Llazar Siliqi: Ndër sytë e tu buron si dritë dashnija

Ndër sytë e tu buron si dritë dashnija,
ani se goja hesht, kur flasin sytë.
Në mes të njerzve më pushton vetmija,
kur vetëm jam unë ndjehem vetë i dytë.

Por larg çdo brengë, vetmija të mërgohet,
për sytë e tu kjo kangë le të buçasë,
që dashunija të qëndrojë e ngrohët
dhe kur dëborë mbi flokë na kem’ me pasë.

Shikimi yt i ngultë, çdo përshëndetje
më nxit një varg të ri plot hir me nisë,
dy sytë e tu të pi më ftojnë me etje
në të përjetshmen gurrë të poezisë.

Pendën me zanë, me ndejë syçelë gjithë natën
më frymëzojnë dy sytë e tu të rrallë,
veç ata sy mund të shpërthejnë shtërgatën,
në parzëm mund të derdhin zjarr e mall.

Qiellin vështroj ndër sytë e tu si shtrihet,
ndër qiej me u ngjitë na thrrasim shoqishojnë.
Dhe zemra ime meket a përtrihet,
kur sytë e tu trishtohen a shendojnë.

Kur qeshin sytë e tu – lulzon pranvera,
dhe pse e ambla stinë ende asht larg.
Nuk janë, jo, gjeth, që mbi asfalt mbledh era,
fjalët që hyjnë prej zemrës fill në varg.

Ndër sytë e tu unë shoh përpara detin
e larg andrrat e mija tue lundrue…
Ku shkojnë ato? Ku e çojnë ato poetin?
Drejt lumtunisë që rrjedh përjetë si krue?…

Dy sytë e tu më rikujtojnë sot mallin
e dashunisë së viteve të parë,
një botë të tanë dy sytë e tu më ngjallin,
dy sytë e tu të thellë e mendimtarë.

Për ty, e dashun, vargjet le të mbeten
si një kujtim që koha s’e venit.
Dy sytë e tu ndoshta kam pritë gjithë jetën,
ndaj kam në shpirt kaq ngrohtësi e dritë.


LEXO EDHE: PROMOVOHET “NJË JETË NË FLUTURIM” I POETIT DRAGO SILIQI, LAURA KONDA FLET PËR TË ATIN

Ndonëse prania fizike e të atit, gazetares Laura Konda, i ka munguar që në moshën 2-vjeçe, përmes veprës që Drago Siliqi la pas, nëna e saj Drita Siliqi, ka ditur të mbajë gjallë figurën e prindit të munguar në familje. Prandaj, edhe në këtë 90-vjetor të lindjes së poetit edhe kritikut Drago Siliqi, gazetarja ka zgjedh që të nderojë atin e munguar fizikisht përmes promovimit të librit “Një jetë në fluturim” nga Drago Siliqi te Kalaja e Tiranës…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU