
Të varfra janë çastet
Kur nuk mendoj për ty.
Ditët pa praninë tënde
Janë hi i fjetur dëshpërimi,
Bosh e pa kurrëfar vlere
Janë orët pa kokën tëndë
Mbështetur mbi kraharorin tim,
Si një baule e vetmuar
Në qoshk të oxhakut.
Koha pa ty
Zvarritet si një kërmill
Mbi jargët e neveritshme.
Macja mjaullin përvajshëm
Mbi pullazin e shtëpisë,
Pemët refuzojnë të veshin
Uniformën e tyre jeshile
Dhe befas,
Një puç stinor ka nisur.
Gjithçka të pret ty,
Ti je stina e buzëqeshjes,
Çelnaja e mrekullueshme
E luleve të gjakut.
Planetet mbajnë frymën
Për të ndjerë hapat e tu në ardhje.
Gjithësia të pret,
Të pres edhe unë,
Se pa ty s’u niska jeta.
ObserverKult
lexo edhe: