Lou Lipsitz: Puna ime

lewis lipsitz

…dhe shikoj
për njëfarë krahasimi brenda meje:
ndoshta është një dyqan ushqimor  i rrethuar nga deti
dhe rrobat e shqyera prej të cilave uji i detit pikon.
Pablo Neruda

Shoh pronarët e mposhtur
të shtëpive tona të plazhit të brendshëm –
muret e tyre të fundit bien në det.
Valët e gjate fshijnë
aq shumë dekada, aq shumë
përpjekje
për t’i mbajtur të gjitha në këmbë.

Shoh zotat gjigant të pamëshirshëm të oqeaneve,
brenda nesh,
demonë që kanë krijuar
dhe shkatërruar aq shumë,
por tash qëndrojnë me duar në ajër,
duke gjestikuluar, të paaftë për të treguar,
për të kuptuar
se çfarë kanë bërë.
Shoh infermiere të verbëra në dhomat e urgjencës
të detit,
duke kërkuar gjithë natën një fashë,
duke u lutur në gjuhët e tyre të qeta,
duke shpresuar të hetojnë ndonjë zgjidhje,
ndonjë shteg drejt
burimit që supozohet se do të
ishte atje.

Sa humbje, evazione,
sinjale të porsafilluara:
tërmete të vogla brenda qafës së fëmijës,
zorrët e ngatërruara që përdridhen dhe shtrydhen
si këmbënofullat e oktapodit
dhe frymëmarrje që mund të vazhdohet, e
rëndë dhe e pangushëllueshme.
Dhe së fundmi, impulse që ta plasin shpirtin
duke kërkuar një formë, si një dorë,
që kërkon të ngrohet në zjarr,
të skalitet në kudhër.

Duke i pritur këto shkatërrime,
jam në shtëpi në dyqanin tim
i rrethuar me det.
Figurat tërhiqen
nga oqeani i rrahur nga era,
duke hedhur çfarëdo gërmadhe
që u ka dalë përpara.

Me një ceremoni të vogël,
I përshëndes.
Ua marr rrobat
të qulluara nga uji i detit dhe
i var në litarin për tharje gjithnjë të pranishëm
dhe i pavënë re në horizont.

Përktheu: Fadil BAJRAJ