“Loja e dreqit”, poezi nga Zyrafete Manaj

zyrafete manaj

Poezi nga Zyrafete Manaj

Fol pse hesht…?
një kat më lart e ke motrën tjetër
të voglën një kat më poshtë
babain ta vramë mbrëmë, rezistoi…

Një shurrdhim në veshët e mi, mos beso ma thotë ndërdija…
Mashtrim…!
mundohem të buzëqesh, gllënjka gjaku ma zanë frymëmarrjen, alivanosem…!
kova me ujin e ftohtë jep rezultatin:
“zgjohem”.

-Hë si t’ u duk, a pe ëndërr fitoren tënde…?
zgërdhirje, gojë të shkumbëzuara në cepa të buzëve, dihatje…
do të vdesësh në dru po s’fole, rebele.

Çel guri gojën- aq unë,
vetëm mendimet flasin brenda meje
silueta njerëzish të mi,
më flasin…
Dielli lind pas stuhisë.

Errësirë mbytëse në dhomën trekëndësh
pluhur me pëllëmbë,
minjtë lozonjar luanin lojën e tyre, fshehur këmbëve të mia e prangat vritnin keq llërët e duarve, buzët e thara me dromca gjaku.

Portreti im tjerërsuar në emër të lirisë
satrapët që shanin tokë e qiell, nanën që më lindi e orët që më sollën në jetë…!
-iredentiste që na prish vllaznim-bashkimin
dhe kohën “e artë”.

Sa më shumë shtoheshin torturat, aq më tepër forcohej besimi në mua:
unë dua të jem një shpirt i lirë, me krah dallëndyesheje, t’i shijoj kaltërsitë.

ObserverKult


Lexo edhe:

ZYRAFETE MANAJ: PA LAMTUMIRË