Lindita Ahmeti: Llënga

lindita ahmeti

si çdo djerrinë pikëllimi me ferra gomari e me hithëra
që e ka shenjën e vrugtë
edhe hapësira ime me rërë ngjyrë vjollce
ka një varrë të zezë të rrumbullakët
ka një llëngë të errët të rrethuar me barishta të papara
me diç që do të mund të quhej joshavar jokallam jokanish
as ferrë as hithër
si thonë plakat veç kësaj bote
me barishta të paqena
që i japinpamëninë e zezë
kësaj llënge njollë
dhe ia shpon sytëajo
edhe atij që mezi sheh
ndihmo o zot të çelë ndonjë lule këtu
sille o zot erën e mirë në këto anë
largoje këtë varrë që kullon
mos lejo llënga të na gulçojë
me atë erën e rëndë septike
llënga
mbi të cilën zukasin kandrra helmuese
në të cilën notojnë tërë kënaqësi akrepi i zgjedhur me gisht
miu dhëmbëkuq që mban emrin e luanit në gjuhën turke
lepuri që ua mëson fëmijëve zejen e frikës
dhe sillet rreth saj një skile
që sheshongjeturinë prapa shpinës së të vërtetës
llënga
të cilën gënjeshtarët e huaj na e tregojnë si kulm të kësaj bote
llënga
është një dregëz që dhemb
që djeg e përvëlon
është një varrë më shumë
mbi shtatin e copëtuar në tri anë
mbi shtatin të cilin e rëndon shkretëtira

o zot si shihet nga lartësi e kullës, si dallohet syprinë e llëngës, me gjithë terrin e dendur që ka përmbi. Kajmaku i lëmashkut e zbulon me mburrje ngjyrën jeshile. Barishtat, më mirë të thuhet jobarishtat, e theksojnë vijën e zezë rrethore të bregut të saj. Duken edhe konturat e figurave që sillen vazhdimisht në këtë rreth të zi e të cilët i japin brendi llëngës. Figurat e zeza. Ecin e ecin vijës së zezë rrethore të llëngës e pastaj i lëshojnë këmbët në masën e lëngshme dhe s’i nxjerrin gojet frerët e artë, që i konsiderojnë stoli. Dhe, krenohen me ta! Këti gjithherë një figurë e thatë mapetike me kokë të madhe e të kuqe, e cila ta kujton eshkën viigane të shelgut të rraskapitur midis varreve, që ka cilësinë ta përhapë trishtimin në terrin e thellë, një formë e sajuar si prej bajgës së thatë, u mban ligjëratë fëmijëve të humbur për shumësinë e fytyrave. Thotë: ata që s’kanë fytyrë duhet të bëhen bashkë me ata që kanë shumë fytyra dhe t’ua marrin fytyrën atyre që kanë vetëm një. Ndërkohë një micë e fryrë, me sy të ngatërruar, kërcen nga masa septike duke mbajtur në gojën e saj të madhe librin e zi të akademisë së shkencave të qytetit të zi duke kuakur se në dorë i ka rënë dhoma me epitetin e diturisë. Tash e tutje prej këtu do të derdhen petalet e lulëkuqeve dhe hapat e rëndë të Prokrustit. E pat shpresa që prej këtu të bëjë dritë qiriri. Pastaj ia jep një gagarime, kurse fëmijët e humbur qeshin me të duke gënjyer se po i shkojnë pas asaj. Tërhiqet midis librave të zez mica duke brejtur kopertina. Pas saj përhapet erë e rëndë e gojës me dhëmbë të verdhë. Del përsëri në skenë, tash e fryrë,  figura mapetike, duke u përpjekur ta gjejë një pozë që do ta tregonte atë si profesor. Zbulohet në dritën e vërtetë: një hije nga skajet më të largëta të hadit. E ngre kokën si ndonjë biban me zgjebe dhe flet prapa maskës: satana përpara, pas tij pushteti ynë i zi. Ne të gjithë – në fund. Mica e fryrë që e përcjellë e loz kokën në shenjë miratimi dhe shkon t’ua vërë shkrepsën librave. Ç’na duhen gjithë këta libra. Figura mapetike qesh iha iha iha

e nxjerr fytyrën e zbehtë hënëza nga reja
ia heq këmishën natës së gjatë shkretinore
zhvishet lakuriq edhe llënga
dalin në shesh vendet e turpit
zbulohet edhe libri i zi
dhëmbët prej ari me një shtresë lëmashku jeshil
profesori i famshëm si ha çorbë llënge duke përplasur buzët
posi lopa e butë kur përtypet
miu me emër luani si lëpin gishtat e këmbës profesorit nën sofër
pastaj të shtënat prishin rahatinë llokum – llokum
ia jep gjëmës nëna plakë e thotë
edhe tre çuna na i vranë
ngrihet në këmbë ligjëruesi i përhimtësisë
e mban të gjatë ligjëratën e arsyetimit
duke shprehur keqardhje për policët e lodhur
nga përdorimi i gjatë i shkopit të gomës
dhe vazhdon se
policët e gjorë gjithëherë vrasin në mbrojtje
mica përmbi librin e zi të qytetit të zi
cinxëron
po edhe miu i kuq me emrin e luanit në gjuhën turke
dhe shkelin pastaj nëpër këngët më të bukura
akrepi i zgjedhur bën roje
duke prekur me bishtin e tij bardhësitë
në fund çohen të gjithë e ia venë zjarrin dhomës së diturisë
dhe  lëshohen në lëngun e llëngës
allalla allalla

po e pranoj se kam frikë
edhe një herë ora ra
ata ata dalin e ulen te dritaret e policisë
o zot askush po më gulçn vetmia
dhe sërish asgjë asgjë

ObserverKult