Nga Romeo Gurakuqi
Randësia e këtij aktivteti promovues ka të bëjnë me personalitetin e autorit, me veprën konkrete që sot po e promovojmë në Tiranë, temën mjaft të rëndësishme të marrë në shqyrtim, shtrirjen kohore të studimit, përgjithshmërinë e subjektit të saj dhe faktin që është ndër punët e përkthyera në gjuhën angleze, një prej “vuajtjeve” më të mëdha që ka historiografia jonë, krahas defekteve të metodës së kërkimit, çlirimit nga dogmat dhe pasionet, njohjes së mangët të arritjeve të historiografisë perëndimore dhe të vendeve fqinje ballkanike, për shkak të izolimit tonë të mjeruar në diktaturë dhe nënvleftësimit me varfëri të shkollës së studimeve historike në tranzicion.
Autori i librit, profesor Buxhovi, është para së gjithash një intelektual, gazetar dhe aktivist politik, pjesë se strukturës më rilindase dhe më pro europiane që ka nxjerrë bota shqiptare e 40 vitet e fundit, e drejtuar nga shtetari i mirëfilltë shqiptar, Doktor Ibrahim Rugova;
Në karrierën e tij të gjatë si studiues Profesor Buxhovi ka arritur të shkruajë vepra kapitale për Historinë e shqiptarëve në Ballkan, dhe ato punime janë shkruar në liri, janë të “çliruara” nga skemat e ngurta që u janë ofruar dhe vazhdojnë t’u ofrohen, për fat të keq edhe sot e kësaj dite, publikut në dy anët e kufirit, mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, ndër institucionet universitare;
Ajo që duhet të them është se veprat gjeneraliste mbi Kosovën dhe kjo mbi Maqedoninë, nuk mund të shkruhen pa një njohje jetësore të arritjeve historiografike të vendeve fqinje me ne, dhe posaçërisht në historiografisë jugosllave dhe serbe;
“Maqedonia nga lashtësia në ditët tona” është një shkrim i historisë maqedonase i bërë i mundur të realizohet për shkak të një studimi të përmanent, 20 vjeçarë dhe skedimi sistematik të çdo studimi të shkruar deri më sot për Maqedoninë, ose për vendet e tjera të Ballkanit, që lidhen me fokusin e studimit.
Është shkruar jo për shkak të një projekti zyrtar me afate, me linja të përcaktuara ideologjike dhe teza të dhëna gati nga “mbikqyrësit” dhe “koordinatorët” e akademive politike.
Asnjë krijim i mirëfilltë shkencor dhe i referueshëm ndërkombëtarisht nuk mund të shkruhet me urdhër dhe me afate, siç ndodh ende në vendin tonë, “Republikën e Çudirave”, por për shkak të misionit personal të autorit si shkencëtar dhe atdhetar europianist.
Ky libër është shkruar me saktësi shkencore, korrektesë akademike dhe ban dallim nga përpjekjet që bëhen sot në Shqipëri nga institucionet e ngarkuara, që përpiqen të shkruajnë vepra gjeneraliste përmes copëtimeve të autorësisë, duke humbur boshtin dhe rrënuar ekspertizën, duke shkelur standardet e etikës dhe korrektesës së studiuesve, deri edhe duke mos cituar, përvetësuar teza, etj…
Ajo çfarë vuan aktualisht bota shqiptare është mungesa e përkthimeve të veprave mbi historinë tonë në anglisht, ndërkohë që professor Buxhovi ia ka dalë ta plotësojë këtë hapësirë të lënë bosh nga të gjitha institucionet shqiptare në dy shtetet, për studiuesit ndërkombëtarë, të cilët deri më tash kanë si version të ofruar përgjithësisht, studimet e autorëve të vendeve fqinje, por jo të autorëve shqiptarë.
Dhe këtë boshllëk të veprave të autorëve shqiptarë të fushës së historisë ne e konstatojmë sa herë që punojmë në bibliotekat perëndimore dhe kjo mangësi nuk duhet të mbetët kështu edhe më gjatë. Korigjimet në këtë drejtim do të duhet të fillojmë që nga shkolla e përgatitjes së historianëve, që fakteqësisht është në mjerim, në formalizëm, mbyllje hapësirash për konkurencën dhe zaptim anti-akademik.
Libri që kemi ardhur sot të promovojnë i kushtohet Maqedonisë, pikërisht asaj pjesë gjeografike të Ballkanit qendër jugor, ku nga antikiteti janë takuar “pllakat” kryesore etnike të rajonit, kulturat, religjionet dhe ku çështja e identitetit, përkatesisë është më së shumti e diskutueshme në historiografi dhe në politikë, deri në ditët tona.
Nga ana tjetër, në bashkëkohësi ky rajon është vendosur në qendër të vëmendjes për shkak të arsyeve gjeopolitike dhe ekspansonit propagandistik të tre shteteve ballkanike, që të errësuar nga nacionalizmi dhe fanatizmi, janë munduar të shtrembërojnë të vertetën mbi përkatësitë, rrjedhat historike, religjionet, kishat dhe në rastin e kombit tonë, edhe të vertetën mbi shtrirjen e popullit shqiptar në trevat e veta lindore dhe verilindore, kanë mohuar edhe të drejtat e popullit sllavo-maqedonas, minoriteteve që banojnë në ato anë, përfshirë edhe komunitetin katolik shqiptar në Shkup, bashkësinë e Nanës Terezë, që sot rezulton i zhdukur në heshtje me kontributin e të gjithëve, edhe të shqiptarëve atje.
Ndërkohë, sllavo maqedonasit, nga ana e tyre, në përpjekjen e ligjshme, do të thoja, për rifmormësimin identitar të veçantë në raport me bullgarët dhe serbët, kanë tejkaluar më pas “tagret e të drejtës të dhëna nga Hyu”, duke lëshuar goditjet e tyre ndaj popullit shqiptar në “Iliridë”, kanë nxitur deri vonë shtrembërimet identitare etj.. Po ashtu, politikanët tranzicionistë të këtij vendi deri para Marrëveshjeve demokratizuese të Republikes së Maqedonisë së Veriut, janë munduar të krijojnë një Republikë Maqedonase të vetën, për shumicën sllave, ngjashëm me atë që krijoi Tito në vitin 1945 për nevojat zvogëlimit të ndikimit të Serbisë në Federatën Jugosllave, duke vijuar për gati një dekadë në vitet 1990’, të mohojnë të drejtat e popullsisë shqiptare, duke injoruar faktin se qënia e Dibrës, Tetovës, Gostivarit, Shkupit, Strugës, etj., ndër ato anë, është produkt i dy procesve: (A) i copëtimit të trevave shqiptare në vitin 1913 dhe 1919-21, rikonfirmit në vitin 1945 të kësaj ndarjeje të padrejtë historike; (B) si edhe i politikave denacionalizuese, kolonizuese dhe zhbimëse në pikëpamje identitare të ndjekura në Serbi para LIB, dhe në Jugosllavitë e pas LIB dhe pas LDB.
Për t’u kthyer në mënyrë të fokusuar tek libri ynë: “Maqedonia nga lashtësia në ditët tona”: është përspektiva e një shkrimtari illuminist shqiptar për Maqedoninë kuptuar shumë më gjërësisht se Republika e Sotme e Maqedonisë së Veriut; është përmbledhja e dijes së tij, arritur gjatë studimit permanent, kërkimit të vazhdueshëm arkivor dhe faktit që ai ka jetuar, në një Jugosllavi, një shtet, që për hirë të së vertetës, ka qenë më i emancipuar, më i përparuar dhe më i qytetarizuar se sa ishte Shqipëria e mbyllur dhe e dhunuar e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe ministrave të tyre pashpirtë të arsimit dhe shkencës;
Studimi i mikut dhe profesorit tonë është produkt i faktit që shkollat e përgatitjes së historianit e studiuesit të shkencave humane në hapësirën e Jugosllavisë, ku përfshihej Prishtina e Shkupi, kanë qenë shumë më të mira, krejtësisht të konsoliduara, më pak të ideologjizuara se në Shqipëri, vende me biblioteka shumë të pasura, me mundësi të mobilitetit akademik të shkëlqyeshme dhe një mbështetje financiare për intelektualët të ngjashme me atë që vendet perëndimore ofronin.
Edhe këto ditë kam ndej duke menduar: A mund të shkruhej një libër i tillë në Shqipëri?
