Mahmoud Darwish: Kthehem mijëra vite pas, në jetën fillestare!

Nga Mahmoud Darwish

Në një dyqan buke, në një cep rruge
të ngushtë pariziene…
rrufis kafenë e parë të mëngjesit.
Aroma e bukës përzihet me aromën e kafesë,
duke zgjuar tek unë oreksin për një jetë të freskët…
një jetë fillestare dhe në paqe me gjërat e vogla,
me pëllumbeshat që preferojnë të çapiten
mes makinave e kalimtarëve.
Veç meje, nuk shoh askënd tjetër të ulur vetëm,
përbri shënimeve të ditarit.
por, ndjej se ndaj me zonjat e shtyra në moshë,
zellin e tyre karshi detajeve që rrëfejnë,
mbi jetën e bashkëmoshatareve.
ndjej se ndaj bukën bashkë me shitëset e bukës,
dhe me kamarieret bukuroshe,
asnjanësinë e tyre finoke,
sa herë që marrin flirte nga klientët më të shtyrë se unë në moshë.
Ngadalësoj ritmin e gjerbjes së kafesë,
që ta ruaj shoqërinë hipotetike
me ata që më rrethojnë,
sepse një i huaj, s’ka rrugë tjetër
veçse të shpikë miqësi me ambientin përreth.
Unë kam zgjedhur këtë cep të dyqanit të bukës,
për të krijuar një zakon të përditshëm,
sikur të jem në takim me kujtimet e harlisura,
të cilat mbijetojnë me forcat e veta.
Zhytem në mendime mbi historinë e bukës:
Si u zbulua kokrra e parë e grurit,
brenda kallirit të gjelbër,
të ngjashëm me një gërshet?
Si e kundroi njeriu i parë, derisa u poq dhe u zverdh?
Si i vajti në mendje që ta bluajë, zërë brumë
dhe mandej ta pjekë, derisa mori këtë formë mahnitëse?
Shoh grunaja të largëta, të një kohe të largët,
dhe pyes veten:
Sa kohë ka marrë e gjitha kjo risi?
Sakaq, aroma e fortë e bukës së ngrohtë pushton hapësirën,
i hedh një sy orës time,
pastaj kthehem mijëra vite pas,
në jetën fillestare!

*Titulli i origjinalit: “Jeta fillestare”

Përktheu: Elmaz Fida

ObserverKult


Lexo edhe:

DO TË IKËSH E TRISHTË NJË DITË DIMRI

Nga Benhamin Prado

Do të ikësh e trishtë një ditë dimri. Ditë shiu do të jetë.
Do të ikësh mes rrepeve dhe lajthishtave.
Do të ikësh tok me shelgjet e verdha që çapiten
nën dhjetorin e shqetësuar të lumenjve me hënë.

S’do të jetë si atëherë, kur 20 vjeçe ishe,
kur era, si një njeri që luan, në vështrimin tënd
korije të vogla kristali shpështjellonte.
Dhe një heshtje bore duart do të t’i ngrijë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult