Bash në zemër të tragjedisë sonë
Para pasqyrës tërë ditën kundruar
Kreh flokët e artë e unë duke kujtuar
Se zjarrin po shuan me ato duar
Bash në zemër të tragjedisë sonë.
Para pasqyrës tërë ditën kundruar
Kreh flokët e artë sikur lodron
Bash në zemër të tragjedisë sonë.
Luan një melodi harpe pa i besuar
Para pasqyrës tërë ditën kundruar.
Kreh flokët e artë sikur lodron
Teksa vret mendjen për të kujtuar.
Para pasqyrës tërë ditën kundruar
Rindez pareshtur prush të lulëzuar
Pa thënë çka një tjetër do kish treguar
Ajo vret mendjen për të kujtuar.
Bash në zemër të tragjedisë sonë
Si kjo dreq pasqyre bota ngjason
Krehëri ndan një prush të valëzuar
Që kthina kujtese më ka ndriçuar.
Bash mu në zemër të tragjedisë sonë
Siç brenda javës e enjtja qëndron
Dhe para kujtesës tërë ditën kundruar
Shihte teksa vdisnin të pasqyruar
Një nga një aktorët e tragjedisë sonë.
Më të mirët e kësaj bote të mallkuar
Njihen e s’ka nevojë për t’ua kujtuar
Mbrëmjeve të gjata flakët çfarë thonë
Kur flokëarta para pasqyrës qëndron
Dhe kreh në heshtje tis të flakëruar.
Përktheu: Ilia Lëngu