Luljeta Lleshanaku: Njerëzit mund të tolerojnë gjithçka…

luljeta lleshanaku Gjëja që më pëlqente tek ai, poezi nga Luljeta Lleshanaku

Njerëzit mund të harrojnë gjithçka:
vjedhjen, dhunën, padrejtësinë, vrasjen…
Por jo vetëvrasjen.

Ai që u gjet i vetëvrarë, theu rregullat e lojës,
duke mos përfillur skenarin,
rreshtin e gjatë të të tjerëve në pritje.

Rrobat e tij nuk iu ndanë fqinjëve,
e aq më pak të digjeshin. Djegia e rehabiliton në ajër
renë snobe të stofit të tij skocez.

“Ishte frikacak”, -u tha me zë të lartë.
“Ishte trim”, -u tha me zë të ulët.
Kurse disa të tjerë
thjesht memorizojnë shijen e re të vdekjes
me gjuhë dhe qiellzë, pa e kapërdirë,
si verën somelieri.

Prapa, ai la mbi tavolinë vetëm një pusullë
të shkruar qartë, pa sekrete, pa nënkuptime, pa pauza,
të mbyllur me “vdes” në vetvetore. Ky është një makth
gramatikor;
ai sapo u vodhi keqardhjen, kripën pa marinim,
me të cilën do të shtynin edhe gjashtë muaj hibernacion.

Disa porta u harruan hapur atë natë dhe qentë lehnin rrallë.
Frika u tërhoq si mishrat e dhëmbëve në një strofkë të panjohur,
duke zbuluar qafat dhe rrënjët e tyre.
Ata u gjetën papritur vetëm
dhe pa pikë rëndësie.

Dhe, përveç të tjerash, ai zgjodhi kohën e gabuar: nëntor
(as këtë nuk ia kishin borxh),
koha kur trupi kthehet në paranojë të vetvetes,
duke pikuar në të njëjtin vend,
miniaturë në bronz.
Dhe kjo e bën vetëvrasjen
një monument natyror.

ObserverKult


Lexo edhe:

LULJETA LLESHANAKU: NUK ËSHTË KOHA PËR…