Mahmud Dervish, ofshama e thellë e popullit palestinez

darwish dervish

Mahmud Dervish konsiderohet si ofshama e thellë e popullit palestinez, i cili nuk beson që poezia mund ta ndryshojë botën, por ajo mund të rendit kandila nëpër errësirë. Ai beson te fuqia e poezisë, e cila mund ta zgjas ëndrrën tonë atëherë kur fuqimisht godet brutaliteti, urrejtja dhe lufta.

Nga Salajdin Salihu

Tashme i ndjeri poeti palestinez Mahmud Dervish e konsideron poezinë si një lule e cila zbukuron kopshtin e hapur të njerëzimit, i cili nuk ka mes dhe periferi. Ai beson që poezia është e aftë për të udhëtuar lirshëm nëpër kultura dhe gjuhë, pa mundur askush që ta mbyll brenda mureve të egër kombëtarë. Ai e përkufizon poezinë universale nëpërmjet shumëllojshmërisë dhe pikave referuese…
Megjithatë, poeti palestinez beson se poezia kontribuon “në zhvillimin e identitetit kulturor të një populli ndaj të cilit bëhen sulme”. Ajo, sipas tij, “kundërshton gjithçka që pengon vetë afirmimin dhe veçantinë e një populli”.
“Poeti nuk mund që të ik nga “këtu” dhe “tani” duke u strehuar në një kohë dhe hapësirë tjetër”.
Palestinezi nuk beson që poezia e ndryshon botën. Megjithatë, “poezia mund të rendit kandila nëpër errësirë”. “Poezia vërtet është e brishtë, por e fuqishme si fije mëndafshi dhe me dendësi mjalti. Poetët vetëm duhet që të besojnë në efikasitetin e kësaj brishtësie. Sa më e fuqishme të jetë goditja e brutalitetit, urrejtjes dhe luftës, aq më i nevojshëm është mjeti kundër saj: fjala poetike; që të forcojë perceptimin dhe vetëdijen tonë për njerëzimin dhe njerëzoren dhe të zgjas ëndrrën tonë për liri dhe paqe, si dhe besimin tonë për shoqërinë e përbashkët njerëzore…”
Poetja amerikane me origjinë palestineze, Naomi Shihab Naj, thotë se Darvishi është ofshama e thellë e popullit palestinez; një dëshmitar i rrallë i ekzilit dhe përkatësisë; një këngëtar i imazheve melodike që reflektojnë në zemrën e botës.
Atë që e shkruan ai, sipas saj, lexohet me admirim nga lexuesit e gjithë botës, sepse është një zë i veçantë dhe i papërsëritshëm, prej se u zbulua.
Mahmud Dervish ka lindur më 13 mars 1942, në fshatin Al Birva, në Palestinë, në një familje myslimane. Në vitin 1948, në kohën e themelimit të shtetit izraelit, vendlindja e tij u shkatërrua plotësisht, kurse familja e tij emigroi në Liban. Pas një viti, ilegalisht, sërish u kthye në atdhe.
Dervish si i ri disa herë ishte burgosur për veprimtarinë e tij politike, por edhe për leximet letrare nëpër vende publike.
Në vitin 1970 ai arratiset dhe vendoset në Moskë, kurse pas një viti strehohet në Kairo të Egjiptit.
Mbi 26 vjet ka jetuar në ekzil, në relacionin Bejrut – Paris. Në vitin 1996 vendoset në Ramalla, në Bregun Perëndimor.
Arriti famë botërore jo vetëm si poet, por edhe si shkrimtar e kritik letrar. Ka botuar rreth 30 përmbledhje poetike, tetë vepra në prozë dhe shumë studime.
Mahmud Dervish ka marrë pjesë në shumë festivale poetike anëkend botës dhe ka ligjëruar në universitetet më prestigjioze.

Mahmud Dervish (Palestinë)
UNË JAM I ATJESHËM

Unë jam i atjeshëm dhe mbaj mend,
se kam lindur si çdokush tjetër
kam nënë
dhe shtëpi me shumë dritare
kam vëllezër, miq dhe burg.
Kam një dallgë që m’i vodhi pëllumbat.
Kam qasjen time dhe një kërcell të madh bari.
Kam një hënë mbi majën e fjalëve.
Hyu më dërgoi ushqim për zogjtë
dhe një ulli prej matanë horizontit të kohës.
E kam kaluar tokën
para se thikat të nguleshin nëpër trupa.
Unë jam i atjeshëm dhe kthej qiellin e nënës
posa qielli qan për nënën time,
qaj për një mjegull që kthehet
të më njohë.
Kam mësuar fjalët e kopshteve të përgjakura
për të thyer rregullat
I kam mësuar dhe i kam demontuar
të gjithë fjalët për të strukturuar vetëm një, të vetmen:
Shtëpi

Përktheu: Salajdin Salihu

ObserverKult

lexo edhe:

Mahmoud Dervish: Ajo nuk erdhi…për ta harruar mungesën e saj, shkrova këtë poezi!

Mahmoud Dervish: Kthehem mijëra vite pas, në jetën fillestare!