Liridon Mulaj: M’beso! Asht e randë me kanë malsuer!

Liridon Mulaj

M’beso! Asht e randë me kanë malsuer!
Gjamën e kangën i kie varun mbi qerpik tanë jetën,
po loti nuk të falet.

M’beso, s’asht kollaj me kanë malsuer.
Kie me shkue krushk edhe në paç mort’,
Kie me i ra çiftelisë, edhe në paç gjamë,
Kie me qit pushkë, edhe pa gjaksor,
Se malsueri, lahutën e pushkën,
i var në t’njajtën gozhdë.
E rand, fort e randë me kanë malsuer…

ObserverKult


Lexo edhe:

LIRIDON MULAJ: TË GJITHË NJË DITË DO TË IKIM…

Le të ikë!
i erdh’ ora e pikut,
jeta ndërron siç ndërron
një gjarpër lëkurën,
dhe sërish është i gjallë
e lëkura e re, rrahur nga ajri
ia shpërfaq jetën e re,
diku tjetër
ç’rëndësi ka se ku.

Le të ikin njerëzit
të gjithë një ditë do të ikim.
Por le të bëjmë një pakt
mes nesh.
Mos të themi “vdiq” dhe t’ia kursejmë
vetes lotët
dhimbjen t’ia kursejmë,
le ta gënjejmë veten,
për shembull
siç gënjejmë foshnjat kur
i lëmë në duart e mamive.

Le të themi iku
dhe në një vend tjetër
rron i lumtur,
dhe mes nesh,
hesht pakti i largësisë
së përjetshme.

Pra iku,
por rron diku larg ,
ta përsërisim pareshtur,
dhe ne nuk e shohim ,
nuk do e shohim
as nuk do t’ia ndjejmë më aromën
e mishit me inde të gjalla.
As zërin nuk do t’ia dëgjojmë,
e t’i themi vetes
se ai rron diku larg
dhe ne rrojmë këtu
në dy jetë si dy pikëtakime
të pamundura
ndarë nga fati i mbrapshtë,
a kushedi nga ndonjë hatërmbetje e stërzgjatur.

Pra, ky le të jetë pakti!
Ai rron, si ne, dhe pse
kurrë nuk do të shihemi më…

liridon mulaj