Luljeta Lleshanaku: Erdha, pashë, shkova…

I përkulur në një kënd të bukur 45 gradë,
sy të ngulur në filmat me karton dhe hije mbi zverk,
mund të mendosh se ke të bësh me një statujë parku,
por jo, është im atë,
i cili
sapo e zgjodhi
shprehjen me të cilën unë do ta mbaj mend.
Me të është e lehtë; askush nuk pret ndonjë gjë prej tij,
i rrethuar me harresë dhe falje.
Madje mund të vazhdojë të rrijë pa lëvizur
edhe për një milion vjet të tjerë,
si një fosile brenda në qelibar.

E cili ishte profil i gjyshërve të mi?
Krejt aksidental. Ata pozuan për njëzet minuta
para një aparati të vjetër fotografik Daguerre,
i cili shkrepi tinëzisht, në momentin e gabuar,
kur kripa i nxori në sipërfaqen e një deti të vdekur.

Xhon Koltrein kurr nuk sheh drejt teje. Vështirë
t’i fiksosh një gjest a një emocion. Ai thjesht luan jazz.
Mat kohët me shputë. Vigjilent,
për të ndërhyrë me melankolinë e tij në momentin e duhur,
si me një xhaketë për një grua nudo.

Van Gogu i skiconte portretet e tij nga prapa
dhe disa prej tyre i quajti “jetimë”. Apo qe ai që u skicua
prej shpinave, si një fotograf i çastit,
që të ngec një kopje akoma të qullët të vetes në dorë?

Kur time bije, Leas, 3 vjeçe, që kishte frikë nga kamera,
i duhej një foto për pasaportë,
unë e mora në krah, pozuam të dyja bashkë. Mjeshtri,
si të vetmen zgjidhje, e preu me gërshërë fytyrën e saj prej
meje,
duke u shkëputur nga konteksti.
Ajo ndihet e qetë brenda atij identiteti fals;
ajo nuk e ka zbuluar tradhtinë akoma.

Kjo turmë gazmore të rinjsh, me këmbët që merren nga
birra,
del nga një klub e hyn në një karantinë shprese.
Errësira ndahet në kubikë të përkryer xhelatine.
Gjumëprishurit,
nervozë, ngatërrohen nëpër këmishët e natës prej bezeje
si statuja në prag të inaugurimit.

Kurse statujat e heronjve dhe sundimtarëve në sheshe
duket se e kanë fituar lojën me kohën. Me një pamje
triumfuese
prej Jul Cezari, të gjitha thonë: “Erdha, pashë, fitova!”
Po a nuk ishte e njëjti Cezar ai që, me sy të zgurdulluar,
një thikë në fyt,
të fundit frazë që tha, qe: “Edhe ti, Brut?!”

ObserverKult

———————————————————————————-

Lexo edhe:

(VIDEO) HOMAZH PËR ADEM GASHIN/ EMIN Z. EMINI FLET PËR KRIJIMTARINË E GASHIT- FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS 2