M. Eminesku: Përse nuk vjen, përse nuk vjen?

emisesku qëndro

Poezi nga M. Eminesku

Lanë dallëndyshet foletë pa frymë
Dhe gjethja e zverdhur nga degët bjen,
Mbi vreshta vjeshta hodhi brymë,
Përse nuk vjen, përse nuk vjen?

Eja në krahë të të pushtoj,
Të shoh fytyrën që shndrit,
Më ler kokën ta pushoj
Tek gjiri yt, tek gjiri yt!

Mban mend ndër lëndina e ndër zabele
Kur u fshehëm bashkë një ditë si kjo ?
Të puthja ty, ndër sherebele,
S’ngopesha jo, s’ngopesha jo!

Ka gra të bukura me sytë plot zjarr,
Që buzëqeshin plot magji,
Por mbi të gjitha margaritar,
Më je veç ti, më je veç ti!

Në shpirtin tim sjell dritë përherë,
Si yll i ndezur plot bukuri,
Si drita e diellit në pranverë,
E dashur moj, e ëmbël ti!

Tani ra fresku, vjeshta po shkon
Dhe gjeth i fundit nga degët bjen,
Fushat janë shkretë, zog s’cicëron
Përse nuk vjen, përse nuk vjen?

Përktheu: Servet Bytyçi

ObserverKult


Lexo edhe:

MIHAI EMINESKU: PËRSE FRIKOHESH? A S’MË KE TI PRANË?

Përse frikohesh? A s’më ke ti pranë?
Lere të rrahë shiu në dritare
e era të gjëmojë anembanë,
me mua je e mos ki frikë fare!

Përse u ngrite e mes dhogash sheh?
Sikur diç pret e dukesh e habitur.
S’mund të dallosh me sy ndër to asgjë?!
Mos do që të kujtosh diçka, papritur?

Mbështete kokën, do të jesh e qetë,
bëj gjumë edhe lërmë të rri zgjuar…
Gjithmonë më pëlqen, kështu plot jetë,
të të vështroj kur jam duke lexuar…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU