thellimin drejt dijes.

Epiqendra ideore e këtij takimi ishte nevoja e përçimit të gjuhës shqipe tek brezi i ri, si një nyjë solide për të siguruar vazhdimësinë e trashëgimisë sonë kulturore e cila zgjon edhe   krenarinë kombëtare mbi prejardhjen dhe vjetërsinë e gjuhës shqipe për ta  transformuar në një fuqi të pashtershme frymëzimi dhe imagjinate për bashkësinë e studentëve  shqiptarë. Një koleksion i pasur botimesh letrare në prozë, poezi dhe studime, ju dhuruan bibliotekës së qytetit nga autorët e pranishëm në sallë  për të qenë pasuria e komunitetit tonë  në shuarjen e etjes  për të lexuar shqip nga brezi i ri i fëmijëve shqiptarë të lindur në Amerikë, si edhe nga dashamirës të gjuhës shqipe prej komuniteteve multikulturore këtu duke e forcuar relacionin zinxhir të procesit letrar autor-vepër- lexues, synuar  rikthim të brezit të ri në rigjetjen e balancave drejt librit fizik, prekjes, thellimit të njerëzores, e drejt mendimit, si akti më humanist e dëshpërimisht më i nevojshëm në ditët tona. Forma e plotë e gjuhës si shkencë humane arrihet vetëm nëse nëpërmjet variantit të folur (komuniteti), depërtojmë në variantin e shkruar (libri) e në këtë proces simbiotik arrihet ftesa për reflektimin polidimensional shpirtëror të  kombit.

Të gjithë të pranishmit të ngritur në këmbë, me dorën në zemër nderuan ekzekutimin e Himnit të Flamurit shqiptar dhe Flamurit amerikan, Himne të cilët shënuan edhe hapjen e kësaj ngjarjeje të shënuar.  Le të kthehemi pas në retrospektivë për të hedhur dritë se sa shumë luftuan të parët tanë që të ruajnë të paprekur gjuhën shqipe. Për këtë mund t’i referohemi historisë së gjuhësisë e studimeve të specializuara letrare mbi çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe, të cilën e ka mbrojtur me zjarr edhe poeti Jeronim De Rada. Për rrjedhojë u bë tez’/kryefjala e rilindasve të cilët duke e vënë theksin tek lashtësia e popullit shqiptar kërkuan dhe luftuan me forcën e penës për të drejtat e tij në mes të popujve të tjerë të lirë e të pavarur të Evropës.

Vlen të përmendet se kur  studiuesit J. Hahn, në veprën “Studime Shqiptare” 1854, ju desh të vërtetonte prejardhjen ilire të shqiptarëve, thirri në ndihmë dëshmitë dhe faktet e hershme gjuhësore. Por, sa e vjetër është përafërsisht gjuha jonë shqipe? Po të përllogarisim 3700- vjet para erës sonë, mbijetesa dhe vjetërsia e  gjuhëve indoevropiane, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe, aludohet të jetë rreth 6- mijë vjet. Kjo gjuhë kaq e shtrenjtë dhe kaq e hershme, 6-mijë vjeçare, ishtë bërthama e këtij takimi kaq të rëndësishëm letrar ku të ftuar nderi ishin Kryebashkiaku i qytetit z. Rich Rigoglioso, Ambasadorja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara zj. Suela Janina, Drejtoresha e Bibliotekës së Garfield-it zj. Mary Jo Jennings, Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Përfaqësues nga Federata Pan-Shqiptare Vatra, si edhe nga Shoqata e Gruas Marigona, anëtarë të bordit të  Bergen County, poetë, shkrimtarë, studiues të letërsisë, dashamirës të artit të fjalës së shkruar, interpretues, aktorë, muzikantë e më gjerë.

Presidenti i Aleancës Shqiptare në New Jersey z. Alban Gaba, në fjalën e hapjes  u shpreh ndër të tjera: Koleksioni i librave që ju dhurua bibliotekës sot, është një burim i çmuar dijesh dhe kulture, jo vetëm për fëmijët tanë, por edhe për lexuesit e apasionuar të komuniteteve të tjera. Janë rreth 3500 shqiptarë  që jetojnë në komunitetin e Garfield-it, ndër të cilët 1150 frekuentojnë shkollat publike të qytetit.

Më pas Majori i Qytetit të Garfield z. Rich Rigoglioso në fjalën e tij përshëndetëse shprehu vlerësimin më të lartë për komunitetin shqiptaro-amerikan i cili fatmirësisht është i madh në numër dhe shpalos vlera në fusha të ndryshme të shkencës, letrësisë, artit e më gjerë. Ky komunitet flet një gjuhë të vjetër dhe përçon një kulturë të thellë duke dëshmuar trashëgiminë e pasur  të një populli me histori të lashtë. Është nderi dhe privilegji im t’ju uroj mirëseardhjen në Librarinë Publike të Garfield-it. Kjo bibliotekë gjithmonë ka qenë një institucion studimi, eksplorimi dhe shkëmbimi multikulturor.  Jam i sigurt se kontributi juaj i vyer do të lerë gjurmë tek brezi i ri i cili që sot e tutje do të ketë fatin e mirë të lexojë edhe libra në gjuhën shqipe. Ju siguroj se ky komunitet shpalos dinjitet e do të ketë gjithmonë vëmendjen, mbështetjen dhe përkrahjen time të veçantë. Ky fjalim u shoqërua me duartrokitje  të përzemërta dhe ngjalli entuziazëm në sallë.

Nderoi të pranishmit me fjalën e saj në vijim Ambasadorja Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara  zj. Suela Janina, duke shprehur mirënjohje  të thellë për të gjithë organizatorët dhe pjesëmarrësit që kontribuan në suksesin e këtij eventi kulturor.  Të dashur vëllezër dhe motra… kjo vjen si muzikë për veshët e mi. I ftoj të gjithë fëmijët të vijnë e t’i lexojnë këto libra shqip,  radhitur në raftet e kësaj bibioteke kaq të bukur. E ndoshta ne nuk i kemi pasur këto mundësi…ndaj mirënjohja ime shkon tek të gjithë ata shqiptarë që me të gjithë vështirësitë që hasin, bëjnë ç’është e mundur për të mos e harruar gjuhën e atdheun mëmë. Dhe ky do të jetë investimi më i madh që ne do të bëjmë tek brezi i ardhshëm, sepse e ardhmja e kombit tonë është kënaqësia më e madhe që na e mbush zemrën si shqiptarë.  Komuniteti shqiptaro-amerikan kudo në Amerikë ka krijuar një urë të fortë marrëdhënieje historike dhe shoqërore midis të dy shteteve tona.- përfundoi fjalën e saj Ambasadorja Janina, duke shprehur dëshirën për të qenë pranë komunitetit tonë edhe në aktivitetet e ardhshme.

Drejtoresha e Bibliotekës së qytetit të Garfield-it zj. Mari Jo Jennings u shpreh: Jam thellësisht e prekur sot, kur një ngjarje e një rëndësie kaq të vecçntë po ndodh pikërisht në një nga ambjentet e Institucionit që unë drejtoj. Dua të përgëzoj të gjithë autorët të cilët e pasuruan Bibiotekën Publike te Garfield-it me këtë koleksion librash, shkruar në një gjuhë kaq të lashtë, duke i shtuar një xhevahir më shumë thesarit multikulturor të qytetit tonë. Jam e bindur se komuniteti shqiptar i cili radhitet i dyti, pas komunitetit polak, do të vazhdojë të na surprizojë me prurje të vazhdueshme veprash letrare dhe ju siguroj se bashkëpunimi ynë do të jetë i frytshëm dhe i sukseshmën edhe në të ardhmen.

