Unë jam gjithçka urreva
Dhe gjithçka dashurova.
Jam djali i vogël që shkelmon
Guralecët e kohës
Dhe luan me gjethet
E kurorës së Athinës;
Jam farka e Hefestit
Që farkëtoi përkresat e perëndive,
Por edhe armët e Akilit
Që përvëluan zemrat e trojanëve;
Jam burri që nuk pranon kurrsesi
Të jetë një Fushe’
Edhe nëse kjo do ta bënte Napoleon;
Por jam edhe Pjetri
Në tri kohët e mohimit,
Dhe buzët e papenduara
Në faqen e Krishtit.
Jam Bruti dhe Kasi,
Jam Jul Çezari,
Dhe thika e ngulur
Në shpinë të Çezarit jam.
Unë jam gjithçka desha
Dhe gjithçka ëndërrova.
Jam anija e Kortezit
E ngarkuar me arin
E mallkuar aztek.
Jam liria e direkëve
Në një anije piratësh
Dhe ajri i parfumosur me rum
Nga kiçi në bash.
Jam pasioni i Niçes
Për të qenë Zarathustra
Dhe kandrra në trurin e Kafkës.
Jam verbëria e Borgesit dhe Homerit;
Jam dragoi “unë mund”
Dhe breshka “sikur”;
Jam zëri i mbytur
Dhe heshtja shurdhuese.
Unë jam endacaku i kohës
Që mbledh duajt e rënë
Nga qerrja e jetës.
ObserverKult