Rekomandime leximi nga Liridon Mulaj

liridon mulaj

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir poetin Liridon Mulaj.
Ja cilat janë tri librat që Mulaj u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

“Letërsia është shpëtim” e kam thënë diku në një interviste dhe më vonë e kam rimenduar sërish me veten time këtë deklaratë, nëse vërtetë letërsia është e tillë dhe ka këtë rol apo shpesh ne që shkruajmë dhe merremi me letërsi e tejkalojmë cakun e gjykimit dhe mbushim çdo hapësirë me këtë pasion kaq sublim.
Por, pas rigjykimit nga ana ime dhe shkëputja nga realiteti, kam arritur sërish në të njëjtin përfundim dhe i kam thënë vetes me bindje – Po, letërsia është shpëtim.

Nga Liridon Mulaj

Leximi është akti më intim i njeriut dhe marrëdhënia më e ngushtë mes tij  dhe një mori personazhesh të cilët krejt spontanisht, pushtojnë mëndjen e leqitësit. Po çfarë do të thotë të lexosh dhe këtë akt ose veprim ta kthesh në zakon.
Të lexosh letërsi do të thotë të përpiqesh të kuptosh botën  dhe njerëzit përreth. Do të thotë të gjesh kuptime të cilat shpesh në jetën e përditshme nuk i shpjegon dot, apo fundja krejt pa deshirë mbase, dhe nëse nuk arrin të gjesh një model apo një histori le të themi dashurie ku mund të mësosh, qëllon të gjesh jetë paralele të ngjashme.
Vuajtje dhe problematika të njëjta. E nëse ndodh të jesh një maskara në jetë reale, me siguri në romane do gjesh maskarenj të njëjtë dhe nëpërmjet tyre do justifikosh veprimet e tua.
Për të mos dalë nga konteksti i këtij shkrimi, unë jam thirrë në detyrë për të sugjeruar tre libra për lexim, dhe këtë do ta bëj me dashurinë dhe njëkohësisht me vështirësinë më të madhe duke qënë se librat të cilat kam lexuar, e them me mburrje se kanë qënë të gjithë letërsi e mire.
Megjithatë do zgjedh tre dhe po ia nis me të parin.

1.Mbi heronjtë dhe varret- Ernesto Sabato

Nëse kërkoni të depërtoni thellë brenda shpirtit njerëzor lexoni Sabaton, këtë mjeshtër të njohjes dhe empatisë njerëzore. I shkruar mes viteve 60 është ndoshta ( sipas meje ) romani më i madh i shekullit nëntëmbëdhjetë.
Aty gjen dashurinë, zhgënjimin, luftën, betejat, revolucionin, mizorinë, përbuzjen. Ky roman voluminoz është një ndërthurje brilante e realizmit magjik me historinë dhe retrospektivën e popullit argjentinas.
Me detaje dhe aspekte nga jeta e njerëzve të thjeshtë të Buenos Airesit. Me dramat dhe kujtimet, brengat dhe pengjet, ngjan si një roman i shkruar për të qënë në një sinkron të përhershëm me njerëzimin dhe ngjarjet që e kushtëzojnë zhvillimin e tij.
Një histori e çuditshme dashurie mes Alehandrës dhe Brunos, dy të rinj që jetët e tyre ndërthuren krejt pa dashje dhe po ashtu ndahen.
Një fund i trishtë dhe një kumt tragjik i një historie njerëzore sa të prekshme po aq dhe të pazakontë.  
Një letërsi e madhe nga Sabato, ky klasik i vonë i cili klasifikohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Amerikës Latine dhe jo vetëm.

2. Zorba- Nikos Kazanxaqis

Ky roman ktheu dëshirën time për lexim dhe kjo ndodhi pas një turbullimi dhe ankthi në fillimet e nisjes së pandemisë globale të koronavirusit. Ishte ky roman që e çpiu trurin tim dhe ktheu dëshirën për të lexuar sërish.
Një histori brilante mes dy personazheve ku në qendër është Aleks Zorba, kjo figurë mitike, simbol i shpirtit ballkanas. Aventura, konflikti fetar, sarkazma dhe përbuzja e rregullave strikte mbi të cilat njerëzimi ka konturuar vetveten.
Aleks Zorba, një nomad i lindur, udhërrëfyes i jetës dhe mësues autentik i rrugës drejt lumturisë dhe lirisë. I bazuar në eksperiencë personale, Kazanxqis e cilëson Zorbën si njeriun i cili influencoi më së shumti në jetën e tij.  
Pasi e kam përfunduar, e kam pyetur veten: Si është e mundur të shkruhet një roman kaq madhështor?
E sugjeroj fort.

3. Vepra poetike- Martin Camaj

Poeti më i madh bashkëkohor dhe jo vetëm. Shtylla kurrizore e një letërsie të madhe, ende të pashtjelluar dhe të pazbuluar si ato perlat që qëndrojnë në fund të oqeaneve. Poezia e Camaj ka brenda epiken, lirikën, etnosin, traditën, gjeografinë, alpet dhe shpirtin e pastër dhe të kulluar të një njeriu dhe poeti të madh si Martin Camaj.
Vepra poetike e Camajt është eposi modern i lartësive gjeografike dhe shpirtërore.
Me elementë nga natyra, kullat prej guri, përrenjtë gjarpërues ndërthurur me dashurinë, atë më sublimen, kjo vepër vjen si konsetalcion shpirtëror dhe identifikues për një popull që dhe i vogël, ia doli të krijonte gjeni si poeti Martin Camaj. N
ë atë çka quhet letersi perfaqësuese  e kombit, Camaj dhe letërsia e tij duhet të kenë vendin e nderit. 
Poet madhështor./ ObserverKult

Lexo edhe:

TRI REKOMANDIME LEXIMI NGA RRAHMAN PAÇARIZI

TRI REKOMANDIME LEXIMI NGA ILIRE ZAJMI