Intervistë e shkrimtares italiane, Andrea Marcolongo për El Cultural.
Nga Andres Seoane
Solli në shqip: Albana Murra
Libri juaj udhëton nëpër rrënjët e fjalëve. Jetojmë në një botë ku kuptimi dhe përmbajtja e fjalëve po humbet, po ndryshon. A janë në rrezik zhdukjeje fjalët?
Andrea Marcolongo: Padyshim. Interesi që tregohet për rrënjën e fjalëve lind nga mendimi që fshihet në brendësinë e tyre. T´i studiosh dhe t´i dashurosh fjalët ka një lidhje me aftësinë për të dashuruar mendimin. Gjuha si shkencë njerëzore ndryshon sepse dhe ne vetë ndryshojmë. Nëse fjalët janë në rrezik, për ne kjo duhet të përkthehet si dobësi e asaj epoke. Fjalët nuk do zhduken kurrë, por në fakt rreziku qëndron pikërisht në gjetjen e fjalës më të përshtatshme që i korrespondojnë një ideje, një mendimi. Fjalët janë si valixhet dhe mendimet përfaqësojnë çka ka në valixhe.
“Zakonet tona shfaqen përmes gjuhës sonë. Ne që jemi afër detit mesdhetar nuk mendojmë si do prodhojmë siç bëjnë anglosanksonët, ne mendojmë si të krijojmë”
Ky udhëtim etimologjik, na shpie në Romën dhe Greqinë e lashtë, djepi i përbashkët i gjuhëve tona. A mund t’a ruajmë mendësinë e një kulture përmes gjuhës?
Andrea Marcolongo: Mund të rekuperohet mendimi i para 2000 vjetëve. Përmes këtij libri jam munduar të rikujtoj bukurinë e të menduarit si mesdhetarë. Udhëtimi në të kaluarën është shkuarje në burimin ku lindën fjalët. Burimi është i pastër dhe aty has në mendime të pastra, sepse gjendesh në origjinë.
Të gjitha zakonet e kulturës sonë gjenden në gjuhën tonë. Kultura anglosanksone është në modë, shpirti i saj na ka kolonizuar. Duhet t’a respektojmë por ne nuk jemi të tillë. Ne nuk jemi bijtë e një sistemi kapitalist. Nuk ngrihemi nga gjumi me mendimin se çka do të prodhojmë sot. Jemi bijtë e artit dhe gëzimit të të jetuarit. Pandemia na i vështirsoi gjërat por gjithsesi ai gëzim duhet të jetë pjesë e jetëve tona. Shpirti ynë mesdhetar krijon më shumë sesa prodhon. Jemi intelektualë të papërgjegjshëm sepse shpirti ynë i dlirë reflektohet dhe në mënyrën si shprehemi, si mendojmë e si veprojmë.
E keni fjalën që duhet të kthehemi në kohën kur mendimi dhe fjala ecnin në një drejtim dhe përmes fjalës arrihej tek e vërteta. Kështu ndodh dhe aktualisht?
Andrea Marcolongo: Kemi një imazh të Greqisë së lashtë perfekte, por jo të gjithë ishin filozofë dhe jo të gjithë flasin keq.
Jo të gjithë jemi të humbur. Gjatë shkrimit të librave kam mësuar se intelektualët kanë përgjegjësi mbi nivelin kulturor. Kultura është një çështje politike, e me rënien e nivelit të kulturës, mendimeve iu bie niveli gjithashtu. Besoj se njerëzve në përgjithësi, iu pëlqen të mendojnë, nuk besoj se duhet ta thjeshtësojmë kulturën për ta bërë më të arritshme. Truri ynë është i njëjti me atë që kemi pasur para 2500 vjetësh dhe duhet t’i mëshojmë rëndësisë që ka mendimi.
“Të shkruarit është një talent, por në një farë mënyre është dhe detyrë. Intelektualët nuk duhet t´a lënë hapësirën publike të pushtohet nga antivlera, është përgjegjësia e tyre t’a pushtojnë atë.”
Më vjen në mendje Gianni Vattimo i cili mendonte se moderniteti e uniformizon gjuhën. Si mund të përleshesh me fjalët boshe që përdoren pafund në kontekstin social për shembull?
Andrea Marcolongo: Nuk mund të rrimë duarkryq përballë njerëzve që nguliten në ekranet e telefonave dhe kompjuterave. Politikanët vazhdojnë deklaratat e tyre të gënjeshtërta dhe askush nuk e ngre zërin. Ndaj intelektualët dhe kultura në vetvete kanë përgjegjësi.
E keni fjalën për rolin e intelektualëve, hapësira publike është mbushur nga aktorë më pak të kualifikuar?
Andrea Marcolongo: Siç e thashë dhe më parë, të shkruarit është talent por ne nuk mund të vazhdojmë të shkruajmë vetëm që të na bëjnë foto ngado që shkojmë. Ne që shkruajmë e kemi për detyrë “ta pushtojmë” atë hapësirën publike.