Poetja dhe studiuesja e letërsisë Ph.d Yllka Filipi, përshëndeti në emër të Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, duke evidentuar rëndësinë historike të këtij aktiviteti si edhe privilegjin që kjo bibliotekë rezervoi për autorët shqiptarë dhe veprat e tyre përkundrejt një spektri më të gjerë lexuesish pasionantë, studimesh të thelluara në fushën e letërsisë së krahasuar (anglisht- shqip), apo edhe ekipesh studimore nga gjuhë të tjera, si edhe  një game më të gjerë dijetarësh, mendimtarësh e përkthyesish që kanë shfaqur interes për gjuhën shqipe, me përparësi brezin e ri shqipfolës të komunitetit tonë, në mënyrë që e gjithë kjo energji njerëzore e brezit të ri të kanalizohet në rrugën e duhur si dije e mirëartikuluar e formave të përpunuara të imagjinatës së shëndoshë në bazë të sistemit të vlerave shpirtërore,  drejt mendimit  e reflektimit si një tjetër formë edhe më e lartë,  formë  ndjeshmërie e afrimi hyjnor drejt  atdhedashurisë.  Nuk ka asnjë kod universal që të mund të zbërthejë arsyen pse nuk mund të venitet nevoja shpirtërore e një kombi për të përçuar ndër breza gjuhën e tij të hershme, të cilën ndër mijëra vjet si në mijëra operacione kozmike për mbijetese e ka shpëtuar nga asimilimi, shfarosja dhe vdekja e sigurtë. Ligjet e arsyes të  tërhequra brenda një sfere tjetër shumëdimensionale atdhedashurie, zotërojnë gjithë  forcën e universit  për t’i  treguar epokës së globalizimit, se edhe gjuha më enigmatike, në çdo territor gjeografikisht të kudondodhur, në qoftë se i ka zbardhur të gjitha misteret e i ka ndriçuar  epokat e errëta të historisë, meriton vëmendje jashtëzakonisht të veçantë dhe duhet të mbrohet me jetë, siç shpesh e ka treguar koha e duket të nderohet me dorën në zemër dhe ballin lart nga bashkëkombësit e saj! Vetëm ajo gjuhë nuk mund të vdesë dhe ky privilegj i takon sot një gjuhe shumë të lashtë, gjuhës shqipe. Le t’i themi fëmijëve tanë: Ja ku janë librat që janë shkruar në gjuhën e nënës, në gjuhën e shpirtit, në shqip! Sa herë t’iu marrë malli, ejani e shfletoni! Më fuqinë magjike të shkronjave tona do të  fluturoni gjer në mëmëdhe! Mos u habisni nëse trupi do të jetë këtu e shpirti do të shëtisë atje.– përfundoi fjalën e saj Ph.D Yllka Filipi.

 Nderoi këtë takim  edhe Dr. Bexhet Asani i cili në kumtesën e tij u shpreh:   Jam i lumtur të gjendem sot këtu  në mesin tuaj për të dhënë kontributin tim modest për krijimin e Këndit të Librit Shqip në Bibliotekën Publike të  qytetit të Garfield-it, New Jersey. Mbase do të habiteni po të thoja se  qyteti i Garfield-it është i njohur për mua  që në vitin e largët 1969. Këtu e 55-vjet më parë. E di se të gjithë do të pyesni, si ka mundësi që një 11-vjeçar shqiptar të dijë për këtë qytet… Në janar të vitit 1969 vëllai im Mustafa Asani emigroi në Amerikën e largët dhe jetoi në Garfield. Unë i kam shkruar letrat për vëllain tim. Në zarfin me ngjyra anash që kishte një aromë që i ngjante parfumit, unë lexoja adresën, rrugën, numrin e shtëpisë dhe qytetin e GARFIELD, Nj, USA. Dhe me duart e mia të vockla shënoja adresën. Asnjëherë një fëmije siç isha unë nuk do t’i shkonte ndër mend se një ditë, pikërisht në atë qytet,  në Bibliotekën e atij qyteti, në Garfield, do të dhuronte disa nga veprat e tij letrare dhe shkencore.

Të nderuar kolegë shkrimtarë, kjo është një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për Bibliotekën Publike të Grafield-it, por edhe  për shkrimtarët. Më 1917, Mësuesja e popullit Sevasti Qiriazi e botoi gazetën “Ylli i mëngjesit” në Filadelfia, para 107 vitesh. Ajo gazetë ruhet në në Bibliotekën Publike të Filadelfias, në shtetin e Pensilvanisë. Mbase pas 100 vitesh, stërmbesat e stënipërit tanë do t’i gjejnë librat, në gjuhën shqipe ose në gjuhën angleze. Falenderoj organizatorët dhe të pranishmit duke shpresuar se kësaj nisme do t’i bashkohen edhe  qindra shkrimtarë të tjerë nga Shtete e Bashkuara të Amerikës.

