reklamë

“Mal”, poezi nga Valmir Aziri

Kam dasht, baba, me t’ba një akt
akt, e din, një pikturë
ku ti më pozon e unë
me brushat dhe ngjyrat e vajit
t’pikturoj, baba, bash qashtu siç je

Me të marr masë sipas kokës
e me t’i përpjestu pastaj pjesët e trupit
një nga një, e me t’formësu në pëlhurë
me m’u shfaqë në të gjitha ngjyrat e spektrit
Jo që s’e kam nisë ma herët këtë gjë
me të tregu drejt, disa herë jam mundu

Veç ta dish, kam me të met borxh, baba,
se nuk mundem në gjysë me ta lanë portretin
se nuk kam gjetë formë me paraqit natën
kur godisje meteorët me ballin tënd
e syri yt shkrepte zjarre mbi penjt e Moirave

Duhet shumë mund me pikturu betejën
kur në atë betejë me demonët
ngele n’dorën e djathtë me katër gishta.

Torson lakuem, goditun nga heshtat e çelikut
ditëve kur qëndron stoik në koloseumin
e përballjes me fatin, asht shumë randë
për mu me i dhanë formë

Dhe krejt në fund do më ngel me pikturu
këmbën që ka shkelur Anadollin
atë këmbë që nga qepjet i ngjan
sandaleve të Aleksandrit

E krejt këto nuk nxihen në një pëlhurë
qoftë ajo edhe sa Kapela Sistine

Babës, falja kusuret e dobësisë shpirtnore
që t’kam lan keq për këtë, e herë pas here
më gjen të trishtuar n’atelje
para pëlhurës

Se nuk mundem, bir
me të përshkru me duart e mia
se në zemrën time ti je i paformë
je drita që m’i jep trupit të plogështun jetë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Valmir Aziri: Fale babën