Profesor i nderuar, keni ardhur ndër ne këto kohë, ndër të tjera për të na kujtuar shumë gjëra, por mbi të gjitha, se ku ndodhemi.
Ky libër mund të shkruhej nga studiues shqiptarë jashtë Shqipërie që ia kanë kushtuar jetën e tyre shkencës.
Por nuk mund të shkruhej në Shqipërinë e mbyllur dhe sot të hapur, por pa një bosht;
nuk mund të shkruhej në qoftë se një jetë nuk je marrë me studim, konspektim, skedim, pa u ndërprerë me ecjen ndër disa punë të tjera paralele që skanë lidhje me shkencën;
ky libër nuk mund të shkruhej pa njohjen tuaj të gjuhëve sllave, latinishtes dhe greqishtës së vjetër dhe gjuhëve perëndimore;
nuk mund të shkruhej në një vend ku nuk ka biblioteka që furnizohen përditë me libra;
ky libër nuk mund të shkruhej në qoftë se nuk ekziston një formësim metodologjik dhe filozofik prej historiani të mirëfilltë.
——
Historia e Maqedonisë e autorit Buxhovi në fakt ilustron marrëdhënien e ndërlikuar ndërmjet identitetit etnik, gjuhës dhe pavarësisë kombëtare.
Duke u mbështetur mbi të dhëna sporadike historike, gjeografike, kulturore ose gjuhësore, Serbia, Greqia dhe Bullgaria shpesh kanë avancuar pretendime ndaj Maqedonisë në aspektin e territorit dhe përkatësisë etnike me popullsinë, duke e injoruar situacionin konkret bashkëkohor, rrjedhat e ndërlikuara të 2000 viteve histori ndër këto anë dhe faktin se qenia e këtij territori nën perandorinë otomane deri në fillim të shekulllit XX, kishte ndryshuar dhe ndërlikuar gjithshka në pikëpamje të etniciteve dhe religjioneve
Si lektor i Historisë së Ballkanit për më shumë se 32 vite ndër të parat përgatitje të detajuara që më asht dashur të bëj, kur fillova punën, ndërkohë që regjimi po binte, ka qenë historia moderne dhe bashkëkohore e Maqedonisë dhe me udhëzimin e profesorit tim, Thoma Murzaku, jam adresuar ne Bibliotekën Kombëtare për të gjetur librat e historisë zyrtare maqedonase në gjuhën shqipe.
Ajo çfarë kam kuptuar nga tekstet zyrtare të këtij vendi është se Shkupi zyrtar i përiudhës së Jugosllavisë Dytë kishte investuar në mënyrë strategjike dhe të jashtëzakonshme për krijimin e një Historie Zyrtare të Maqedonisë, për hartimin, nga “konglomerati dhe mishmashi i qendrës së Ballkanit”, një Histori Kombëtare Sllavo-Maqedonase, krijimin e një identiteti të posaçëm sllavo-maqedonas, në mbrojtjen e përsosur të drejtave politike dhe kulturore për vete, të Republikës së vogël dhe të brishtë të Jugosllavisë.
Në qoftë se sot shkon në Arkivin e Maqedonise, atje do gjesh të arshivuar, kopjet e dokumentacioneve që zotërojnë arkivat e më të rëndësishëm ndërkombëtare, çdo dokument që ka të bëjnë me emrin MAQEDONI. Dhe këtë ata studiues zyrtarë e kanë berë shumë kohë para se studiuesit shqiptarë të Shqipërisë të mbërrinin me hap dritaret e tyre të vogla dhe gjysmake, në arkivat e Stambollit, të Venedikut, Raguzës, Romës etj..
Pse ka ndodhur një gjë të tillë?
Shtetarët e Maqedonisë së djeshme nën Jugosllavi e kanë pasur të qartë se përkatësia etnike e maqedonasve ishte dhe është ende shumë e diskutueshme.
Më ka bërë përshtypje të posaçme fakti se si nga një kryengritje e reduktuar në kohë dhe hapësirë, si ajo e Ilindenit dhe Republika e Krushevës që e pason, nga studiuesit zytarë të atij vendi është ngritur një “Kështjellë” e Rilindjes së tyre, e Nacionalizmit e Patriotizmit Maqedonas, që edhe sot ka reflekse në politikë dhe në mbruajtjen dhe përforcimin e tyre identitar.
Normalisht historia e nacionit sllavo maqedonas ka qenë e vështirë mbasi bëhet fjalë për një popullsi të shpërndarë në veri dhe në jug të atij rajoni, që ka pësuar edhe shtypje, edhe zhbimje, deri edhe pas LDB, siç është rasti i shpërnguljes massive nga Maqedonia greke të forcave partizane slave të kësaj kohe.
Për rrjedhojë rikompaktësimi dhe mbrojtja në këtë pjesë, krijimi i republikës dhe shtetit, ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm i tyre dhe unë mendoj se ata ia kanë dalë, falë unitetit kulturorë, religjioz dhe gjuhësor dhe sot edhe falë kuptimit që njohja e realitetit dhe e të drejtave të popullit shqiptar atje, është kusht themelor i ekzistencës, paqes dhe europianizimit në këtë anë.
Për këto arsye dhe të tjera që do përmend më poshtë, sipërmarrja e Buxhovit në fakt nuk ka qenë e lehtë mbasi caktimi i Maqedonisë në një Kombësi Ballkanike është edhe sot i komplikuar, sepse ishte një rajon me etni të përzier.
Deri vonë nuk ka pasur regjistrime të besueshme; Hartat e disponueshme kanë qenë kontradiktore.
Bullgarët edhe sot pohojnë se maqedonasit janë bullgarë dhe ata flasin një dialekt sllav shumë të ngjashëm me bullgarishtja.
Serbët pretendonin se ishin serbë sepse kishin zakone popullore si ato të Serbisë.
Grekët, te fiksuar në nocionet antike dhe në ndërlidhjet gjeografike kanë vënë përherë në dukje mbizotërimin e kishave ortodokse greke dhe praninë e grekëve në zonë që nga koha e Aleksandrit të Madh dhe argumentojnë me forcë se fshatarët e Maqedonisë ishin grekë sllavishtfolës.
Libri i professor Buxhovit mbi Maqedoninë, sipas meje, ka veçorinë, është një histori gjenerale e këtij vendi kuptuar në përmasë të plotë, (me përjashtim të historisë bashkëkohorë të Maqedonisë së Jugut) i shkruar pa ngarkesat nacionaliste të përmendura më sipër, jashtë komplekseve të shkrimit të tezave të paracaktuara për arsye politike dhe nevojave të mbijetesave shtetërore.
Ai është një libër i cili nuk injoron asnjë komponent etnik dhe kulturorë në dy mijë vite histori të kësaj ane të ballkanit, por ndjek të vërtetën përmes shqyrtimit të rezultateve kërkimore të autorëve seriozë. Para së gjithash ky libër ndjek faktorin iliro-dardan, arbnor dhe shqiptar në këto anë.
Ndryshe nga mënyra e studimit dhe e shkrimit të deritashëm të historive nacionale ballkanike, autori e ka shkruar historinë e Maqedonisë, ashtu siç duhet, të pashkëputur nga historia rajonale e popujve të tjerë me të cilët maqedonasit kanë ndarë të njëjtin fat, brenda perandorive dhe brenda rrjedhave të historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në këtë libër ne kemi Historinë e Maqedonisë nga koha e Ilirisë dhe Romës, Bizantit, Mbretërisë Bullgare dhe Serbe, Perandorisë Osmane. Gjejmë të trajtuara raportet mes Fuqive të Mëdha me perandorinë e sipërpërmendur otomane, dekadencën e kësaj perandorie në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, Gjenezën e Çështjes Lindore në tërësi dhe të krizave që kulmuan herë pas here për shkak të kësaj çështjeje të pazgjidhur të Lindjes, për Europen, që kishte të bënte me emancipimin e popujve të robëruar ballkanikë nga PO dhe shpërbërjen e saj; përpjekjet e Fuqive të Mëdha për Reforma, etj.
Shumë interesante paraqitet historia e LDB dhe e Jugosllavisë së Dytë, Periudha e viteve 1981-1991, e pavarësisë së Maqedonisë dhe e krizës së vitit 2001.
Pra, e thënë më qartë, kemi të bëjmë një studim kompleks, të gjithanshëm të atij entiteti historiko- gjeografik, parë në kuadrin e historisë së Europës Juglindore, marrëdhënieve ndërkombëtare të kohës dhe shteteve ku ai territor dhe popullsitë e kësaj ane, kanë bërë pjesë, duke përfshirë, Jugosllavinë e Parë në përiudhën mes dy luftërave botërore dhe Jugosllavinë e Dytë, deri ditën kur pjesa veriore e Maqedonisë u mevëtësua si republikë e pavarur, shtet që prirej dhe priret edhe sot të europianizohet.
Duke qenë se si pjesën e Rilindjes maqedonase dhe shqiptare, ashtu edhe pjesën e Bashkëkohësisë, më ka takuar t’i studio, verëj se autori ecën në rrugë të ndryshme nga historiografia shqiptare, që ende është peng i fshirësve të të vërtetave dhe atyre që duan të kalojnë kohën kot.
Për të kanë rënë me kohë shabllonet e histriografisë komuniste; njeh krejt mirë realitetin e kesaj periudhe dhe për pjesën bashkëkohore, saktësisht pas rënies së Murit të Berlinit.
Buxhovi mund të themi se ecën në një rrugë krejtësisht të veten të rishkrimit si historian dhe si deshmitar i procesve në tërësi në Kosovë, Maqedoni e Jugosllavi, i çliruar nga komplekset dhe ngarkesat politike dhe duke i qëndruar besnik profesionit të historianit serioz, që nuk ngurron të thotë edhe të vërteta, që të paditurve e të fanatizuarve nuk u pëlqejnë.
Në qoftë versionet e historisë zyrtare të Maqedonisë janë përpjekje për të themeluaar një histori nacionale nga interesa të veçanta të atij shteti, të trashëguar nga Jugosllavia e Dytë, libri i profesor Buxhovit është histori e Maqedonisë që nuk ecen në kahun e fshirjes së identiteteve të tjera në atë territor kaq të përzier; është një histori që nuk len në heshtje interesat e popullit shqiptar, rolin e tij si faktor paqësor shtetformues ndër këto anë.
Jusuf Buxhovi është prej historianëve shqiptarë që ia ka dale të kryejë procesin e Rishkrimit të Historisë së trojeve shqiptare në formë gjenerale, që zakonisht e bëjnë institutet. Por ai e ka bërë një gjë të tillë, i vetëm, i çliruar nga dogmat që vazhdojnë të rëndojnë mbi ne në Tiranë dhe që mbajnë lidhur në një fare mënyrë, për një mijë arsye edhe institucionet historishkruese kosovare.
Një histori e Maqedonisë në versionin që shqiptarët atje duhet ta dijnë dhe të krenohen që janë pjesë e saj, mbase për shkak të padrejtësisë së historisë, që i shkëputi nga shteti amë.
Një histori që mban nalt flamurin e Ilirisë, Dardanisë dhe Arbnisë, Rilindjes dhe të drejtave të shqiptarëve, pa shkelur të drejtat e të tjerëvë dhe mbi të gjitha duke respektuar të vërtetën, historinë dhe kompleksitetin e kësaj të vertëtë në rastin e kësaj hapësire ballkanike
Ju faleminderit!
*(Kumtesë e lexuar me rastin e promovimit të librit “Maqedonia nga antika deri te koha e jonë” nga Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë, më 28 prill 2013)./ObserverKult
Lexo edhe:
TEK JUSUF BUXHOVI FAKTI KTHEHET NË REALITET JETËSOR, NDËRSA JETËSORJA NË KUJTESË HISTORIKE
Jusuf Buxhovi me letërsi ka filluar të merret që herët, qysh në shkollën fillore, fillimisht me vjersha për fëmijë.
Më vonë, në shkollë të mesme ( në vitet 1960) ka filluar me poezi për të rritur.
Poezitë e para i ka botuar në “Jetën e re” nr. 1/1961, në rubrikën “Horizonte” bashkë me Beqir Musliun dhe Matea Mateun (Matevski më vonë).
Ali Podrimja dhe Teki Dërvishi kanë qenë ata që “e kanë bartë” në këtë rrugë. Më vonë, si student (1964-1968) i është kthyer prozës (tregimit), për të vazhduar me romanin.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult