Marco Aurelio (26 prill 121 – 17 mars 180), perandori dhe filozofi romak, kishte prejardhjen nga një familje senatorësh spanjolle. U adoptua nga xhaxhai i tij që më pas do të bëhej perandori Antonio Pio (Antonius Pius), me urdhër të perandorit Adrian.
Që në moshën 8-vjeçare u pranua nga Këshilli Klerikal i Romës.
Në politikë ai ndoqi Adrianon dhe Antonino Pio; në retorikë u edukua nga Cornelio Frontone dhe nga stoikët mësoi “të mos mrekullohet nga asgjë, të mos ketë frikë nga asgjë e të mos ketë ngut kurrë”.
Ja, i pajisur me një formim të tillë, në një tendë të largët, përtej Danubit, në intervale pushimesh nën një qiell të plumbtë a me shi, besohet që Marco Aurelio të ketë shkruar “Meditimet” e tij të famshme.
Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga këto “Meditime”:
Nuk duhet të të turbullojë përfytyrimi i një jete të tërë. Mos ço ndër mend cilat vuajtje dhe sa të tilla, në fund të fundit, të është dashur të durosh, por, kur të vijë çasti që të vuash, pyet veten çfarë ka këtu për të mos e duruar dhe për të mos e përballuar.
Do të të vijë zor të pranosh se mund të ketë diçka të tillë. E pastaj kujtoji vetes se nuk është e ardhmja e as e kaluara ajo që të mundon, por është gjithnjë e tashmja.
Kjo ama pakësohet shumë nëse ti e veçon mendjen tënde në kufijtë e saj dhe nëse e fajëson atë kur nuk është në gjendje të përballojë një të tashme kaq të pambrojtur.
*Shkëputur nga libri i Marco Aurelios: “Meditimet”, i përkthyer nga Alda Mukli e botuar nga “Plejad”
Këshillat e Marco Aurelios
“Një guru i kohës sonë”, ja se si e paraqiste autorin dhe veprën e vet, revista e famshme britanike “The Times” në një numër të saj sensacional në prag mileniumit të ri.
E përtej një jehonizimi të ideve të tij, kemi të bëjmë më tepër me shpërblimin më të madh që ai i ka bërë njerëzimit jo vetëm me një filozofi të spikatur të jetës, por edhe me një “psikologji të një niveli shumë të lartë”, siç do ta perifrazonte në një shkrim të vet Erich Fromm.
“Po ç’gjë vallë mund të ngjajë e madhe, kur dhe vetë Toka nuk është veçse një pikëzë e kozmosit?
E ç’janë qeniet njerëzore përveçse hi dhe tym?” përcaktonte ai.
“E megjithatë o njerëz, kundroni ju lutem brenda vetes. Në thellësi të saj gjendet gurra më e mirë, e ajo patjetër që do të burojë, mjaft që ju të gërmoni. Mjaft që ju të dëshironi e do ta gjeni patjetër një orë paqeje për ta bërë diçka të tillë”.
“Mos u Çezarioni! As mos shpresoni në Republikën e Platonit! Kënaquni duhet bërë çdo ditë një hap përpara, qoftë edhe të vogël”, ja si këshillonte një nga filozofët më të mëdhenj të antikitetit.
E përgatiti: A. S.- ObserverKult
———————-
Lexo edhe:
MARCO AURELIO: GJITHÇKA MUND TË ARRISH NËSE NUK VENDOS QË TË HEQËSH DORË