Kam qenë një vashëz në kopshtijen e trëndafilave, një nimfë…

Poezi nga Mariangela Gualtieri

Kam qenë një vashëz në kopshtijen e trëndafilave, një nimfë.
Gati fantazmë që po davaritej.
Kam qenë një vashëz 16-vjeçare, hapësirë.
Përshkova shkretëtirën ngutshëm,
gati fluturimthi.
Një statujë e gurtë e Budës duke fjetur,
një Budë hiri isha.
Një grua lavjerë në hapësirë.
Kam qenë një burrë kryeneç dhe i fortë.
Një e shqëndruar me një peshk në gojë
dhe mandej
fëmijë perandori në kopshtin oriental.
Një pemë kam qenë, ndoshta.
Një mi. Një elefant. Një lepur.
Kam qenë fushëbetejë dhe një lutje.
Një lulëkuqe. Një planet i tërë.
Ndoshta një yll. Një lagunë.
Ujë kam qenë, këtë e di.
Ujë dhe erë kam qenë.
Një shi mbi diçka që më parë kisha qenë.
Një betim. Një pritje.
Vrapi i drenushës.
Një plumb kam qenë.
Gjuajtja e patëmetë e shigjetës.
Zgavër e nëndheshme.
Një besim, një vajtim.
Një anije në dallgë të lartësishme.
Ndoshta edhe deti.
Kështu që, nga se duhet të kem frikë tani.
Do kaptoj plasaritjen e së zezës,
-veshjen lënë mënjanë –
do të jem e lehtë dhe e vetme,
e pafjalë dhe vezulluese,
veshur krejt veç me një tjetër qiell.

Ujdisi shqip Rielna Paja

ObserverKult


Lexo edhe:

ARBEN E DENIS DUKA: POEZITË QË BABË E BIR I DEDIKUAN NJËRI-TJETRIT PARA SE TË VDISNIN

Përpara se të ikte nga kjo botë, poeti Arben Duka i ka kushtuar një poezi djalit tij:

arben duka

Arben DukaPër Denisin

Si pikë e lotit ngjan me mua,
o biri im-Denis,
babai nga vitet u rrëzua,
po ti m’u bëre Lis!

M’u rrite shpejt-si vetëtima,
sa më tani s’të njoh,
në çdo qelizë të qënies tënde,
unë veten time shoh!

Ndaj do të shkoj këtej i qetë,
dhe dheu do më treti,
se shpirti im i gjerë si det,
tek ti i gjithi mbeti.

Kjo s’është Këngë për Lamtumirë,
po ku i dihet jetës,
bëhu në jetë Njeri i Mirë,
dhe Rob i së vërtetës!

Poezitë mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult