(Sibel Halimi, “Zoti më dashuron mua”, Bard Books, Prishtinë, 2022)
Nga Halil Matoshi
Poetja Sibel Halimi shkruan për gruan, fati i të cilës në shoqëritë tradicionale e patriarkale është i parathënë: Fati i grues n’luhajë si një fustan n’vig. Delikat. Plot shkëlqim dhe njolla gjaku t’thamë para dhe pas (poezia ‘Copë’.)
Copë, për poeten është copa e fatit, një cohë basme a mëndafshi që mundet me e përshkru dhunën pa e shfaq atë në mënyrën mâ të vrazhdë, eksplicite.
Autorja fustanin e ka “life style” dhe shprehje të lirisë, shprehje të zgjedhjës së lirë, si kulturë identitare femërore dhe koncept: Fustani është “copa” e saj që i jep gruas rehati, bukuri dhe e gëzim.
Porse, në shoqëritë e dhunshme dhe në konflikti (ku dhuna seksuale përdoret si armë lufte) fustani kthehet në kob.
Te poezia “Liria është fustani im”, së këndejmi coha e basmës tashti pos anës tragjike (dhunës) e merr edhe dimensionin e një shenjuesi të lirisë!
“Liria është fustani im i preferuar”, thotë poetja, sepse është shprehje e lirisë sē saj, një flamur ëndrrimtar.
Në poezinë e Sibel Halimit Nâna (Me e dashtë lirinë e Nanës) na shfaqet si fertile animals e urtë, që e përdorim për pragmatizëm riprodhimi dhe e madhnojmë në vargje, pa e nxjerr kurrë nga roli i saj: me iu bind nji burri e me i rritë fëmijtë. Në heshtje. Pa i prekë kufijt e lirisë.
Metaforën e ridefinimit të rolin të nënës në shoqëri e gjejmë edhe tek poezia “Mama”, ku autorja apelon që mamaja t’i lërë të gjitha menjanë e t’i rikthehet vetes.
“Jetoje jetën tënde
Mama – ‘kafsha’ ime primitive”
Autorja e ngreh dashurinë në kult, vend religjioni, (poezia “Të dua”) sepse ajo të rritë e ‘t’bân’ me u lartësu si njeri i vogël, që hyp shkallëve me mbrri kutinë me margaritarë.
Porse vajzën e saj, poetja nuk e do vetëm për kënaqësinë utilitare që i ofron ajo kuti margaritarësh.
Poetja e do Herën jo për kënaqësinë që ajo i jep por, për lirinë që ajo e ndien/përjeton (Hera);
Dhe me motivin me Herën, (bijën. personazh lirik) poetja e ngjiz edhe një poezi tjetër “Për dyert që mbyllen”, të cilën e pajis me “passaportën” identitare me qenë vetja (grua e lirë!) dhe me dashuru!
Ndërsa tek poezia “Godojasizif”, simbioza Godo-Sizif, shkrimja në nji qenie të dyzueme e përshkruen njeroun grue në gjeografinë kulturore patriarkale, ankth nga i cili, autorja mësyn të zgjohet, të ngjallet (Ngjallja)
Zbulimi i qenies, nji hap i vetëm: Hiç atë që të mbështjell (shaminë) vargojt që t’i kanë vù. Doku.
Poetja Halimi këndon gruenisht dhe kjo nuk është thjesht një antidot i këngës burrërore, porse një protestë!
Liria në lojë dëshmon qenien e saj p’ej grueje. Çlirimi i mendjes dhe trupit.
Poezia e Sibel Halimit nuk është doktrinare feministe por femërore si identitet dhe liri, poezia për këtë poete është çliruese dhe sinonim i përmbushjës në jetën e një grueje, sepse edhe Zoti dashuron një grua dhe jo vetëm një dashnor, i cili e ruan, (Pse m`rujte) si një vepër arti, sipas konceptit të Deleuze & Guattari “arti ruan dhe ruhet”.
Monumentalja në poezinë e Sibelit nuk është thjesht gruaja do si do, që vlenë për feministet si lëvizje shoqërore por gruaja e lirë dhe e vetëdijshme për lirinë e saj, pra edhe e përgjegjshme!
Autorja ndihet e vetme në secilin vend ku duartrokitën diktatorët dhe frikësohet nga njeriu në jo-liri, prandaj ajo, përkundër traditës dhe moralit të dyfishtë që i bërtet “ul kryet e hesht”, çohet peshë, që është e barasvlershme me kryengritjen për liri, ndonëse liria dikujt rëndom ia ha kokën!
Sibel Halimi është poete e lirisë!
ObserverKult
Lexo edhe: