Tek Jusuf Buxhovi fakti kthehet në realitet jetësor, ndërsa jetësorja në kujtesë historike

jusuf buxhovi portret observerkult

Jusuf Buxhovi me letërsi ka filluar të merret që herët, qysh në shkollën fillore, fillimisht me vjersha për fëmijë. Më vonë, në shkollë të mesme ( në vitet 1960) ka filluar me poezi për të rritur. Poezitë e para i ka botuar në “Jetën e re” nr. 1/1961, në rubrikën “Horizonte” bashkë me Beqir Musliun dhe Matea Mateun (Matevski më vonë). Ali Podrimja dhe Teki Dërvishi kanë qenë ata që “e kanë bartë” në këtë rrugë. Më vonë, si student (1964-1968) i është kthyer prozës (tregimit), për të vazhduar me romanin.

Nga Emin Azemi

Gazetarinë, siç e thotë zakonisht edhe vet Jusuf Buxhovi, e ka patur bukë, ndërsa letërsinë – ujë. Gazetaria i ka dhënë atij dinamikën, ndërsa letërsia ndjenjën. Shpesh, siç kishte ndodhur edhe me Markezin, Heminguejin, Buxatin, edhe tek Jusuf Buxhovi, letërsia dhe gazetaria kanë kundërshtuar njëra tjetrën, po edhe kanë ndihmuar.
Por, përveç gazetarisë, kishte qenë edhe një bashkëshoqëruese tjetër – historia, e cila e kishte bërë më kompleks profilin prej shkrimtari të Jusuf Buxhovit. Gjithsesi, letërsia dhe historia ishin dhe mbeten preokupim i tij i përhershëm. Ato kanë plotësuar njëra-tjetrën, po edhe kanë “luftuar” secila në mënyrën e vet që fakti të kthehet në realitet jetësor, ndërsa jetësorja në kujtesë historike. Ky diskurs ka zhvilluar te Buxhovi  “garën” e vazhdueshme që paralelizmi i të vertetës të kalojë nëpër binarët historik dhe letrar.

Letërsia si vokacion është fiktion, ndërkohë që Buxhovi në vazhdimësi është marrë edhe me historinë si shkencë dhe si dokumentim i kohërave, fakteve e ngjarjeve. A mund të bashkëveprojë fiksioni dhe faktografia brenda një autori me vokacion të dyfisht, ose sa e pengon/ndihmon një shkrimtar të merret me histori dhe ansajelltas, sa e ndihmon/pengon një hisotorian të merret me letërsi,  është një çështje për të cilën sot ka një debat të papërfunduar në botë.

Në raport me historinë, tek Jusuf Buxhovi mund të thuhet se letërsia po paguan njëfarë kostoje për shumë arsye, por kësaj radhe po  veçoj një prej tyre.

Ende observimi kritik-letrar te ne vuan pasojat e rrethanave që ndikohen nga atmosfera shoqërore e politike, pra jashtëletrare,  dhe për rrjedhojë shumë vepra letrare të Jusuf Buxhovit kanë mbetur pa u vërejtur nga kritika letrare,  ndonëse kjo mund të jetë e përkohshme, nga që vlerat letrare janë më të që ndrueshme se ato historike, të cilat, përherë u nënshtrohen rishqyrtimeve. Kjo edhe për faktin se në vëmendjen publike tonën dominion figura e Jusuf Buxhovit si historian dhe të gjithë ata që mundohen të gjejnë hile në këtë përkushtim, nuk marrin mundin pastaj të trajtojnë më me kompetencë veprën letrare të tij.

Thjesht dhe padrejtësisht, sidomos viteve të fundit, historiani Jusuf Buxhovi herë –herë e eklipson shkrimtarin Jusuf Buxhovin, por kjo me asgjë nuk e relativizon vlerën e veprës së tij letrare, sepse ajo mbetet e pandryshueshme pavarësisht nga qasjet momentale ndaj saj. Kjo po dëshmohet edhe me jehohën që po ka vepra e tij në botë, kurse disa nga gjuhët më të mëdha tash më janë bërë përçuese të rëndësishme të porosive të tij letrare. 

Kur jemi te vlerësimi i veprës letrare të Jusuf Buxhovit, por edhe të autorëve tjerë, duhet përmendur edhe një hendikep të madh me të cilin po ballafaqohet letërsia jonë në përgjithësi në raport me kritikën si faktor të saj të pandashëm në krijimin e një kierarkie sistemuese të vlerave.

Përkundër këtyre mangësive, megjithatë,  Jusuf Buxhovi, nuk ka mbetur edhe i pa vërejtur nga vëzhgimet teoriko-letrare, madje jo pak raste mbi veprën e tij janë punuar teza magjistrature  e doktorate,  pra nuk ka munguar vlerësimi i veprës së tij nga kritika letrare, por që ai vlerësim ende vuan nga një qasje sporadike, dhe disi panoramik, pra jashtë konceptit që i duhet një krijimtarie prej mbi 40 veprash letrare (disa prej tyre të nderuara me çmimet më të larta letrare e deri te ato kombëtare, siç është ai Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprat NATAT E SHEKUJVE dhe PRAPË VDEKJA, çmimi “Hivzi Sulejmani” për romanin LIBRI I TË MALLKUARVE, çmimi kombëtar “Azem Shkreli” për romanin KODI I DASHURISË) të shkruara në një afat kohor prej një gjysmë shekullli. Me këtë rast, duhet theksuar se shkrimtari dhe kritiku letrar, Ramdan Musliu kishte filluar një studim më ambicioz teoriko-letrar për  veprën e Buxhovit, por që vdekja e tij e e parakohshme e la të papërfunduar.

Proza shqipe e Kosovës ka kaluar nëpër disa faza zhvillimi, duke kaluar nga tradita e shkrimit konvencional në trajtat moderne të procedeut. Jusuf Buxhovi është formuar mbi bazën  e këtyre traditave e metodave, pa harruar edhe përvojën e letërisë së përbotshme. Ai i takon brezit të shkrimtarëve që ndërlidh tradicionalitetin me modrnitetin. Ky kapërcim vjen në saje të transformimit të hapur nga shkrimtarë siç ishin Pashku, Shkreli e të tjerë deri te gjenerata më e re (T. Dervishi, B. Musliu, Y. Shkreli, M. Kraja, Z. Rrahmani, M. Ramadani e të tjerë), të cilët ndërlidhën përvojën e trashëguar me atë të rrymimeve të reja nga jashtë, që asokohe depërtonin në ish Jugosllavi, ku kultivohej arti dhe në përgjithësi krijimtaria jashtë kornizave ideologjike (socrealizmit).

Nga romani SHËNIMET E GJON NIKOLLË KAZAZIT deri te romani JENIÇERI I FUNDIT, Buxhovi ka  ndjekur një linjë të pashkëputur të paraqitjes së zërit autentik të protestës ndaj deformimeve që vinë nga jashtë dhe nga brenda. Duke qenë vet një historian i pasionuar, ai operoi me aparaturën historiografike në funksion të letrarizimit të faktografisë. Me lëvozhgat e histories, Buxhovi bëri ngjyrën me të cilën pikturoi një tablo të gjerë në të cilën e vendosi Kosovën, si mimezis dhe si kryepersonazh gati në të gjitha veprat e tij, qoftë letrare, qoftë shkencore.
Rrallë mund ta hasim te ndonjë shkrimtar tjetër, siç mund ta  kemi tek Jusuf Buxhovi, Kosovën si entitet ontologjik e gjeografik brenda një strategjie të përpunuar mirë narrative. Mbase kjo ka ndodhur edhe për shkak të asaj që Goldmani konsideronte se struktura e veprës letrare është homologe me maskrostrukturëne shoëqrore të kohës kur krijohet.  Buxhovi madje shkonte përtej këtij parimi të Goldmanit për arsye se  Kosova, si topos dhe si kryepersonazh, në veprën e tij i tejkaloin kufinjtë e një përfytyrimi thjeshtë gjeografik, por më shumë se kaq ajo ngrihet mbi shtyllat e një skene lëvizëse ku tërmetet e historisë e bartin sa nga njëra anë, po aq nga ana tjetër, kurse në mes zhvillohet drama e kauzave e bindjeve, në mes të faktorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm.
Në veprat e  Buxhovit kjo dramë paraqitet brenda  një dikursi homogjen në ideografinë e narracionit letrar, ku konflikti në mes të ideve e parimeve dhe përmes një koegistence psikologjike e emocionale,  shpesh përfundon edhe me epilog tragjik, siç ndodhë me Bashkim Kosovën si dhe me një mori personazhesh në romanet Dushkaja, Dosja B, Jeniçeri i fundit, Letrat për kryeprincin, Udhëtimi i Mendim Drinit, Shënimet e Gj.N. Kazazit etj.

  Për rrjedhojë, në gradacionin fabulativ të prozës së tij, qarku i  temave e ideve,  kap dimensione të padukshme të gjallimit të njeriut tonë, edhe për faktin se autori që  del të jetë herë alteregoja e Gjon Nikollë Kazazit, herë Bashkim Kosovës, e herë e Jeniçerit të fundit, projektohet si zë i tematizimit të ndërgjegjes së kohës në planin e saj të brendshëm dhe të jashtëm, veçmas kur kjo problematikë nxjerr në pah dimesionet ekzistenciale, çfare ishin ato nëpër të cilat kaluam, ku shumë prej tyre, veçmas ato të pasluftës, në përputhje të projekteve antishqiptare, paraqitnin gjendjen me qenë ose mos me qenë…
Te krijuesi, këto gjendje, shfaqen përherë si jehonë ku e djeshmja shfaqet edhe si “ngatërrim” midis të sotmes së nesërme, apo të nesërmes së djeshme. Buxhovi nuk e sheh fiksionin dhe realen si dy botë kundërshuese. Përkundrazi, komplementariteti i tyre kalon nëpër interpretimin linear të historisë përmes figurave dhe ngjarjeve që shkrihen në kufinjt e letërsisë dhe faktografisë, ku historia del si palimpsest letrar, kurse letërsia si katalizator i një epistemologjie moderne, e cila e subjektivizon konfliktin brenda një shoqërie që po kalonte nga njëra epokë në tjetrën, nga njëra kulturë shtetndërtimi në një kuturë tjetër. Traumat shoqërore individualizohen dhe kalojnë nëpër labirinthet e një paqartësie që prodhon koha e pasluftës, ku dominojnë lapidarët e rremë, vrasësit me pagesë, kontrabanduesit e identiteti kulturor etj.

Nisur nga ky diskurs estetik-letrar, mbase, duhet kërkuar edhe interesimin për veprën e Jusuf Buxhovit.

Qysh nga fundet e viteve të tetëdhjeta, një botues italian interesohej për përkthimin në italisht të “Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit”, madje edhe të filmimit të tij. Mirëpo projekti kishte dështuar për arsye se kërkohej një koproduksion me shtetin jugosllav, gjë që kjo ishte e pamundur të bëhej në vitin 1987, kur dihej se ofensiva e Millosheviqit synonte ta gëlltiste Kosovën dhe autonominë e saj, siç edhe ndodhi pas një viti. Por, në këtë kohë, kemi përkthimin e Kazazit në sllovenisht dhe çuditërisht në serbisht, një ndërmarrje e përbashkët e “Jedinstvës” dhe “Nolitit”, që u botua në vitin 1996. Natyrisht se ky interesim për “Kazazin” vazhdoi menjëherë pas përfundimit të luftës me përkthimin në frengjisht nga botuesi “L’Harmatan” në vitin 2010, për të vazhduar me përkthimin në italisht para disa muajsh nga botuesi i Romës ,Armando, pastaj me përkthimin në rumanisht. Ndërkohë që, po ky roman, në përkthim e sipër është në anglisht, gjermanisht, polonisht dhe ndodh që së shpejti të fillojë edhe pëkthimi në spanisht.

Interesimi i tashëm i shtuar për veprën e Buxhovit,  krahas përkthimit në shumë gjuhë të “Kazazit”, ku së voni në anglisht u botue edhe “Dosja B”, ndërsa së shpejti pritet që këtë rrugë ta ndjek edhe romani “Mona”, ka të bëjë me suksesin e romanit “Shënimet Gjon Nikollë Kazazit” në disa gjuhë. Po nuk duhet harruar, se me përkthimin e veprave të Kadaresë në shumë gjuhë botërore, pastaj të veprave të Besnik Mustafajt, Fatos Kongolit, Zija Çelës, Ylljet Aliçkës e të ndonjë tjetri, vjen duke u shtuar edhe interesimi për autorët tjerë shqiptarë.

Lexuesi i Buxhovit ndjek me vite profilin e një shkrimtari që nuk ka bërë shumë eksprimente me fakturën e shkrimit, por i ka qëndraur besnik një metode autentike të procedimit krijues, e cila nga vepra në vepër madje vjen duke u përsosur dhe mbindërtuar me forma më komplekse. Mbajtja e këtij kondicioni krijues, por edhe huazimi i temave letrare në “magazinat” e historisë, janë disa nga meritat tjera që mund t’i përshkruhen këtij autori, i cili kur shkruan ka parasysh vetëm atë nga e cila duhet të lirohet, pra të zbrazet… Mbase kjo “zbrazje” shfaqet si një riciklim i vazhdueshëm, ndonëse  të menduarit historik dhe vetëdija e saj luan rol të rëndësishëm në këtë proces.


Jusuf Buxhovi ka ndërtuar sistemin e tij letrar, kurse vepra që po vjen duke u shtuar do t’i siguroj atij statusin e një shkrimtari me natyrë komplekse dhe me dinamizëm të pashoq në imponimin e diskursit letrar si paradigmë e zhvillimit dhe emancipimit të kulturës receptive tash dhe në të ardhmen.

ObserverKult

Lexo edhe:


NJË KOHË QË MUND TË NA IKTE PA U VËREJ
TUR!