Flasim përhanshëm me poeten Lindita Ahmeti.
Nga: Xhemazije Rizvani
Linditë Ahmeti u lind në Prizren më 1973, ndërsa jeton në Shkup. Është rritur në një ambient rrethuar me libra si dhe pranë një njeriu shkrimtar, si Xhabir Ahmeti.
Ky njeri është shtysa dhe motivi i saj.
Lindita e njeh mirë greqishten e lashtë, mitologjinë. Është pedagoge universitare, poete, përkthyese, si dhe mike e jashtëzakonshme.
Çka tjetër të përmbush si një poezi?
Poezia tjetër.
Si e shohin botën sytë e tu?
Si klepsidër. Punë Sizifi. Ose Lindita thotë: Nomen est omen …
Si zbutet mallëngjimi?
Duhet ta pyesim Ovidin…
Cilët janë poetët tu të preferuar?
Azem Shkreli, Teki Dervishi, Bajroni dhe Katuli.
Po poezitë ?
Katuli, Carm. 11 dhe Katuli, Carm 16.
Libri më i bukur që keni lexuar?
Romani Unë Klaudi i Grevsit.
A jetohet me letërsi ?
Vështirë është të jetohet pa letërsi.
Babai, kush është për ty?
α dhe ω.
Ç’ka të tmerrshme mbi dhe?
Çasti kur Orfeu e kthen kokën ta shohë Euridikën, sapo e kishte nxjerrë nga Hadi.
A ka të ardhme të gjatë poezia?
Na përgjigjen Gilgameshi dhe Homeri që jetojnë edhe sot…
Poezitë tua kanë shumë driada, ju pëlqejnë?
Ato janë shoqet e mia…
Ç’ka magjike shpjegimi i botës përmes miteve?
E gjejmë te Gomari i artë magjinë e mitit.
Ku gaboi demiurgu?
Kur i shpiku shpresën dhe marrinë.
Malli për kë të merr?
Për librat e palexuar dhe për “Shend e verë”.
Cilin libër e mbani afër kokës?
Çajld Haroldin.
Si të duken lexuesit e sotëm?
Pak lexues njoh. Këta janë ashtu si më pëlqen mua të jenë.
Po krijuesit e sotëm?
Më duket se janë bërë kallaballëk.
Ç’është më lehtë se të shkruash poezi?
T’i veçosh kokrrat e një grumbulli të melit, të thekrës, elbit, të afionit, të tërshërës, të grurit, një nga një.
Pengjet e tua?
Athina, Roma, Londra…
Kush është Lindita Ahmeti?
Nëse s’e di Xhemazija kush jam unë, unë edhe më pak e di.
ObserverKult
*Intervista është realizuar kohë më parë.
Lexo edhe: