Luran Ahmeti, gjithçka në të ishte estetike…Jetën e pati art, njashtu edhe vdekjen!

(Lurani në kujtimet e mia)

Isha jashtë. Kisha dalë të kryej një obligim për librarinë. Isha me biçikletë. Muzgu kishte hedhur shtat gjersa më lajmëruan në telefon se, ka ardhur Lurani në librari. Ja, po vij menjëherë – u gjegja.

Nga Latif Mustafa

Turravrap për ta nxënë Luranin. Po e ngadalësoja shpejtësinë dhe u ndala para vitrinës së librarisë e po kërkoja fytyrën e tij, gjersa ai, ishte ndalur tek rubrika e mendimit shqiptar. E thash me vete, he more Luran që s’u ngope me këta shqiptarë e hajt. Pak më tej, Lindita po shfletonte një libër voluminoz të Eskilit e Arba, vërdallisej rreth më rreth lokalit kurse e ëma i shkonte pas. Nuk e kishte haberin, përqafuam e u çmallëm. Libraria i kishte ardhur befasi e madhe. Nuk dinte gjë për lëvizjet e mia zigzage.
-Ç’na ke gëzuar more Latif? Vetëm se, a e din ti se, unë kam libra më shumë se ti? – duke u haparesh dhe plot krenari e krah hapur mundohej që edhe përmes gjuhës së trupit të shtresonte madhështinë e kësaj simbolike në imagjinatën time.
-Ec more – në qesëndi iu drejtova akoma pa mbaruar – s’janë tuat ato, po të bacës Xhabir.
-Po ani de, nuk thash se të miat, të babës. Hë t’babës, hë t’miat! – mu përgjigj në habi, me demek, mos e nxjerr fundin Latif.
Qeshëm, e qeshëm. Pas insistimit tim, u ulëm për të pirë kafe.
-Latif, ke kujdes! Numri i atyre që do të urrejnë do të jetë i madh! – më tha drejt në sy. Por mos harro, se ata që do të duan do të jenë sa herë më shumë. Mua më ke në krah, përgjithmonë.
Disi, edhe u dëshpërova nga këto fjalë por edhe u gëzova. U dëshpërova, ngaqë dëgjoja të vërtetën që më rrëmonte trurin e zemrën. Por edhe më gëzoi që po ma thoshte një të vërtetë, sikur ta ketë përjetuar një situatë të tillë në palcën e tij dhe më ofronte gjithë shpatullën e tij.
Nuk mund të them se e njihja edhe aq Luranin. Por ama një kafe me të, më së paku tri orë të plota. Biseda që nga arti e deri te politika. Këto ditë kur kaloj kah sheshi Skënderbe, gjegjësisht kah kafe Eight, i zgurdulloj sytë, në mos po e shoh ndokund ulur, e ai do ta zgjasë dorën e ta shtrij deri në qiell për ta parë, e të më ftojë për kafe. Por jo, nuk e shoh më.
-Shih, Latif shumë e kam gjykuar babën! Shumë. Një jetë ia ka kushtuar idealit të shqiptarizmit. E kam gjykuar aq shumë, saqë kam menduar një kohë se këtij njeriu nuk i bëhet vonë kurrë për familjen. E kam gjykuar aq shumë, për mungesën dhe dorën e tij që të na përkëdhel, të na përqafoj e të na ndodhet pranë, në momentet kur ne kishim nevojë më së shumti për te! Por jo, ai ishte rrugëve, për atë që ishte besatuar! Por tani, mendoj ndryshe. Në fakt, ne kishim qenë ideali i babit, gjithmonë. Familja e tij kishte qenë ideali i tij, unë isha ideali i tij. Në fakt krejt përpjekja dhe rrugëtimi i tij, ishte modeli se si duhet të frymoj një shqiptar, të veproj e të shkrihet për kombin pa asnjë lloj pritje a shpërblimi. Babai im është idoli im. Krenohem me të. Mos të ishte ai i tillë, as unë nuk do të isha ky që jam sot. E falënderoj me përunjësi – thoshte Lurani me plot krenari, e në sytë e tij jeshil vëreheshin shkëlqesa të vogla loti.
-He more Latif! A po e sheh Bitpazarin? Kjo ka qenë nëma më e madhe e jona. Na mbyllën të gjitha institucionet, por t’na ngujuar në Bitpazar. Mos e merr thjesht si treg Bitpazarin. Ajo është mendësi, e cila e bëri shqiptarin e Shkupit kalkulant, pa ideal dhe e ngujoi atë në imagjinatën e një grusht parave. E tani, edhe pas tri dekadave, ne akoma s’po mund e marrim veten, ngaqë në gjithçka kalkulojmë. E Ideali nuk kërkon kalkulim, po veprim pa e menduar e kalkuluar fundin.
Shokët e teatrit nuk i jap për asnjë parti. I kam të gjithë mbi kokë. S’njoh fis e parti kur bëhet fjalë për shokët e mi. Të gjithë i dua, kurrë s’i jap!
Aq shumë biseda, aq shumë të qeshura. Madje, shpesh s’më besohej se po rrija me një figurë të tillë si Lurani. Ai ishte në super yll në Turqi. Dhe t’i takoje kolegët e tij rrugëve të Stambollit ishte e pamundur. Por Luranin e takoje si xhan, ashtu me plot modesti e biseda të ngjeshura pa sherre e bedene.
Pasi pimë kafen në librari, më tha se do vij ta marr kompletin e Ismail Kadaresë. Më përqafoi e më tha: Do ma shohësh hajrin shumë, të jap fjalën!
E shikova me një shenjë falënderimi të pashoq. Arba ishte mërzitur për në shtëpi, edhe pse të gjithëve na kishte kënda atë ndenjë magjike, ndenjën e fundit me Luranin. Pa assesi s’bënte pa një foto. Dihet tek këndi. Gjersa po bëheshim gati të dilnim, qeshnim e s’po e merrnim veten.
– Luran, ti je artist do dalësh më mirë se unë – ia prita.
– Ec more, këto ditë, për artistllëk s’ka kush ta shkuan – më tha tuj qeshë e me ironi e qesëndi. Qeshëm, e qeshëm. Më në fund u qetësuam, dhe e shkrepëm foton.
Një ditë erdhi dhe e mori kompletin e Kadaresë.
– A mundesh me mbajt, se i rëndë është? – i thash tuj qeshë.
– A hajgare a? A e di sa librin e ka bajt qyky njeri? – më tha ashtu mburrje. Iku si vetëtima.
E natën e 25 Marsit. Mu mpinë këmbët. Lajmi e mora në market. Disa minuta qëndrova ashtu i hutuar para rafteve. Para një jave ndjeshmërisht kisha shkruar për vdekjen. S’po e besoja se po e përjetoja atë që e kisha shkruar.
“Sa herë që dëgjoj për vdekjen e dikujt, filloj të mërzitem për veten. I vdekuri, çuditërisht, derisa e pret shpagimin parajsor, i gjalli duhet të vazhdoj në ferrin e jetës. Gjersa të vdekurit i falet toka, të gjallit i mbetet barra. I vdekuri, nuk e ka dertin as të varrimit madje, për te kujdesen të gjallët. Prandaj mërzitem për veten, sepse edhe një kohë më duhet ta shtyej jetën në botë. E kur i qajmë të vdekurit, në fakt e qajmë vetveten. Vdekja mbetet akti më i lartë estetik i jetës sepse përjetohet veç një herë në jetë!”
Njeriu, thash me vete, është kaq fatkeq saqë sa herë që përballet me vdekjen e tjetrit, përpos përqafimit të dhembjes s’ka asnjë rrugëdalje tjetër.
I shkapërderdhur e i shkërmoqur shpirtnisht, fillova t’i lexoj ngushëllimet për atë, që akoma s’po e besoja. Vdekja e Luranit, ishte disi kulmi, ishte kapaku. M’u kujtuan familja e tij, baca Xhabir, Lindita, e ëma, e shoqja… po athu Arba si do ta ketë përjetuar?
Lurani erdhi në jetë nga një botë tjetër. Përmes artit na tregoi se frymëzimi nuk i takon kësaj bote. Gjithçka në të ishte estetike. Por ai nuk largohet befshëm, jo! Pa e bërë gjëmën e madhe e t’na çojë peshë gjithsecilin. Duke na dhënë leksionin e fundit të jetës edhe vdekjen na e shpalosi si ngjarje estetike, ku roli kryesor i kësaj shfaqjeje ishte prapë Lurani. E ne, si spektatorë të mjerë, të mpirë nga dhimbja për veten. Jetën e pati art, njashtu edhe vdekjen.
Çdo ditë i bie kah Eight kafeja, e them, mos sot jemi zgjuar në një botë tjetër, në një jetë alternative dhe krejt papritmas e shoh Luranin, me setrën e tij prej lëkure i strukur, duke e dhezur cigaren gjersa kamerieri ia shërben kafen…

ObserverKult