Qysh asht jeta me atë tjetrën?
Ma e thjeshtë, a po? Shtyerje e rremave
në nji vijë të gjatë bregdetare—
dhe kujtimi jem
shpejt bahet ishull që zhduket
(jo në oqean—në qiell!)
Shpirtna—ju keni me u ba motra—
motra, jo dashnore.
Qysh asht jeta me nji grue të zakonshme?
Që s’ka zot brenda?
Mbretneshë e përligjun—
Qysh merr frymë ti tash?
A dridhesh kur çohesh?
Çka ban o mjeran?
“Boll ma
brtimë e kleçka! Kam me marr nji shpi me qira!”
Qysh asht jeta jote me tjetrën,
ti, jeta jem.
A asht mëngjesi i shijshëm?
(Nëse smuhesh, mos ma le mue fajin!)
Qysh asht me jetu me nji kartolinë?
Ti që rrije n’kambë në Sinai.
Qysh asht jeta me nji turiste
në Tokë? Loja e saj (a e dashuron?)
a po të bjen taman?
Qysh po shkon jeta? A po kollitesh?
A po i nemit zanat n’krye me kangë?
Qysh asht me jetue me mallna të lira: a po i han pazari?
Qysh asht me puth pluhnin e allçisë?
A tu ka mërzitë trupi i saj i ri?
Qysh po t’shkon me nji grue tokësore,
pa shqisën e gjashtë?
A je i lumtun?
Jo? Në gropë të cekët—qysh asht jeta jote,
dashnija jem? Njajtë sikur e jemja
me nji burrë tjetër?
Përktheu: Vlora Konushevci
ObserverKult
Lexo edhe:
(VIDEO) VLORA KONUSHEVCI LEXON POEZITË E SAJ/ FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS 2