Luan Rama: Unë shoh veç të kuqen tënde mbi buzë…

Luan Rama

Poezi nga Luan Rama

Ti më flet për të kuqen
ndërsa unë shoh buzët e tua,
– Shihe sa e bukur kjo e kuqe kramoizi, – më thua ti,
e kuqe flakë si dielli ndër duar,
si pelerina e Riçardit të II,
bota e shikonte si një ngjyrë «sacré», të shenjtë,
nga dorë perëndie,
por ah, unë shoh i hutuar veç buzët e tua, flakë,
– Po e kuqja ekarlatë, të pëlqen ? – më thua ti
duke udhëtuar e dehur në të kuqen e botës,
në të kuqen veneciane, vermijon, karmin, «Karpaçio»
hedhur mbi pelerinat e kapuçët e kardinalëve,
e kuqja «Tiziano», purpureus në parshemin,
liturgji e së kuqes,
– Abraham në hebraisht do të thotë “e kuqe”, – shton ti,
por unë prek me gishtërinj veç buzët e tua
pa patur frikë se digjem,
– Kam dëshirë të të dhuroj për datëlindje një këmishë të bukur, – thua ëmbël ti
si në një hark violine të një Hendel apo Brahms,
kam dëshirë të të vesh në të kuqe, torero im,
– Vështro të kuqen e Tintoretos, Rembrandt, Rubens apo Van Dyck…
por unë shoh veç të kuqen tënde
mbi buzë, mbi sy, mbi shpirt,
aty është magjia e së kuqes që më merr të tërin
dhe më përhumb në prushin e natës së gjatë.

ObserverKult


Lexo edhe:

LUAN RAMA: LE TA LEXOJMË SENEKËN PËR TË MËSUAR DIÇKA PËR VETEN DHE BOTËN NJERËZORE!