Mahmoud Darwish: Ajo nuk erdhi…për ta harruar mungesën e saj, shkrova këtë poezi!

darwish dervish

AJO NUK ERDHI, poezi nga Mahmoud Darwish

Ajo nuk erdhi dhe me vete thashë:
As nuk erdhi, as nuk do të vijë.
Mbrëmjen e sajova sipas zhgënjimit tim
dhe mungesës së saj.
Fika qirinjtë e saj,
ndeza dritën,
piva gotën e saj të verës, pastaj e theva,
dhe ndërrova muzikën ritmike të violinave,
me këngë perse.
I thashë: Nuk do të vish.
prandaj, do ta heq kollaren
elegante. Kështu ndihem më rehat.
Do të vesh pizhamet blu
dhe do vardallosem zbathur.
Nëse dëshiron, mund të ulem dhe këmbëkryq
mbi divan, e të të harroj
madje të harroj gjithçka që ka të bëjë me mungesën.
I ktheva gjërat që kisha përgatitur për festën tonë brenda në sirtarë dhe hapa të gjitha dritaret e perdet.
Trupi im s’ka asnjë sekret përballë natës
përveç asaj që prisja dhe e humba…
Qesha me maninë time për të pastruar ajrin për hir të saj
e kisha parfumosur me ujë trëndafili dhe limoni
Nuk do të vijë…do ta zhvendos dhe orkidean
nga ana e djathtë në të majtë
që ta ndëshkoj për harresën…
Mbulova pasqyrën mbi mur me pallton time që të mos shoh
shkëlqimin e imazhit të saj… e të pendohem.
Thashë me vete: Do t’i harroj dhe citimet e thëna për të
ato të gazelit të vjetër,
sepse nuk meriton
as dhe një poezi, qoftë dhe të vjedhur …
E harrova, pastaj ushqimin e përgatitur
e hëngra në këmbë.
Lexova një kapitull nga një libër shkollor
rreth planetëve të largët
dhe për ta harruar mungesën e saj, shkrova një poezi
Këtë poezi…

Perktheu: Elmaz Fida

ObserverKult

—————————-

Lexo edhe:

MAHMUD DERVISH: ASGJË NUK MË PËLQEN…
***
Asgjë nuk më pëlqen
tha një udhëtar në autobus, as radioja,
as gazetat e mëngjesit, e as kalatë mbi kodra.
Dua të qaj.
Shoferi i tha: “Prit të arrijmë në stacion
dhe i vetëm, sa të mundesh qaj!”

Një zonjë tha: “Edhe mua po ashtu. Asgjë nuk më
pëlqen. I tregova tim biri varrin tim,
ai e pëlqeu dhe fjeti në të, lamtumirën pa ma dhënë .”

Një universitar tha: “Edhe mua, asgjë
nuk më pëlqen. Kam studiuar arkeologji, pa
ia dalë të zbuloja identitetin në gur. Thua unë
të jem vërtet unë?”

Një ushtar tha: “Edhe mua, po ashtu, asgjë
Nuk më pëlqen. Unë gjithnjë e rrethoj një fantazmë
Që më rrethon.”

Shoferi idhnak tha: “Ja pra
U afruam në stacionin e fundit. Prandaj, përgatituni
Për të zbritur…”

Ata sakaq ulëritën: “Duam atje, përtej stacionit.
Kështu që, jepi shko!”

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult

 MAHMOUD DARWISH: KTHEHEM MIJËRA VITE PAS, NË JETËN FILLESTARE!

MAHMOUD DARWISH: LUFTA