Nderimi për Pagarushën në Londër

Artistë pejanë sonte do të interpretojnë para publikut londinez shkëputje nga kompozitorë të huaj e shqiptarë. Teksa ata janë nisur pasditen e së martës drejt Londrës, shkas për këtë koncert është bërë edhe këngëtarja e madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, e cila u nda nga jeta javën e kaluar.

E përpos nderimit për divën e muzikës shqipe, edhe përvjetori i 12-të i Pavarësisë së Kosovës është një nga arsyet e organizimit të koncertit dyorësh. Në këtë koncert do të performojnë profesorë nga Fakulteti i Arteve të universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Bashkë me ta do të jenë edhe dy artistë shqiptarë që kanë bërë emër në skenat e Gjermanisë dhe të Italisë.

“Koncerti i dedikohet të madhes Nexhmije Pagarusha dhe Pavarësisë së Kosovës. Për këtë arsye edhe veprat që do të interpretohen janë përzgjedhur me kujdes”, ka thënë flautistja Dardane Nallbani, ligjëruese në universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, me të mbërritur në Londër.

Në koncertin që fillon sonte nga ora 19:00 në mjediset e “Holy Trinity Church”, një kishë anglikane në Londër, pos Nallbanit do të performojnë mëzosopranoja Besa Berberi, klarinetisti Fatbardh Gashi dhe pianistja Mimoza P. Drançolli. Në program janë shkëputje veprash nga kompozitorë të njohur botërorë si Bach, G.F. Handel e R. Schumann. Por publikut londinez nuk do t’i mungojnë as shkëputje nga krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë si Th. Simaku, R. Dhomi, T. Harapi, K. Gashi e H. Nimani./koha