Lirim Alija: Njerëzimi s’do mundet të shpëtojë nga barbaria

lirim alija

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

______

Flasim përhanshëm me poetin e përkthyesin Lirim Alija

Nga: Xhemazije Rizvani

Thonë se kam lindur katër ditë para Shën-Gjergjit, atë vit kur ka ardhur drita (elektrike) në fshatin tonë, në Tetovë bëhej demonstratë, Martin Luter Kingu do të vritej, e në anën tjetër kosmonautët përgatiteshin të shkojnë në hënë.

Sa i përket fëmijërisë, e kam problem ta përshkruaj, sepse mbaj mend shumë gjëra. Siç shprehte Markezi:”Gjithmonë i kam lënë gjërat të ndodhin dhe kur jam kthyer t’i kujtoj, i kam shkruar vetëm ato gjëra që nuk më janë fshirë nga kujtesa, sepse e kanë merituar”.

Edhe unë kam shumë kujtime bashkë me dy motra dhe katër vëllezër, nga ai kopsht i madh përpara shtëpisë, me pemë e kafshë të gjithfarëlloji, dukej si një park nacional në miniaturë. Nga çardaku vinte vazhdimisht jehona e zërit të një radioje që s’shuhej kurrë, deri natën vonë.

Gjimnazin në Tetovë, me shumë vështirësi. Fakultetin në Prishtinë, e ndërpreva pas një viti, për ta vazhduar shumë më vonë. E kështu me radhë…

Librin e parë e botova vitin e kaluar. Siç themi “ia theva këmbën shejtanit”, ose i hapa shtigjet e librave tjerë.

Ç’gjë tjetër do kishe dashur të jesh, pos njeri?

Meqë jam animalist, e kam vështirë ta zgjedh, por do kisha dashur të jem ujk. Kjo është kafsha ime e preferuar. Madje i kam dedikuar disa poezi. Tash që nëpërmjet një miku, i kam njohur nga afër, e kam vërtetuar se ujku është shumë i veçantë, ndryshe nga ajo ç’na kanë mësuar. Aspak nuk e kuptoj, pse njeriu, në çdo kohë dhe çdo cep të botës, e ka marrë si sinonim të së keqes, grykësisë dhe pabesisë, e në fakt është e kundërta.

A është qenie e mjerë shkrimtari?

Shkrimtari nuk është qenie e mjerë, por gati gjithmonë ndodhet aty ku është mjerimi, ose është në anën e mjeranëve, që pastaj duke u bërë zëri shpërthyes i të mjerëve, edhe ai duket i tillë. Megjithatë, në kuptimin e përgjithshëm ai është fisnik.

Fjala që ju kënaq dhe ju trishton cila është dhe pse?

Fjala babë. Kënaqem kur fëmijët e mi i shoh të lumtur dhe më thirrin kështu, por edhe trishtoj kur i shoh të mërzitur dhe më thirrin kështu (duke menduar se mund të kenë ndonjë hall dhe që nuk e di a do jem në gjendje t’ua zgjidh).

Si duket vetmia e poetit?

Asnjëherë nuk do të kisha thënë se te poetët ekziston vetmia. Kjo nuk qëndron si fjali. Ose, thënë më konkretisht: poetët më shumë preferojnë të jenë të vetmuar sesa me njerëz çfarëdo qofshin ata, sepse ai ka me “kë” të flasë, të argëtohet, mbase edhe të zihet. Janë pra personazhet që vazhdimisht gëlojnë në botën e tij imagjinare.

Një poet me fat, kë ka atdhe?

Atdheu i poetit nuk është gjeografik, apo fizik, i caktuar me harta e kufij. Natyrisht që ëndrrat nuk e largojnë kurrë nga vendlindja, por ai më shumë do të preferonte të jetojë midis kafshëve të Savanës, se në një megalopolis të zhurmshëm dhe ku mbretëron padrejtësia.

Cilët janë shkrimtarët tu të preferuar?

Janë të shumtë. Nëpër kohë e nëpër faza të ndryshme, edhe preferencat e mia kanë qenë të ndryshme. E gjithë kjo përmbledhur, tash mund të them se: Gëte, Dostoevski, Balzaku, Kadare dhe Sabato janë më të mëdhenjtë.

Cili është poeti që do të kishe dashur të jesh?

Rabindranat Tagore, Nazim Hikmet dhe Agolli.

Si duket ajo bota soriane ku vdiset për një presje ?

Meqë ra fjala, ka thënë Oscar Wilde: “Tërë ditën jam mbytur t’ia gjej vendin një preseje, pastaj në mbrëmje prapë e hoqa ».

Çfarë ka të tmerrshme politika?

Të përgjigjem si Sokrati me pyetje: a ka diçka që nuk ka të tmerrshme politika?!

Ajo i tjetërson njerëzit, i zhvesh nga virtytet dhe i largon nga miqtë.

Për ndonjërin është si qumështi që vlon, po nuk e heqim me kohë nga zjarri, ai derdhet dhe bëhet shkrumb.

Pa cilin libër s’e imagjinon dot letërsinë, pse ?

Pa “Don Kishotin”. Le që është romani i parë i mirëfilltë, por edhe për nga natyra, zë vend nëpër të gjitha drejtimet, periudhat dhe stilet letrare. Ashtu siç janë edhe tragjeditë e Shekspirit, “Fausti”, “Ferma e kafshëve”, “Idioti” dhe “Ana Karenina”.

A do të shpëtojë njerëzimi nga barbaria ?

Asnjëherë nuk kam qenë nihilist, skeptik dhe pesimist, por vështirë e kam të besoj se njerëzimi do mundet të shpëtojë nga barbaria. E vetmja gjë që na ka mbetur është të shpresojmë që mos të shtohet (rritet) ky fenomen i trishtë.

Çfarë ju mallëngjen?

Nuk më kujtohet kush e ka thënë këtë, por më pëlqen shumë: “Nostalgjia është pikturë e vizatuar nga ngjyrat e kujtimeve”.

Për mua, nostalgjia është vuajtje që shkaktohet nga dëshira e parealizuar për t’u kthyer dhe nuk ka dhimbje më të madhe sa të kujtuarit e çasteve të lumtura.

Të gjithë pranojmë dhurata. Mirëpo, kalon një kohë dhe nuk na kujtohet nga kush dhe çfarë ishin. I ruajmë vetëm ato që na thumbojnë, por pa dhimbje nga nostalgjia.

Dikur grupi i njohur The Doors, pos tjerash, këndonte edhe këto vargje:

Do kisha dashur t’i këmbej të gjitha të ardhmet e mia për disa të kaluara.

Nostalgji nuk do të thotë vetëm të kujtuarit e çasteve të kaluara, por edhe ato që kurrë nuk kanë ndodhur, por që kanë mundur të ndodhin. Dhe pikërisht këto janë më therrëset.

E dhimbshme është ajo që tashmë ka kaluar dhe e cila nuk shlyhet kurrë, por ajo që djeg më tepër është ajo që kemi dashur ta bëjmë, por nuk kemi mundur.

Ajo është një rrëqethje.

Sa më shumë të plaket njeriu aq më tepër ngulfatet nga nostalgjia.

Dhe nëse në sytë tanë shkëlqen drita e kujtimeve, është mirë që ta lëshojmë veten në atë udhëtim, edhe pse do mbetemi duarbosh.

Shpesh ne mendojmë se ndiejmë nostalgji për ndonjë vend të largët, ndërsa në të vërtetë kemi nostalgji për kohën e kaluar në atë vend. Kështuqë në këtë rast, koha na mashtron duke vënë maskën e hapësirës.

Ajo sikur na ngul thikë pas shpine. Nostalgjia do të thotë, ta kuptosh se gjërat nuk kanë qenë aq të padurueshme siç i kemi menduar dikur.

Të rinjtë e shikojnë të ardhmen si pleqtë të kaluarën. Të parët me shpresë, të dytët me mall.

Është e vërtetë se largësia i zvogëlon gjërat në pamje, por jo edhe në kujtesë, përkundrazi ajo i zmadhon më shumë.

Si e mendoni përjetësinë?

Ah…përjetësia është dhunti e njerëzve të devotshëm; të devotshëm në çdo lëmi, në përpjekje për të lënë gjurmë dhe vlera të dobishme për njerëzimin, me të cilat do të mbahen mend sa të jetë kjo botë. Siç ka thënë Niçe: “Disa njerëz lindin pasi të vdesin”.

Kush s’të meriton?

Nuk më meriton dyftyrshi, ciniku, gënjeshtari, mediokri…

Pse çdo gjë shkon mbrapshtë?

Është shumë e thjeshtë: përderisa dominon injoranca dhe nëpërkëmben dijetarët kështu do të lëvizin gjërat.

Ku qëndron Lirim Alija midis shenjtorit dhe mëkatarit?

Më pëlqejnë artet e bukura dhe jam i prirur për poezi e të ngjashme, shkruaj për gjërat e shenjta, siç është dashuria, atdheu etj., ndihem i shenjtëruar; por, kur mendoj se pjesën më të madhe të jetës dhe energjinë e kam derdhur në vend të huaj, atëherë ndjehem mëkatar.

Ç’ju ngjall vjeshta?

Para ca ditësh e kam thënë këtë: dimri është stina e ëndrrave, pranvera ajo e rizgjimit, vera e fjalëve, ndërsa vjeshta e fakteve. Edhe pse kam lindur në pranverë, prapë vjeshta më pëlqen më shumë, aq sa do ia jepja medaljonin e artë. Si të them…është stina e romantizmit.

Ç’farë s’ndryshon në ju?

Korrektësia, sinqeriteti dhe altruizmi.

Kush jeni ju?

Jam ai që përpiqet të flasë me natyrën, malet, kafshët, vesën…

Jam ai që i pëlqen të laget nga drita e hënës.

Jam ai që në vetvete u këndon serenata vajzave të botës së vet imagjinare.

Për kë ju marrin të tjerët?

Një pjesë më marrin për njeri me qëndrim, punëtor i madh, energjik, artist…

Ka prej atyre që më marrin për të krisur ose të demoduar, kuptohet, kur më shohin me libër në dorë, apo duke shkruar.

Ka edhe disa që më thonë “autori i Alkapones“.

ObserverKult