Linditë Ahmeti: Elegji lunare

Po endem me barkë nëpër paskajën e pikëllimit
Në shoqëri të valëve të shqetësuara
Duke shpresuar se do të ndodhë çudia
E pritur kaq shumë
Me refrenin
Hej ku është dashuria
Po fjala po besa
Duket vetëm hëna e madhe e kaltër
Si ngrihet nga lumi i kulluar
Ku është larë
Shkon lart mbi kurrizin e malit
Madhështore
Së pari e zbulon
Pastaj e praron liqenin
Midis maleve të ndarjes
E të shtigjeve të mbyllura
Në këtë anë plot margaritarë
Por ama ana e çarë
Dhe e mbuluar me pluhur të vrygët
Hej ku mbeti dashuria
Po fjala po besa
Dëgjoj vetëm si mbyllen dyert e botës
Duke i përplasur
Dhe duket reja e zezë si e gllabëron hënën e kaltër
Kurse barka
Dalëngadalë fundoset