N’ikje je valixhe e palosun mirë,
që i mungon si përherë diçka.
Je me mija porosi t’dhanuna për me i kry,
je vetja e dikurshme që qan për ty.
Je dera e mbyllun me kërcitjen e ftohtë,
që duket sikur n’zemër t’hap nji gropë.
E bahesh dorë e ngritune n’ajër për me thanë lamtumirë,
shpindë e kthyme për mos me i shfaqë lotët,
për me mbetë edhe n’ikje, dëshirë.
N’ikje je zgjim bashkë me aurat e mëngjesit,
je përqafim i padhanun i motrës,
prej frikës se i prish gjumin,
je shikim i nanës që rrin e pret deri sa t’humbësh bashkë me udhën,
përtej malit,
je përcjellja e pamundun e vëllait,
je prania e mungueme e babës
për me e ndie shtërngimin e dorës.
N’ikje je krejt kujtimet e tua që ty t’shkundin,
si pylli i naltë flokët e borës.
N’ikje këndohen kangë heshtje për hapin tand,
dhe ti bahesh shputë e ngjeshun pas dheut,
tue lanë gjurmë;
n’mishin e zi të tokës,
n’fatin e mjegullt tandin,
n’andrrat e atyne që i le mbas veti.
N’ikje bahesh varkë e nji lundrimi drejt s’di kuhit,
tue u ndie si zog shtegtar,
i vramë e i mbushun rrast me shpresë,
tue u ndie ma fort se kurrë që nuk je i ktuhit,
n’ikje, ma shumë se gjithçka, je pendesë.