Luan Zhegu & Ledina Çelo: Erdha sërish i përmalluar… (teksti dhe muzika)

Si njëri nga kantautorët më të suksesshëm shqiptarë, me një talent që e ngjiti në skenat më prestigjoze muzikore, në afër 50 vite karrierë artistike, Luan Zhegu do ta veçoj vetëm një duet… duetin me këngëtaren Ledina Çelo.

“Emocion më të madh ose mund të them një lloj lumturimi në qenien time (ndoshta e pa shprehur) ka qenë në vitin 1995, kur unë kam kënduar një duet me Ledina Çelon “A e doni dashurinë?”.

Ishte një këngë e Osman Mulës me tekst të Jorgo Papingjit. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Mbas 7 vitesh unë iu ktheva skenës. Sepse ishin vitet e fluiditetit të mendimit njerëzor me emrin e koduar “tranzicion”.

Ishin vitet e hallakatjes së mendimit njerëzor ku çdo njeri donte të prekte atë që nuk e kishte prekur për 45 vjet. Unë përjetova një emocion shumë të madh. Isha në ethe. Mendoja se si do të më priste spektatori. Doja të kisha një performancë solide. Edhe sot i kam të freskëta ato momente.”

I vlerësuar me shumë çmime, për interpretimin e tij autentik, për kthjelltësinë dhe cilësinë e zërit, por dhe për aftësinë e tij si kompozitor ai ka marrë edhe titullin “Mjeshtër i madh i skenës”. 

Në vazhdim ju sjellim tekstin e këngës “A e doni dashurinë?” të kënduar nga Luan Zhegu në duet me këngëtaren Ledina Çelo:

Erdha sërish i përmalluar
Me pika loti nëpër sy
Në këtë skenë ku kam kënduar
Vetëm për ju

Këndo dhe ti rini me zërin tim
Këndo me zërin tënd për dashurinë
Më jep rininë ti, dashurinë
Ritmin plot magji në këngën time

Një këngë na mbeti pa mbaruar
Na mbeti pezull një dëshirë
Një dashuri pa dashuruar
S’u tha një lamtumirë

Ku janë ato që dashuruan
Në mes lëndinave dhe në mal
Ku janë vajzat djemtë ku shkuan
Më vjen të qaj…

Njerëzit që dëfrejnë, yjet që shkëlqejnë
sonte dua t’i shoh
Dhe në gëzime fëmijësh jehon dashuria – o
Ju na falët zemrën, ne ju falëm këngën
Tinguj që s’kanë mbarim
Në këngen time këtë mbrëmje
Jeni ju refreni im

Dhe ju kënduat bashkë me mua
Në zërin tim plot dashuri
Sa jetën time unë ju dua
Ndaj erdha përseri

Dhe bashkë me ju kënduam
Dhe gjetem vehten në çdo varg
Në krahë ëndrrash fluturuam
Shkuam larg…

Njerëzit që dëfrejnë, yjet që shkëlqejnë
sonte dua t’i shoh
Dhe në gëzime fëmijësh jehon dashuria – o
Ju na falët zemrën, ne ju falëm këngën

Tinguj që s’kanë mbarim
Në këngën time këtë mbrëmje
Jeni ju refreni im
E doni dashurinë – Po!

E doni Shqipërinë – Po!

E doni shpirtin tonë -Po!
Ritmin tonë – Po!
Të këndojmë të gjithë së bashku
Ju na falët zemrën, ne ju falëm këngën
Tinguj që s’kanë mbarim

Në këngën time këtë mbrëmje
Jeni ju refreni im
Në këngën time këtë mbrëmje
Jeni ju refreni im.

Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

LUAN ZHEGU: DITËT QË NA PRESIN (TEKSTI DHE KËNGA)