Poezi nga Marjeta Gjoka
Do ta shpall një profeci
Me fuqinë që ma jep Perëndia.
Fuqi prej njeriu të mirë e jo domosdo të ditur.
Unë dhe ti do të jemi bashkë!
Do të kemi një formë që i ngjan të ardhmes.
Do ta deftoj kështu.
Është një shpikje e rrallë.
Një sajesë që duhmen e ka si bersitë e rrushit
Që më ktheu kah jetës
Kur si eshkë bërë, fjeta.
Do jemi momente mermë.
Unë e ti përkitur në bisht të syve gjithmonë.
Atëbotë kur unë të jem flutur e ti ndoshta një ujk.
Atëmot kur ti zall e unë gur në fundin e tij.
Kësodore do të jetë miqësia jonë.
Unë centauri e ti Njeriu
Që melodrama e fushbetejat të kryhen mbi gjoksin tënd.
E kahmot unë një dënesë e thellë e herë klithmë e rrejshme.
E përkorë por edhe e hapërdarë si polen.
Ndërsa ti prajë e qetë.
Buzëmbrëmjeve ti lirikë e unë çoroditje.
Ti gjithëqysh më i mirë se unë se këtë detyrë të dha Zoti.
Të më mbledhësh e t’më vësh në një enë argjile.
Si fllad t’i frysh prushit e pluhurin e hirit të heqësh.
Të digjem në shpërbërje e të ringrihem mbi hi.
Nga centaur të bëhem njeri.
Që dramcat e karakterit tim të zbruhen në sosje.
Ta ndjellim ne të dy dashurinë në skaje
Të ndjejmë afër jetën
Të ndjehemi të motmoçëm
Derisa të mos jem më farise zafikur.
Prej gjithë kësaj shkapërderdhje mendimesh
Parandjej një martesë të lumtur.
Me siguri do i kemi dy fëmijë që lozja e tyre e pëlqyer do jetë drugdhendja.
Ndërsa ne të dy poshtë ullirit riosh
Rrezitemi e rreshkemi nën diell
Dora ime mbi kokën tënde thinjoshe e flokëdendur.
Gota e verës e ngërthyer në gishtat e këmbës time.
Mbështetur në ty.
Vetëm kështu e ka njëfarë shije jeta dhe parandjenja kur shoh dritën e syve të tu.
ObserverKult
Lexo edhe: