Luan Mulliqi – një foto dhe disa rreshta

Qerim Vrioni luan mulliqaj

Këto ditët e fundit u nda nga jeta në Amerikë skulptori i njohur nga Prishtina, Luan Mulliqi (Gjakovë, 1953).  Ai kishte kryer studime për skulpturë, fillimisht në vitin 1977 në Akademinë e Arteve në Prishtinë, mandej thelluar ato më 1978 në Akademinë e Arteve të Beogradit.

Luan Mulliqi ka lënë shumë vepra të goditura skulpturore, nëpër galeri, muze arti dhe sheshe e mjedise publike në të dy anët e Drinit, por edhe më gjerë.

Përmendim ndër to vetëm “Shtatoren e Nënë Terezës” në Qafën e Thanës, që dikur ishte në Aeroportin e Tiranës.

Po ashtu, vepra skulpturore të Luanit u janë dhuruar figurave të tilla botërore si Papa Gjon Pali II, Bill Clinton, Mbretëresha Elisabeth II, Sekretares Albright, Princesha Diana, presidenti turk Sulejman Demirel etj.

Me rëndësi në krijimtarinë e Luan Mulliqit, mbetet edhe fryma moderniste që futi në skulpturën shqiptare. Për disa vite, ai ka kryer me sukses detyrën e drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës.

Nga Qerim Vrioni

Sëmundjen e tij e dija prej 2-3 javësh, kur kërkesës time për tu lidhur me të iu përgjigj nga Prishtina i biri, Drini, duke më shkruar së i ati është i sëmurë rëndë, u hidhërova nga lajmi i trishtuar. Vetëm, se nuk besoja që do ikte kaq shpejt, kjo më habiti dhe pikëlloi mjaft.

Në arkivin tim fotografik, këtu ku ndodhem, gjeta vetëm një foto me Luanin, që po e bashkëngjis.  

Kjo foto daton shtator 2008, gjatë shpalljes së fituesit të “Çmimit Gjon Mili” të konkursit ndërkombëtar vjetor të fotografisë me të njëjtin emër të Galerisë së Arteve të Kosovës.

Më poshtë një historik i shkurtër për këtë foto, me shumë gjasë e shkrepur nga fotografi i Galerisë, Enver Bylykbashi, të cilit i jam mirënjohës.

Nga fundi gushtit 2008 më erdhi në Tiranë, një email nga drejtori i GAK Prishtinë, skulptori i dëgjuar Luan Mulliqi, të cilin e kisha takuar një herë me disa miq në Tiranë.

Në email njoftohesha se isha zgjedhur si studiues i fotografisë nga drejtoria e Galerisë, anëtar në jurinë e konkursit “çmimi Gjon Mili”, si dhe mënyra si duhet të udhëtoja për në Prishtinë me avion, pritja në aeroport, akomodimi në “Hotel Grand” etj.

Iu përgjigja pozitivisht ftesës, duke e falenderuar për zgjedhjen tim dhe në datën e caktuar mbërrita në aeroport, ku më priste një shofer taksie me një tabelë me emrin tim, me makinën e të cilit arrita në hotel, ku ishte rezervuar dhoma ime. Në hollin e hotelit më priti Luani.

Mandej, shkuam në GAK, ku takuam poetin dhe piktorin e dëgjuar Rexhep Ferri dhe sekretaren Liri Bulqi e pas bisedave të rastit, shkuam të tre për kafe si miq të vjetër.

Aty, ndër të tjera, Luani më njoftoi edhe emrat e anëtarëve të tjerë të jurisë së konkursit; kineasti dhe fotografi i njohur Afrim Spahiu, dhe një studiuese hungareze e fotografisë.

Gjatë 2-3 ditëve të qëndrimit tim në Prishtinë, u takuam edhe disa herë me Rexhep Ferrin e bashkë të tre konsumuam disa orë në lokale të ndryshme, natyrisht shoqëruar me biseda të gjalla për artet, skulpturën, pikturën, fotografinë dhe poezinë, fushat kryesore që lëvronim ne.

Në datën e caktuar më herët, u hap ekspozita-konkurs “Çmimi Gjon Mili”, me mjaft foto të arrira, nga autorë shqiptarë dhe të huaj.

Ajo u vizitua me mjaftë kërshëri nga dashamirë të shumtë të fotografisë dhe pati jehonë në mediat e Prishtinës dhe të Tiranës.

Një mbrëmje para hapjes së ekspozitës, u takuam me drejtor Luanin, i cili  pasi na përgëzoi për detyrën e caktuar dhe seriozitetin në trajtimin e fotove, e mbylli kur foli shkurt : “Tani është rradha juaj-na tha Luani të treve të jurisë-vendosni e ta shpallim fituesin”.

Ndërkohë i kishim shikuar e rishikuar disa herë fotot konkuruese në ekspozitë e mbajtur shënime. Njoftimi i fituesit po pritej me hamendje dhe diskutime të ndryshme nga dashamirët e fotografisë dhe vet fotografët pjesëmarrës në konkurs.

Pas pak diskutimesh midis tre anëtarëve të jurisë, e kishim vendosur unanimisht që “Çmimi Gjon Mili 2008” t’i jepej fotos “Fëmijët e Krushës” të fotografes shqiptare nga Maqedonia, Mimoza Veliu.

Njoftimi i emrit të fitueses prej meje, si anëtari më e vjetër i jurisë, u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërkohë që Luani na përgëzoi të treve për kryerjen e detyrës së ngarkuar.

Përzgjedhja si fituese të fotos “Fëmijët e Krushës” nga ana e jurisë atëherë, rezultoi e goditur, sepse fotoja prej atij viti përdoret shpesh në shtyp dhe media si simbol pamor i krimeve serbe ndaj popullsisë civile shqiptare.

Bash, një çast nga shpallja e emrit të fituesit, ka përjetësuar fotoja, ku Luani duket pak i lodhur, por dhe i çliruar nga ankthi i përfundimit me sukses të veprimtarisë së njohur për fotografinë.

Gjithsesi, edhe kjo foto do të më kujtoj përherë me mirënjohje figurën e ndritur të Luan Mulliqit.

I paharruar kujtimi i tij!

ObserverKult


Lexo edhe:

ndalni te tana orët oh ma thoni të vërtetën rreth dashurisë poezi nga auden

W.H.AUDEN: OH, MA THONI TË VËRTETËN RRETH DASHURISË

Oh, ma thoni të vërtetën rreth dashurisë, poezi nga Wystan Hugh Auden

Disa thonë se dashuria është si fëmijë,
të tjerë thonë se me një zog ngjan ajo,
disa thonë se botën rrotull e sjell,
të tjerë thonë absurde është kjo,
e kur e pyeta fqinjin që ngjitur meje banon,
që dukej se dashurinë e kishte provuar,
gruaja e tij shtrembër pa,
e tha se s’kishte asgjë për të treguar.

A mos me një palë pizhama përngjan,
apo me proshutën që në bar varur qëndron?
A mos era e saj të kujton një lamë,
apo më këndshëm erëmon?
Nëse e prek, si një gjemb, a të shpon ajo,
apo si puplat, i ngjan butësisë?
Cepat i ka të mprehta, të lëmuara, apo jo?
Oh, ma thoni të vërtetën rreth dashurisë.

Librat tanë të historisë flasin për të,
me kode të fshehura kudo,
por temë e zakonshme është tashmë
në anijet transatlantike, e ngado;
E kam shikuar të përmendet jo rrallë
në shpallje që për vetëvrasje njoftojnë.
Madje, të shkarravitur e kam parë
në fletët që oraret e trenave lajmërojnë.

A ulërin si një pastor i zemëruar gjerman,
apo si një bandë ushtarake shpërthen ajo?
Dikush ritmin dot a ia mban
me një sharrë, piano, apo çkado?
Në festa kënga e saj si zhurmë kumbon?
Apo gjithçka klasike preferon?
A ndalet kur dikush ia ndien nevojën qetësisë?
Oh, ma thoni të vërtetën rreth dashurisë.

Pashë brenda shtëpizave verore;
aty s’kishte qenë kurrsesi:
Në lumin Thames se mos e gjej provoj,
apo në brigjet Brighton plot ftohtësi.
Nuk e di zogu i zi ç’kënge ia tha,
as tulipani s’di çka foli, s’e kujtoj.
Por as në kotec nuk e gjeta, pra,
as poshtë krevatit s’munda ta takoj.

Mimikën dot a e ndryshon?
A i merren mendtë kur në kolovajzë e vënë?
Gjithë kohës në garë shkon,
apo tërheq tela që në harresë janë lënë?
A ka ndonjë mendim të vetin mbi temën para?
A është patriote, a i beson besnikërisë?
Historitë e saj janë vulgare, apo në to zbavitje ka?
Oh, ma thoni të vërtetën rreth dashurisë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult