Romani “Emigrantja”, orvatet të depërtojë në thellësitë akoma të paqëmtuara të emigrimit

Kur botohet një roman, ngjarja në vetvete përbën një rast të volitshëm për të kremtuar një prurje të re në letërsi, duke ofruar çdo shkrimtar i ri gjurmën e vet burimore në këtë fushë kaq fisnike të botës së artit, ku krijuesi dhe krijueshmëria gjejnë strehë qëkur njeriu për herë të parë, për arsye akoma të paditura saktësisht, vendosi t’i shndërrojë në të pavdekshme përmes shkrimit, kujtimet e tij.

Kështu, çdo botim i ri ngërthen një vlerë të re, një frymë të panjohur e një këndvështrim të ndryshëm mbi jetën, njerëzit, botën dhe mjedisin tonë jetësor, e nëse të gjitha këto veçori arrijnë të bashkëjetojnë fort natyrshëm, pa asnjë artificë, qoftë edhe letrare, në hapësirën e faqeve të një romani, atëherë “detyra” e autorit mund të cilësohet e kryer, dhe i mbetet tanimë lexuesit që të shuajë kërshërinë e tij letrare duke u përvjedhur në brendësinë e librit që porsa është shfaqur në trajtë të shtypur.

Romani “Emigrantja” i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri, përgjatë shtegtimit shumëvjeçar të përgatitjes, qëmtimit, përditësimit dhe botimit të tij, qysh nga dorëshkrimi i parë në zanafillë, një dhjetëvjeçar e gjysmë më përpara, e deri në botimin përfundimtar, në vjeshtën e vitit 2019, ka kaluar nëpër një vazhdë të atillë të papriturash të mundimshme, saqë vetë procesi i jetësimit të tij, mund të përbëjë një histori më vete, që shtjellohet vetvetiu krahas përmbajtjes letrare që shpërfaqet për lexuesin në faqet dhe kapitujt e tij.

Por fundja, ky është gjithaq fati i shkrimtarit dhe veprave të tij, ku shpeshherë ndërthuren, thuajse në një simbiozë tërësore, ana kryekëput letrare e një krijimi, siç është edhe romani, me anën e panjohur që ndërlidhet me shkrimin e një vepre, me malet metaforike që nevojitet jo rrallë të kaptohen nga autori/ja për të arritur gjer në ditën e botimit të romanit përkatës, përkundër vështirësive, gjasave të pamundura, shpotive të fatit, tallazeve të jetës, e gjithçkaje tjetër me të cilën një shkrimtar/e nevojitet të bashkëjetojë në krijim/shkrim e sipër të veprave të tij/saj.

Emigrantja është një roman që orvatet të depërtojë në thellësitë akoma të paqëmtuara të emigrimit si dukuri specifike, veçanërisht shqiptare, duke mbuluar kryesisht këtë fenomen social, historik, etnologjik, gjuhësor e gjeografik, në Greqi, por duke mos u kufizuar veç me këtë vend, ku shqiptarët janë të pranishëm prej shekujsh e mijëvjeçarësh, duke bashkëvepruar pikësëpari njëri me tjetrin, mes valëve të ndryshme të epirotëve, arvanitasve të shumtë, emigrantëve shqiptarë të pas vitit 1990, dhe grekëve vendas, krahas kombësive jo të pakta që jetojnë nën shtresën në dukje homogjene të shoqërisë helene, mes vllehësh, sllavësh, turqish, hebrenjsh, etj.

Ky synim vijon me këmbëngulje gjer në Stamboll, ku shqyrtohen imtësisht jetët dhe përvojat e të tjerë shqiptarëve të mërguar, gjithnjë në këndvështrimin dhe ngjarjet e larmishme, shpesh të dhimbshme, por më shpesh frymëzuese, të një gruaje shqiptare, personazhit kryesor të këtij romani, e cila, gjatë udhës së saj përmes emigrimit, shndërrohet në thelbin e këtij libri, duke notuar në ujërat e stuhishme të plot ndodhive, njerëzve, kujtimeve, kohëve, epokave, vendeve, qyteteve, gjuhëve e dashurive, gjersa ajo njësohet me titullin e romanit, “Emigrantja”. / ObserverKult