Luljeta Lleshanaku: Me ty

Do të ulem në kënd të buzës
si në një shkëmb, pranë një ujëvare
e sigurt se s’do më rrëmbejë shtjellë e fjalëve.

Do të ulem në kënd të syrit
si një zambak i mbirë në ujë pranë bregut
me fletë të vogla që t’mos zë shikimin.

Se unë në fund të fundit, ç’jam? –
Një dallgë e ngrirë në hapësirë
e shkulur nga deti i gjoksit tënd.
Shtrin duart të më arrish e s’më arrin.