Meqë jemi tek kjo temë, në Spanjë flitet gjithmonë për keqtrajtimin që iu bëhet qenieve njerëzore. Sepse duhet t´i luftojmë jo vetëm në aspektin kulturor por dhe në atë politik?
Andrea Marcolongo: Mua do më pëlqente shumë që nëpër kolegje të mësoheshin gjuhët klasike, sepse niveli i shkollimit është tregues kryesor për të kuptuar nivelin e një vendi. Shkollimi është shëndrruar thjesht në punë. Po trajnojmë punjonjës por jo qytetarë që duan të mendojnë për veten e tyre. Kjo duhet të ishte në fakt detyra e parë e politikanëve: përmirësimi i sistemit shkollor.
“Shkenca dhe Letërsia duhet të ecin dorë për dore. Shkenca zbulon dhe letërsia përcakton kufijtë etikë”.
Gjithsesi sot jetojmë në një botë që dominohet nga Shkenca. Cili është roli i shkencave njerëzore në një shoqëri “të mbytur” në teknologji?
Andrea Marcolongo: Kemi harruar që shkenca dhe letërsia kanë qenë gjithmonë të lidhura që në antikitet. Shkenca zbulon dhe letërsia përcakton kufijtë etikë. Kemi ndërtuar një sistem edukativ në të cilin duket sikur mendojnë vetëm shkencëtarët ndërsa njerëzit janë të zënë me muzat.
Kjo tendencë nuk priret të ndryshojë. Kur u materializua ndarja mes këtyre dy fushave të dijes.
Kjo frakturë historike mori formë gjatë iluminizmit kur letërsia konsiderohej fantazi. Pandemia ka bërë që të ndihemi vetëm por frika nga ana tjetër na ka bashkuar. Kur nuk kemi pasur më frikë, jemi ndjerë akoma më shumë vetëm.
Ne si shoqëri e kemi harruar rëndësinë e gjuhës?
Andrea Marcolongo: Në krahasim me gjyshërit tanë, ne nuk jemi të zotë të kuptojmë vlerën politike të gjuhës. Ata e kishin të qartë që të dish të flasësh, të shprehesh, ishte themelore veçanërisht për demokracinë. Sot përkundrazi injoranca është shëndrruar në vlerë. Sa më vulgar, injorant të jesh aq më shumë je në modë e i pranuar. Para dy brezash, askush nuk e merrte guximin t’i kundërshtonte mjekët, por e pamë dhe gjatë pandemisë se sa shumë e morën guximin dhe e shprehën mendimin e tyre mbi çështje mjekësore si të ishin mjekë të vërtetë. Priren të imponojnë mendime, pavarësisht se nuk ia kanë haberin.
“Fjalët përbëjnë një vepër politike. E para gjë që bën një diktator i çdo periudhe është të ndryshojë fjalët”.
Si e përkufizoni lirinë?
Andrea Marcolongo: Liria nuk është anarki, liri nuk është të thuash: “Tani bëj çfarë të dua sepse jam më i fortë”. Liria është e drejta që ke për të zgjedhur se ku do të jesh. Të përdorësh lirinë për t’iu kundërvënë diçkaje ose dikujt është mohim i lirisë.
Liria është e drejta dhe detyra për të zgjedhur. Por mua më tremb politika që vjen dhe e deformon si të dojë. Unë jetoj në Francë dhe më kujtohej si Macron thoshte se jemi në “luftë”, kur i referohej pandemisë, është një fjalë shumë e rëndë. Të përdorësh fjalë të tilla për të zgjuar emocione nuk është domosdoshme, por është për më tepër barbare. Është si t’i ulurasësh dikujt në vend që t’i flasësh.
E mira do ishte që fjalët të përdoreshin për t’i futur njerëzit në mendime dhe pastaj secili të vendosë me liri të plotë.
Deri në ç’pikë fjalët mund t’a ndryshojnë botën?
Andrea Marcolongo: Fjalët kanë shumë fuqi, fjalët janë vepra politike, fakt që dihet që nga Greqia e lashtë. Aleksandri i Madh dhe George Orwell gjithashtu në librin e tij “1984” se çdo diktator kur vjen në pushtet e para që bën është ndryshimi i fjalëve. Ndaj dhe unë e shkruajta këtë libër sepse rrënjën e fjalëve nuk ka fuqinë t’a deformojë ende askush dhe fjalët luajnë malet.
*Andrea Marcolongo (lindur më 17 janar 1987) është një eseiste dhe shkrimtare italiane. Ajo është diplomuar për Letërsi Antike në Universitetin e Milanos. Marcolongo shkruan për kulturën dhe librat tek prestigjozet italiane, “La Stampa”, “La Repubblica” dhe “Il Messaggero”. Është autore e dy romaneve mbi dashurinë për gjuhën greke, gjuhë që tanimë cilësohet si “e vdekur”, por që për të “jeton” në mendimet e atyre që e studiojnë.
ObserverKult