Manuel Machado: Antifonë

(Himn liturgjik)

Eja, mbretëreshë e puthjeve, lule e shfrenuar
buzëqeshje e çmendur, dashnore pa dashuri…
Eja, unë ta di dhimbjen që gëzimin ka kapluar
dhe lutjen e hidhur që në gojë të rri.

Unë s’të ofroj dashuri, kur ti i thua jo dashurisë;
e di sekretin tënd, virgjëreshë e njollosur;
Dashuria është armike e kënaqësisë
në të cilën hidhërimin tonë kemi fundosur.

Të duhemi… Tash ajo kohë ende s’ka ardhë!
Ty dhe mua na çojnë dallgët përpjetë.
Në t’njëjtën kohë, jemi shenjtorë dhe mëkatarë;
Në t’njëjtën kohë, jemi mbretër dhe të shkretë!

Unë e di që t’njëjtët që na adhurojnë
thellë-thellë njëlloj na përbuzin mua e ty.
Dhe të drejtë janë zërat që na nënçmojnë…
S’ka çmim ajo që shesim ne të dy.

Kështu, të dy: ti – dashuri, unë – poezi,
e japim për ar botën që e përçmojmë…
unë shpirtin; trupin prej perëndeshe, ti;
Eja të qeshim bashkë, teksa vajtojmë.

I riu, tek ne, s’dëshiron tjetër veç Natyrshmërisë
të bëjë, mes poezive dhe bakanaleve,
dhuratën perandorake të bukurisë,
dritë, në rrugën e errët të vdekatarëve.

Oh! Ngrije kokën, lule e mbushur me gjallëri
që fal hijeshi, kënaqësi, ngjyra, aroma…
Thuaju me atë gojë epshore plot freski
që nuk janë të kësaj bote dashuritë tona!

Në fat, rrugëtimi i njëjtë na ka rënë pjesë,
një ankth i ngjashëm na ngre e s’ka të kryer,
derisa të ngatërrohen përgjithmonë në harresë,
hijeshia jote e kalbur dhe vargu im i thyer.

Le ta kryqëzojmë rrugën tonë të Fatkeqësisë
ballëlartë, duart kapur t’i kemi
Eja me mua, mbretëreshë e bukurisë,
Kurtizane dhe poetë, të një gjaku jemi!

Përktheu: Orjela Stafasani