Lëri… s’dinë ç’është dashuria

Nga: Manos Eleftheriou

Lëri mike të na tallin,
me fjalët që kullojnë vrer.
Ata s’dinë ç’është dashuria,
s’dinë ç’do thotë flakë edhe tmerr,
lë të tallen, se gëzojnë,
pse nuk dinë se çfarë kërkojnë.

Lëri mike të na tallin,
shpirtin edhe trupin tonë.
Pse ne lojën që po luajnë,
aset janë tek mënga jonë,
kujtojnë pra se na mashtrojnë,
lë të tallen, se gëzojnë.

Lëri mike të na tallin,
janë të vegjël, janë fatalë,
që nga porta jonë kalojnë,
ditë për ditë, si ilegalë.
Lë të tallen, se gëzojnë,
diku duhet të qëndrojnë.

Shqipëroi: Arqile Garo

LEXO EDHE:

—————————

Manos Eleftheriou: PËR ËNDRRAT THUAMË ÇFARË DI TI…

Për ëndrrat thuamë çfarë di ti, që me vagonë ngjajnë,
mbi linja të shkërmoqura, të ndryshkura, ndënë shi.
Për dallgët, thuamë çfarë di, vite të vrara janë,
ng’ ata që lamtumirë më dhanë dhe ikën në shkreti.

Për ëndrrat thuamë çfarë di ti, po hidhërim çdo të thotë,
e ç’është ajo q’e zgjodhi kush e do ta mbajë të fshehtë.
Thua se rron në qiell lart e mban një zjarr të ftohtë,
gjersa të kthehet prapë në tokë si fishekzjarr i zbehtë.

Për ëndrrat thuamë çfarë di ti, të njerëzve të thjeshtë,
që hodhën gur të zi nga pas dhe struken në vetmi.
Si e mësove mjeshtërinë dhe nuk më thua ç’është,
ai veprim i qetë, fatal, që sjell përmbysje, zi.