Luljeta Lleshanaku: Pesë vite jetë për një dështim në dashuri

Edhe kësaj vere po i vjen fundi.

Nuk e kam fjalën për pishinat e thara,
as erën që rrëmon për kërma si këlysh çakalli
mbi ranishtë…

E kam fjalën për një tjetër verë,
për të tjera shenja.

Momentin kur ndien që ylli yt po ftohet
dhe e nxjerr nga gjoksi jashtë dhe e qep mbi xhaketë,
apo mbi jakën e palltos,
që të tjerët, më në fund, të mund ta vënë re.

Kur mëson të negociosh:
pesë ëmbëlsira për një cigare të vetme,
pesë vite jetë për një dështim në dashuri,
pesë jetë fluture për pesë ditë krimbi në pupë,
kur kupton
se idhtësia është çelësi i ekzistencës.

Dhe kur sheh që relievi i fytyrës së nënës
dhe gjestet e babait
përsëriten përpikmërisht tek ti,
pa asnjë alternativë,
si qyteti i rikthyer në rutinë
pas heqjes së dekorit euforik të festave.

Çfarë ndodhi me atë që dikur na bënte unikë?

Nën derë, duar të panjohura
fusin fletushka promocionale
me ofertat e veshjeve të fundsezonit.

Janë stoqet e verës.

Dhe poshtë jastëkut
të tjera duar
fusin fshehurazi netëve sfida me gjysmë çmimi,
të cilat, gjysma e krenarisë sonë,
do vazhdojë t’i refuzojë.
edhe për pak kohë…

*Titulli i origjinalit: Fundi i verës”

ObserverKult

———

Lexo edhe:

LULJETA LLESHANAKU: NJERËZIT MUND TË TOLEROJNË GJITHÇKA…