Poezi nga Marin Soresku
Aq më je ngulur
në mendim
sa mund të të qarkoja
me një gardh.
Do të qe, padyshim, i lartë,
shumë i lartë,
që ajri i pjesës tjetër të botës
të mos e kapërcente dot.
Dhe majë çdo huri
të mprehur:
nga një yll
si një glob i zakonshëm
ose më mirë: kokat
e atyre që kanë guxuar
të të dashurojnë.
*Titulli origjinal: DASHURI
Përktheu: Aurel Plasari
ObserverKult
Lexo edhe:
MARIN SORESKU: TË MË THUASH: “TË DUA”, GËZOHEM SI KALAMA…
Haj ta besojmë çdo gjë që themi.
Është një lojë shumë e bukur.
Ti të më thuash: “Të dua”
dhe unë të gëzohem si kalama,
si të më paskëshe dhuruar një biçak
me dorezë kocke.
Të më thuash çiltas
gjithë sa mendon
për fqinjët, për gjithësinë,
për shiun.
Ose të mos më thuash asgjë
dhe gjithë mendimet e mia
t’ia bëjnë me kokë
e të thonë “po”.
Ndërsa unë të të them:
“Te ky thua ti ke një liqen të thellë
dhe te thonjtë e tjerë nga një det,
Po lëvize gishtërinjtë nëpër ditët e mia,
Niagara mund të shpërthesh.”
Dhe deri në mbrëmje, nga fjalët e mia
të rritet një bar i lartë
që të mbërrijë në qiell,
në majë me planetin tonë
ose me ndonjë yll për farë.
Dhe ti të kesh besim te bari im,
te të gjitha të kesh besim,
verbërisht,
dhe unë të kem besim te gjurma jote para meje,
kalorësisht.
Përktheu: Aurel Plasari
*Titulli i origjinalit: “Sylla-mbylla”