Mahmud Dervish: Nuk je vetëm…

Një kafene dhe ti me gazetën tënde, i ulur.
Jo, nuk je vetëm. Gjysma e gotës sate është boshe
dhe dielli që mbush gjysmën tjetër…
Prej dritares këqyr këmbësorët që shpejtojnë
por ti je i pakëqyrshëm. (Kjo është një nga cilësitë e
padukshmërisë: Këqyr, por nuk këqyresh.)
Sa i lirë je, o njeri i harruar në kafene!
Askush s’e sheh në ç’mënyrë violina të prek.
Askush s’ia ngul sytë pranisë apo mungesës sate dhe as
nuk heton mjegullinë tënde
nëse sheh një vajzë dhe thyhesh para saj.

Po sa i lirë je, sheh punët e tua vetanake
në këtë turmë, pa askënd që të të vëzhgojë a të të
lexojë!
Ndaj, bëj ç’të duash me veten tënde.
hiqi këmishën ose këpucët
nëse do,
Pasi je i harruar dhe i lirë në imagjinatën tënde.
Nuk ka asnjë punë për t’u bërë me ngut
në emrin tënd apo fytyrën tënde këtu.
Ti je siç je, asnjë mik, asnjë armik, që të të hetojë
kujtimet.
Kërko falje për atë që të la në këtë kafene,
sepse ti nuk e vure re stilin e ri të flokëve të saj
dhe fluturat që i vallëzonin në tëmtha,
Kërko falje për burrin, që deshi të të vriste një ditë,
pa arsye,
ose sepse ti nuk vdiqe ditën që me një yll u përplase
dhe shkrove ato këngë të hershme me bojën e tij.

Kafene dhe ti me gazetën tënde, i ulur
në kënd, i harruar. Asnjë që mendon të cenojë
gjendjen tënde të paqtë mendore
dhe asnjë që mendon të të vrasë.
Sa i harruar dhe i lirë je në imagjinatën tënde.

Përktheu: Agron Islami

—————–

Lexo edhe:

Mahmud Dervish: Tani kur të zgjohesh, kujto

ObserverKult