Nga Myrvete Allmeta
Një pyetje naive, e sinqertë, jo prej një fëmije, por prej një 20 vjeçari, më befasoi, pikërisht në kalanë e Shkodrës. Atje ku tre lumenj bashkojnë krahët e tyre, për të përqafuar fort legjendën e një gruaje-kurban, që mban muret mijëra vjeçare në këmbë.
– “Mam, pse u bë kurban një grua dhe jo një burrë?”
E harlisur nëpër bukuritë që nuk i kisha parë as në Akropolin e Athinës kur mbusha të njëzetat. As në qytetin rozë Petra – një nga shtatë mrekullitë e botës së re. As në tempujt e kohës së bronzit në Xherash… U shtanga nga pyetja! Thashë se biri do ta kalonte me shkujdesje, sikurse e kalova unë në shkollë dhe ia mësova përmendësh legjendën gruas së murosur. E thashë dhe shkëlqyeshëm para mësueses, para klasës, megjithese isha grua si ajo, e murosura. Por ja që nuk ndodhi.
– “Mam, pse murosen gratë? Ta kishin murosur një burrë mam, pse nuk e bënë?! Pse burri bën sehir dhe çon beben të pijë qumësht nga nëna e murosur?”
Eh, më duket vetja shpesh se po më vjen rradha për t’u bërë si gjyshe Urtia, tek revista “Fatosi”. Bir, pse të bën përshtypje murosja e gruas në këtë kala? Pse nuk të bën përshtypje murosja e saj në trafik me orë të tëra për të vajtur në punë, pasi ka mbaruar larjen e enëve, pastrimin e shtëpisë, lavatriçen, pra, punë pas “punëve”?
Pse nuk të bën përshtypje murosja e gruas tek patrullon tetë orë pincë në këmbë si police dhe fëmijën e vet kushedi në ç’babysitter e ka degdisur?
Pse nuk të duket e murosur nëna që përkund djepin deri në të gdhirë e ndoshta dhe e zë gjumi tek kasnaku i djepit me libër në dorë për provimin e rradhës?
Qëndrimi natën me kolegët-mjekë duke braktisur burrin, shtëpinë, çerdhen e ngrohtë familjare, a nuk të duket murosje?
Udhëtimet vetëm, nga një shtet në tjetrin, për master e doktoratura, anise me lindje të përshpejtuara, a nuk të duken murosje?
Bir, nuk ka ndryshuar asgjë. Gruaja sot nuk muroset, por ecën nëpër tokë e flijuar. Ecën ashtu e bërë kurban. E nëse Rozafës i pikonte qumësht për të mëkuar fëmijën, gruas sot i pikon dhimbje-gjak për të mëkuar shoqërinë që kërkoi prej saj “diell” për të gjithë dynjanë, duke flijuar veten e vet.
Gruaja sot duhet të bashkojë midis brumit dhe seminarit të fakultetit, megjithëse është sfilitëse. Midis përcjelljes së burrit dhe provimit të mjekësisë, megjithëse është rropatëse. Midis përkundjes së djepit dhe arsimimit, megjithëse është rraskapitëse. Lindja e një gjenerate që po shkollohet fort, nuk do të thotë lënien anash të misionit brenda shtëpisë. Larjen e shpërlarjen e bën dikush edhe me lekë, me para, ama djepin kurrkush nuk e përkund me dashninë e nënës. Asgjë në botë nuk e zëvendëson dorën e ngrohtë në supin e burrit në fillimin e një dite plot sfida.
Kanuni, traditat, komunizmi e kapitalizmi..të gjithë gruan e murosën, të gjallë e varrosën, kurse përcjellësi i shpalljes së qiellit tha:
“Xheneti është në këmbët e nënës.”
“Nëna, nëna, sërish nëna. E pastaj babai.”
*Titulli i origjinalit: “Flijimi i ri i gruas“
ObserverKult
Lexo edhe:
ORIANA FALLACI: GRUAJA VAZHDIMISHT DUHET TË LUFTOJ!
Nga Oriana Fallaci
“Të jesh grua është kaq magjepsëse. Është një aventurë që kërkon guxim të tillë që të ndërmarrësh një sfidë që nuk është kurrë e mërzitshme.
Do të keni shumë gjëra për të bërë nëse lindni grua.
Si fillim, do të duhet të luftoni për të argumentuar se, nëse Zoti ekziston, ai mund të jetë gjithashtu një grua e moshuar me flokë të bardha ose një vajzë e bukur.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult