Dita vjen e pangjyrë
drita ka mbetur përfund shtëllungave të mjegullave
vetëm do rreze përvidhen
dhe bëjnë kristale nëpër ujëvarën e përroit malor
ndërkohë shfaqet krenare në pushtet
nata
e cila do qetësi
nuk do ajo të dëgjohet e pathëna
nga kënga e linit
nuk do nata t’i nxitë lulet të çelin
se i prishe rendi
po eoja është aty
rri krenare se është plot dritë vet
kori i luleve përshëndetet me të
dhe ngrihet lart eoja
hajde linditë të ngutemi
s’e ndalin eojën paravanë me terr e me mjegull
ajo e nis agsholin
anise nuk e duan buzëqeshjen e agsholit
ec agshol ec largoje atë mjegull
atë përhimësi në shtegun e Linditës të këngës së bardhë
sepse duhet të dalin rrezet e mia
që do të bëhen fenerë të vargjeve të saj
ndërkaq zogjtë e malit
janë mbledhur në degën e ahut të moçëm
ta përzënë me këngë përhimësisë
me këngë të zogjve vjen agsholi e m’i zgjidh prangat
që më mbajnë të lidhur
për karrigen e gurtë.
ObserverKult
—–
Lexo edhe:
PYETËSORI I PRUSTIT/ LINDITA AHMETI: INJORANCA ËSHTË MJERIMI MË I MADH…