 Krijuesja Arjana Gaba prezantoi për të pranishmit Biografinë dhe Veprimtarinë Letraro-Artistike mbërritur nga  Britania e Madhe të Prof. Dr. Fatmir Terziu   me një koleksion të  përzgjedhur prej 15- veprash letrare, një pasuri kaq e  çmuar kjo  e cila iu dhurua bibiotekës së qytetit.  Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë z. Adnan Mehmeti u shpreh:  Dua t’iu tregoj se kam në dorë suplementin e revistës letrare Pena e cila sapo ka dalë nga botimi dhe pasqyron punën e palodhur të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqipatro-Amerikanë, si edhe prezanton edicionin e 3-të të Panairit të Librit Shqip në Amerikë.  Kjo fundjavë e mrekullueshme filloi me magjinë e 1-Qershorit të fëmijëve tanë dhe shënoi hapjen e Këndit të Ri të Librit Shqip në Bibliotekën Publike të Garfield-it, New Jersey. Me elegancë dhe profesionalizëm nga Aleanca Shqiptare si edhe me mbështetjen e padiskutueshme të Bashkisë së qytetit Garfield, ky moment solli bukurinë e fjalës së shkruar dhe shpirtin e kulturës sonë, ndaj dhe ju meritoni çdo lëvdatë për këtë organizim të jashtëzakonshëm.

Shkrimtari dhe poeti z. Mhill Velaj i cili dy muaj më parë e delegoi me sukses detyrën e Kryetarit të Sh.Sh.Sh. A – falenderoi  të gjithë të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen e thellë për sakrificën e shqiptarëve kudo që ndodhen nëpër botë për t’iu përcjellë brezave që do të vijnë trashëgiminë tonë tejet të pasur kulturore. Më pas e mori fjalën nënkryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve  zj. Arjeta Ferlushkaj e cila vuri në dukje: Se sa rëndësi ka ky kënd i hapur sot, këtë do ta tregojë koha dhe fëmijët tanë. Libri është mjeti më i bukur dhe më i duhuri për t’i bërë ata të udhëtojnë në kohë dhe vende të ndryshme. Le të jetë kjo nismë e vogël me dashuri të madhe një shtysë për ne që të krijojmë një rrjet bashkëpunimi zinxhir për t’i ardhur më afër lexuesit tek biblioteka e tyre lokale edhe pse jo, ndonjëherë të bëjmë edhe një orë leximi në gjuhën shqipe nga veprat e autorëve të ndryshëm shqiptarë.  Drejtuesja e Shoqatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane Marigona zj. Sabije Veseli falenderoi të gjithë të pranishmit dhe u shpreh optimiste për zhvillimin e sa më shumë aktiviteteve kulturore të këtij lloji në të ardhmen. Përshëndeti të pranishmit dhe shprehu një falenderim jashtëzakonisht të madh për organizatorët për këtë ngjarje të shënuar për Komunitetin Shqiptar në Amerikë dhe z. Luz Thaçi.

Më pas falenderuan poetja Premisa Kërthi, Nazmi Demishau, Desi Tahiraj, Age Ivezaj, Sami Mulaj. Arkiva e fotografive u plotësua nga fotografja Rea Deda. Recitime poezish të zgjedhura nga interpretues të talentuar dhe tinguj muzikorë, mbyllën me sukses një takim kaq të rëndësishëm për gjuhën tonë të vjetër, kulturën dhe librin shqip.

Për autorët që kontribuan në koleksionin e librave shqip që u dhuruan sot në Këndin e Bibliotekës Publike të Garfield-it u shpërndanë Certefikata Mirënjohjeje nga Aleanca Shqiptare e Shtetit të New Jersey-t, në shenjë falenderimi të përzemërt për pasurimin e vlerave të librarisë së  këtij qyteti me veprat të cilat do të shërbejnë si një  formë e  vyer kontributi për ruajtjen e përhapjen e kulturës dhe traditës së krijimtarisë shqiptare. Aktiviteti u transmetua drejtpërdrejt në TVSH nga gazetari i mirënjohur z. Denion Ndrenika.

Intensifikimi i këtij akti është hallka më e fortë  e dijes së provuar nga eksperimentimi i vizionit shkencor me në qendër reflektimin filozofik mbi librin shqip në diasporë, si një thirrje për të rinjtë që t’iu rikthehen ndjeshmërive dhe ideve në format pafundësisht  të larmishme që ofron zhytja në thellësinë e mendimit të gjallë njerëzor, si një dimension i ri që do të sigurojë risinë e kombit shqiptar për të mos ia dobësuar kujtesën historike e për  të mbajtur gjallë vazhdimësinë ekzistenciale të  tij kudo nëpër botë.

Garfield, N.J, 6.01.’24

ObserverKult


Lexo edhe:

JA ÇFARË LIBRA DUHET TË LEXOJMË SIPAS FRANZ KAFKËS