Rreth romanit “Lindur së prapthi” të Rita Petros, botuar nga Onufri, 2022
Nga: Dije Demiri-Frangu
Romani i poetes Rita Petro “Lindur së prapthi”, është një prapëthim i prozës sonë, prapëthim për të nxjerrë faqen tjetër të mundësisë së rrëfimit në prozë. Ndaj, është një risi letrare, një formë e re e rrëfimit dhe konceptimit të romanit, përmes shpërfaqjes e dominimit të emocionit i cili e mund dikataurën, mbështjellësen e hekurt të jetës atje.
Rrëfimi në këtë roman shtrihet si një retrospektivë e gërshetuar me realitetin aktual, është një rrëfim i pa asnjë tendence, pa ndonjë rrotullim brenda një boshti e as personazhi të ngritur në protagonistë. Ata shfaqen me botën e tyre, ikun e vinë tjerë, çdoherë duke bartur situata e botë unikale. Unë nuk pajtohem me mendimin e Bartit për autorin dhe veprën si dy qenie, si dy etnitete, është një tentim i dhunshëm për largimin e lexuesit nga autori, sepse duke qenë se kam lexuar poezinë e autores, do ta dija se autorja është Rita. Gjithkund e shkund shpirtin e vet origjinal me plot sinqeritet.
Rita nuk e ndërron stilin, nuk zbrapset, shpirtërorja e pasioni jo që është fryma por është materia, lënda e romanit. Si titull vepra prejudikon veta të ndryshme rrëfimi, (unë /ti, ai, ajo/ne/ju/ata), të lindur së prapthi, por zëri i parë i rrëfimit, duke ndërtuar fokalizimin – raportin shpirtëror me tekstin, ambientin e personazhet – fokalizim të brendshëm emocional rrëfyesja ka me djemtë, prindërit e me të tjerët, ajo i di e i kupton mendimet e tyre, ajo kështu ndërton e dëshmon identitetin letrar.
Teksti ndjehet si rrëfim në veten e parë, gjë që i mundëson autores unifikimin me ndodhitë, me tekstin e heronjtë, ajo i sheh situatat, i zhvillon i rrëfen nga brendësia e saj, nga kujtimet e fëmijërisë deri te tranzicioni e pasojat e tij, në shtetin e saj, Shqipërinë. Nga pozita e rrëfimtarit të gjithdijshëm dhe gjithkundshëm, autorja sa na shfaqet me një rrëfim të drejtpërdrejtë e infantil sa me një rrëfim ironik si një qëllim artistik për ndërtimin e një dallimi esencial mes asaj që e shkruan dhe asaj që e thotë, duke e thënë në formë të përmbysur, duke e thënë së prapthi, për të mbjellur ironinë në tekst.
Duke u nisur nga Prologu deri te Epilogu, romani është një bisedë, një rrëfim i hapur, i sinqertë për kohë e njerëz të ndryshëm, të duket sikur je në një tavolinë miqësh me autoren, që duke pirë kafenë, dëgjojmë dhe kollofisim edhe bisedën e saj, rrëfimin e saj për fatin e Maros, Udhëheqësit të Madh (psikologjia e frikës-mos m’ i ia lexon mendimet dekadente Udhëheqësi), për Ardianin, komunizmin si kohë, dhunën e burrit që therr gruan, lutjet fetare të gjyshes që i bën fshehurazi, kureshtja për njerëzit e ambasadave, për Marinë e futur në çmendinë, motrën Ariana (Infantiliteti-kafshon motrën, pyet mos tërbohet motra nga kafshimi i saj ashtu si ngjan me kafshimin e qenit), vdekja e gjyshes dhe veshja e nënës në të zeza-zakonet, Niku i arratisur me gomone-aktualiteti, zilia e vajzave shikuar nga këndi i i fëmijës dhe adoleshentes, shndërrimi i kishave në palestër, bërja dashuri në to-ironizim e mohim, ekuilibrimi politik nga babai familje tradhtaresh nga nëna heronjësh e babin herë e fusnin herë e nxjerrnin nga shënjestra, personazhi i piktorit, menstruacioni i parë, bullizimi, xhaxhi Franci, gruaja muslimane- nona Merjem e deri te komunikimi në fb, që ka t bëjë me aktualitetin, e një sërë mini temash, që e bëjnë veprën si një mozaik të rrallë me plot ngjyra.
Romani domosdo dominohet me forcën e seksualitetit të njeriut, ndaj shfaqen vasha në pubertitet, me një guximi atipik për letërsinë tonë derisa në këtë rast është vasha iniciatore, projektuese e takimeve e lojnave dashurore, e gjuajtjes së gjahut.
Këndvështrimi narrativ i autorës është të njohë e të di shpirtin e atyre që e shoqërojnë, jo qëllimet se zakonisht qëllimet ju mungojnë ose autorja nuk ua shfaq, ata kryesisht jetojnë sipas inercionit emotiv edhe shoqëror, ndaj rrëfyesja i përcjellë përmes një ironie dramatike dhe parasegjithash gjuhësore, duke lënë dykuptimësinë për lexuesin përmes dualizmit gjuhësor.
Ajo çka nuk ka si ik lexuesit është rrëfimi ekspresiv, atëherë kur rrëfyesja është fëmijë dhe atëherë kur është e rritur, rrëfimi ka elemente infantiliteti shkaku i situatave dhe të menduarit fëminor, të komentuarit e sinqertë të situatave gjë që ndodhë edhe kur autorja rrëfen si e rritur. Rrëfimi përmes teknikës infantile, i mundëson autores kreacione të rralla, kjo nënkupton që fëmija i brendshëm i autores është dominant.
Natyrisht, romani ka elemente autobiografike që nga fëmijëria e saj, dhe infantilizimi i rrëfimit është i natyrshëm, sado që ndonjë herë edhe mund të duket simulativ. Konceptin e vrojtimit të fëmijës, përjetimeve të asaj moshe e njëkohësisht logjika e rrëfimit është përceptim të rriturish. Duke qenë se romani shpesh ka ngjarje që tingëllojnë reale, sidomos elementet e traumave fëmijënore e adoloshente, shihet inspirimi nga përvojat e dhembshme, kjo bëhet përmes tematizimit të komunizmit e tranzicionit gjë që i ndihmon të këputet rrëfimi linear, duke u kthyer në kohën aktuale të saj nga fëmijëria deri te tranzicioni, gjithmonë përmes këndvështrimit femëror. Vetë titujt e parullave komuniste japin elementin dokumentues të kohës, sadoqë ato duken si lojna fëmijësh. Demaskimi i komunizmit përmes ngacmimeve seksuale që bëjnë profesorët ndaj nxënëseve dhe detajet e tjera, në shumë raste i japin romanit elemente të një ditari.
Rita është një grua krijuese që kur lexohet, e mendon si një zonjë të rritur në një ambient shoqëror të hapur dhe shumë të avansuar në realizimin e të drejtave të grave, se është rritur në një ambient ku gjërat kanë rrjedhur me rënie të lirë dhe ku fjala nuk është thënë me hala. Jo gur, po as një guralecë nuk i del para rrëfimit të saj transparent dhe plot guxim për botën e gruas, asaj emocionale dhe fiziologjike, sadoqë fakti është se Rita, është rritur në një shoqëri me kriza sociale e politike, me një diktaturë shumë diktatoriale dhe në një ambient të fundosur në paragjykime.
Ndaj, ajo ndërton personazhe pa varësi emocionale por me qëllime për dekonstruktimin e mendësisë shoqërore për gruan si një qenie të dorës së dytë të njerëzimit. Shihet se Rita, ka një sjellje ndryshe ndaj letërsisë, dhe krijon një botë tjetër letrare. Tek e fundit, dallimi në letërsi bëhet nisur nga mënyra e shkrimit, e Rita edhe në romanin “Lindur së prapthi”, letërsinë vazhdon ta mbajë si miken më intime, i ofrohet shlirë përmes një vizualizimi ironik të realitetit komunist e postkomunist, të cilin ajo e lufton me botën hormonale të të rinjëve dhe të kryeprotagonistes. Pikërisht rinia mund ta bënte mohimin e kësaj shoqërie diktatoriale së paku përmes pasionit dhe seksualitetit . Thjesht, dëshmia e autores del të jetë se sado një vend diktatorial të jetë, nuk mund e ndryshon inercionin shpirtëror të njeriut, kah liria.
ObserverKult
Lexo edhe: